Skualifikohet Aurela: Votimi ishte politik
Ashtu siç dhe kishte premtuar Aurela Gaçe, miliona europianëve i dhuroi një copëz shpirti dhe pasioni shqiptar, por në fund ata nuk ia dhanë votën për të kaluar në finale. Aurela Gaçe, me këngën e titulluar “Kënga ime”, në versionin anglisht “Feel the passion”, ka performuar mbrëmë në skenën europiane të Dusseldorf-it, por nuk është kualifikuar në finale, që mbahet më 14 maj. Diva shqiptare, siç edhe ishte cilësuar nga agjencitë e huaja, ka perfomuar e treta, e veshur me fustanin ngjyrë rozë në formën e shqiponjës, simbol në flamurin shqiptar. Skena gjermane jehoi nga zëri i Aurelës, zë që është vlerësuar nga mediat gjermane, por dhe nga kërcimi gati rock në skenë. Aurela në fakt nuk e zhgënjeu publikun shqiptar, që vetëm pak ditë më parë lexonte në mediat e huaja se ajo ishte një Tina Turner shqiptare, por mbase ky krahasim disi i ekzagjeruar ka “zhgënjyer” publikun e huaj që duhej ta votonte këngën shqiptare për t’i hapur rrugën për në finale. Në finale, nga gjysmëfinalja e natës së parë, u kualifikuan këto shtete: Serbia , Lituania, Greqia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Zvicra, Hungaria, Finlanda, Rusia dhe Islanda. Pavarësisht se Aurela Gaçe nuk arriti të cekte finalen e Festivalit Europian të Këngës, me performancën e saj ajo ka shpërthyer në skenën e Dusseldorfit me këngën “Feel the passion”, që u shpall fitues në Festivalin e Këngës në RTSH në fund të vitit që kemi lënë shumë pas. Shqiptarja shoqërohej në skenë nga tre backvokalistë të sugjeruar nga këngëtarja tjetër e njohur shqiptare, Eda Zari, e cila jeton aktualisht në Dysseldorf. Gjithashtu në skenë këngëtarja shoqërohej me kitarë nga Bledar Sejko, kurse në bateri nga Emiliano Dhimo. "Feel the passion" është kompozuar nga Shpëtim Saraçi, ndërsa tekstin e ka shkruar Sokol Marsi. Kënga u mendua që për skenën e Eurovizionit të përshtatej në variantin anglisht, ashtu siç ka ndodhur me shumicën e këngëve që kanë përfaqësuar vendin tonë në këtë festival europian të këngës Këngëtarja shqiptare konkurroi me 18 përfaqësues të shteteve të tjera. Nga 19 këngët në total të gjysmëfinales së parë, 10 prej tyre u përzgjodhën për natën finale. Kështu në gjysmëfinalen e parë u ngjitën në skenë këngëtarë nga: Shqipëria. Armenia, Azerbajxhani, Kroacia, Finlanda, Greqia, Gjeorgjia, Hungaria, Islanda, Lituania, Malta, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rusia, San Marino, Serbia, Zvicra dhe Turqia. Në gjysmëfinalen e dytë që do të mbahet më 12 maj, do të ketë 19 përfaqësues të tjerë. Edhe nga kjo fazë do të përzgjidhen 10 këngë. Në natën finale që do të zhvillohet më 14 maj, 20 këngët në total të dala nga dy gjysmëfinalet do t’i bashkohen grupit që konsiderohet si “Big Five”, pesëshja e madhe e përbërë nga shtetet: Spanjë, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Francë dhe Itali. Fituesi përzgjidhet nga televotuesit dhe juritë profesioniste të shteteve pjesëmarrëse. Votimi kryhet nga njerëzit që jetojnë në shtetet pjesëmarrëse, të cilët mund të votojnë me telefonata apo mesazhe. Çdo shtet që voton, zgjedh 10 shtetet më të pëlqyera, të cilat i voton me 1-7 pikë, 8, 10 dhe 12 pikë. Mësohet se natën e parë gjysmëfinale e kanë ndjekur më shumë se 100 milionë njerëz nga 45 shtete të ndryshme të botës. Megjithatë, shanset e Shqipërisë në Eurovizion u mbyllën që në natën e parë. Gjithsesi, Aurela Gaçe dha maksimumin e saj në Dusseldorf me këngën fituese të Festivalit të Këngës në RTSH “Kënga Ime”. Ajo rikthehej në skenën e Festivalit të RTSH-së pas nëntë vjetësh mungesë, ku për herë të fundit ishte ngjitur në vitin 2001, duke qenë edhe fituese e tij me këngën “Jetoj”. Në moshën 19-vjeçare mori pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, ku edhe pati performancën e saj me këngën “Pegaso”. Katër muaj më vonë konkurroi dhe fitoi në Festivalin e Pranverës 1994. Aurela Gaçe njihet dhe për këngën e saj “Nata” në Festivalin në RTSH ’95, që prej asaj kohe ajo fitoi 2 çmime të para në “Fest ‘99”, me këngën “S'jam tribu” dhe në Fest ‘01. Ndërkaq gjatë karrierës së saj ajo solli dhe këngën “Fati ynë shpresë e marrëzi”, ku edhe zuri vendin e dytë në Fest ’98. Aurela ka fituar dhe çmime të treta në Fest ‘96, me këngën “Me jetën dashuruar”, dhe në Fest ‘98 me “E pafajshme jam”. Në karrierën e saj ka dhënë dy koncerte solo live, që u mbajtën në Pallatin e Kongreseve në vitet 1998 dhe 2000.