E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama vs Lulzim Basha, 3 qendrat që vulosin fatin e Tiranës

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 11-05-2011 11:50

Tiranë Një garë “dorë më dorë” mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ka ngërthyer qytetarët e Tiranës pas ekraneve, në pritje të mbylljes së një procesi numërimi të ngadaltë e të mbushur me tension. 48 orë pas mbylljes së votimit, Tirana duket se është mbërthyer në një barazim të “hekurt”, ku harta elektorale e kryeqytetit rezulton e ngjyrosur sa blu, aq edhe e kuqe. Mungesa e një avantazhi të dukshëm për secilin prej kandidatëve, ka sjellë tension në 3 KZAZ të Tiranës, të cilat duket se kanë në dorë fatin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Procesi i numërimit të votave në KZAZ-të 49, që mbulon zonën e ish-Bllokut, 52, që mbulon zonën e Shkollës së Kuqe dhe 55, që mbulon Laprakën ka pasur një ritëm tepër të ngadaltë, për shkak të strategjive elektorale të PS-PD, për të mbajtur nën kontroll rezultatin. Kjo, pasi janë këto qendra që pritet të përcaktojnë edhe fituesin e 4 viteve të ardhshme të Bashkisë së Tiranës. Në këtë ngërç të numërimit për Tiranën është përfshirë edhe KZAZ-ja me numër 54, e vendosur në shkollën “Avni Rustemi”, ku edhe është shënuar incidenti më i rëndë gjatë ditës së djeshme. Për 16 orë më radhë, procesi i numërimit është bllokuar në KZAZ-në 54 në Tiranë, për shkak të konflikteve mes komisionerëve të PS dhe PD. Gjithçka ka nisur rreth orës 03:00 të së martës, kur në të pesë tavolinat e numërimit të kësaj KZAZ-je kanë qenë duke u numëruar votat për këshilltarët bashkiakë. Kur mjaftonin dhe 6 kuti për t’u mbyllur plotësisht procesi i numërimit për kreun e Bashkisë, komisionerët e Partisë Socialiste kanë braktisur tavolinat e numërimit dhe janë larguar me pretendimin se ndiheshin të kërcënuar nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, duke lënë mbi tavolinë fletët e votimit. Rreth orës 11:00, kjo situatë problematike është diskutuar në mbledhjen e radhës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku është vendosur të largohen përfaqësuesit e PS dhe të zëvendësoheshin me numërues të tjerë. Por edhe ky vendim duket se nuk është pritur mirë nga ana e numëruesve të majtë, të cilët nuk kanë pranuar të largohen nga salla e numërimit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë ngritur pretendimet se po manipuloheshin votat dhe madje deputetja Ledi Shamku u ka bërë thirrje votuesve të PS-së që të vijnë në ambientet e KZAZ-së 54 për të mbrojtur votën e tyre. Vetëm pak minuta pas thirrjes së bërë nga ana e deputetes Shamku, në derën kryesore të shkollës “Avni Rustemi” është shfaqur deputeti Paulin Sterkaj, i shoqëruar gjithashtu nga deputeti Fatmir Toçi. Për disa minuta, Sterkaj ka debatuar ashpër me efektivët e policisë, duke u kërkuar këtyre të fundit ta lejonin që të hynte në ambientet e brendshme të KZAZ-së, por efektivët blu janë përgjigjur se nuk mund të hynte pa pasur një autorizim. Pasi ka tentuar disa herë të hapte derën me forcë, Sterkaj ka kapërcyer kangjellat e derës dhe brenda pak sekondave të ndodhej në oborrin e shkollës “Avni Rustemi”. Vetëm pak çaste më pas, pranë kësaj KZAZ-je ka ardhur dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, i cili pas kontakteve me të gjitha palët e përfshira në këtë proces, ka arritur në normalizojë situatën. Procesi i numërimit në këtë qendër ka vazhduar normalisht për vetëm pak orë, ndërsa në orën 22.00 është bllokuar sërish. E njëjta situatë është përsëritur edhe në KZAZ-në me numër 52, të vendosur në Shkollën e Kuqe, ku procesi është bllokuar në orën 22.30 të mbrëmjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›