E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHKB, opozita bojkot Kuvendit, PD shtyn votimin

 

BLEDAR HOTI

Socialistët bojkotojnë votimin e ligjit për “Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Bren-dshme”, duke e cilësuar si një nismë të rrezikshme të qeverisë. Socialistët kishin paraqitur amendamente nëpërmjet deputetëve Çipa dhe Lutaj, por kryeparlamentarja Topalli nuk i pranoi ato për t’i futur në shqyrtim. Arsyeja, sipas kryeparlamentares, është se “amendamentet u paraqitën dje në mëngjes, ndërsa ato sipas rregullores duhet të paraqiteshin 24 orë para fillimit të seancës parlamentare”. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, nisur nga ky qëndrim bëri të ditur se, “socialistët do të bojkotojnë votimin për p/ligjin e SHKB-së dhe më pas do të marrin pjesë në votimin për draftet e tjera”. Votimi në parim dhe nen për nen është kryer në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës, të cilët kanë ngecur gjatë votimit në tërësi të këtij projektligji. Kjo erdhi si pasojë e mungesës së socialistëve dhe të një pjese të deputetëve të maxhorancës. Kjo bëri që projektligjet, si për SHKB-në, ashtu dhe për heqjen e TVSH-së për gazetat e huaja, të shtyhet për të enjten e ardhshme.
Debati
Deputetët e PS-së e cilësuan projektligjin e ri si një strukturë paralele e SHISH-it, në të cilën kryeministri kërkon ta përdorë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Me këtë p/ligji po krijohet një KGB e re, po bëjmë një superstrukturë inteligjente, duke tejkaluar kompetencat e SHKB-së”, deklaroi socialisti Balla. Ndërsa kreu i “PS ‘91", Petro Koçi, me këtë nismë theksoi se, “nisma flet për epshin e qeverisë dhe të komandantit të saj për të kontrolluar gjithçka. Meqë Berisha nuk kontrollonte SHISH-in, ka ngritur struktura paralele, duke i marrë kompetencat e të gjitha institucioneve të tjera, duke ia bashkangjitur SHKB-së”. Por ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, hodhi poshtë këto pretendime, duke u shprehur, “se SHKB-ja vjen në Kuvend si pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj BE-së. Projektligji ka pasur dhe asistencën e ICITAP dhe PAMECA-s”. Ndërsa socialisti Pirro Lutaj ka deklaruar se, “me këtë ligj të gjithë policët do të jenë të survejuar në çdo kohë dhe SHKB-ja do të jetë e ndërtuar sipas mentalitetit të Gazidedes”. Nishani i ka kontestuar këto qëndrime të opozitës duke u shprehur se, “këto janë hamendësime të pabaza”. “Shërbimi nuk është gogol, por është normal. SHKB-ja ka funksionuar dhe më parë si institucion. Të gjitha hamendësimet se po krijohet një institucion që po kontrollon gjithçka, nuk qëndrojnë. Zotërinj të opozitës, mos spekuloni me diçka të tillë”, theksoi Nishani. Deputetët e maxhorancës, Ndriçim Babasi, Leonard Demi, Baki Shehi kundërshtuan qëndrimet e opozitës, duke theksuar se nisma është pjesë e kushteve të BE-së, si dhe është asistuar nga ana e ICITAP-it dhe PAMECA-s. Deputetja Stefa ka deklaruar se, “ky projektligj shihet si i rrezikshëm, pasi miratohet në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Berisha duhet ta ketë institucion për ta përdorur në zgjedhjet e ardhshme. Do të kemi një SHISH paralel të drejtuar nga kryeministri”. Në seancën e Kuvendit pati debate dhe në lidhje me marrëveshjen me Bosnjën për heqjen e tatimit të dyfishtë. Seanca ka nisur me vonesë për shkak se, fillimisht u zhvillua konferenca e krerëve të grupeve parlamentare.

debatet

Petro Koçi: Nisma flet për epshin e qeverisë dhe të komandantit të saj për të kontrolluar gjithçka. Meqë Berisha nuk kontrollonte SHISH-in, ka ngritur struktura paralele, duke i marrë kompetencat e të gjitha institucioneve të tjera, duke ia bashkangjitur SHKB-së.

Rajmonda Stefa: Ky projektligj shihet si i rrezikshëm, pasi miratohet në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Berisha duhet ta ketë institucion për ta përdorur në zgjedhjet e ardhshme. Do të kemi një SHISH paralel të drejtuar nga kryeministri.

Ndriçim Babasi: Kjo nismë vjen si pasojë e rekomandimeve të BE-së, për hartimin e tij kanë ndihmuar ICITAP dhe PAMECA. Me këtë ligj nuk do të abuzohet, ky është një garanci se do të luftohet korrupsioni brenda radhëve të policisë.

Pirro Lutaj: Me këtë ligj të gjithë policët do të jenë të survejuar në çdo kohë dhe SHKB-ja do të jetë e ndërtuar sipas mentalitetit të Gazidedes.

Bujar Nishani: Shërbimi nuk është gogol, por është normal. SHKB-ja ka funksionuar dhe më parë si institucion. Të gjitha hamendësimet se po krijohet një institucion që po kontrollon gjithçka, nuk qëndrojnë. Zotërinj të opozitës, mos spekuloni me diçka të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›