E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skulptura

Skulptori shqiptar, Genti Tavanxhiu, flet për dy simpoziumet e skulpturës që po zhvillohen në Korçë e Elbasan. Krijimet e artistëve që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës do të vendosen në parqet e qyteteve. Tavanxhiu tregon se si është pritur kjo nismë nga publiku, ndërsa hedh idenë e vazhdimit të këtij projekti edhe në kryeqytet Një projekt edhe për Tiranën

Për herë të parë, qëkurse në 40 vjet, qysh prej kohës kur është krijuar parku “Rinia” i qytetit të Elbasanit, do të ketë në brendësi të tij gjashtë skulptura të gdhendura nga artistë të njohur, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Falë këtij simpoziumi të parë të skulpturës që organizohet në Elbasan, këtë të hënë do të përurohet në hijeshinë gjithëstinore të këtij parku veprat abstraksioniste, gjini e re kjo për publikun e këtij qyteti. Grupi i skulptorëve të njohur në shumë vende të botës ka vendosur “selinë” e tij në një qoshe të këtij parku dhe prej disa ditësh punon pa orar. Si për ironi të fatit, janë të detyruar të dëgjojnë edhe shpotitë e kalimtarëve apo frekuentuesve ditorë, edhe pse daltat e tyre kanë thyer heshtjen e qytetit. Kreu dhe drejtuesi i këtij simpoziumi, artisti Genti Tavanxhiu, në intervistën e dhënë për gazetën “Shqip” tregon për këtë përvojë të re në Elbasan, krijimet e artistëve pjesëmarrës dhe planet e së ardhmes për të vijuar këtë simpozium edhe në Tiranë.

Për pak keni lënë Italinë dhe jeni kthyer në Shqipëri për dy simpoziume të skulpturës që po zhvillohen në Korçë dhe në Elbasan. Si ndodhi që u vendosët në drejtimin e tyre?

Nuk është hera e parë që unë drejtoj një simpozium skulpture. Me kolegët e mi, ndër më të zgjedhurit në shkallë ndërkombëtare, kemi bërë disa të tillë në disa vende të ndryshme të botës. Për mua, rëndësi të madhe ka fakti që po jap kontribut në qytete të vendit tim. Në Shqipëri jam kthyer pikërisht për këtë, sepse tre vjet më parë ka qenë ideja dhe propozimi i kryebashkiakut të Korçës, Niko Peleshi, për zbukurimin e parqeve të këtij qyteti me skulptura bashkëkohore të gjinisë abstraksioniste. Jo vetëm artistët korçarë, por shumica qytetare e mirëpriti këtë nismë dhe kjo u duk edhe në vlerësimin e shijeve qytetare për disa skulptura në park.

Cilat kanë qenë kriteret në përzgjedhjen e artistëve pjesëmarrës dhe a ka pasur një temë në të cilën artistët janë fokusuar apo ka qenë zgjedhja e lirë e tyre?

Unë jam kundër konformizmit, aq më tepër që nuk e pranon vetë ky zhanër krijues. Nuk ka asnjë temë. Artistët janë të lirë në krijimet e tyre, mjafton që skulpturat monumentale të tyre të përcjellin vlera të larta arti dhe të pëlqehen nga qytetarët që do t’i shohin apo edhe i “përkëdhelin” ato. Artistët pjesëmarrës vijnë nga vende si Portugalia, Spanja, Gjermania, Siria etj.

Pra kemi një përballje të përvojave të vendeve të Lindjes me ato të Perëndimit?

Pikërisht kjo ishte ideja, një gërshetim kulturash, sikurse është dhe Elbasani. Pastaj, artisti nuk njeh dallime kulturore!

Për herë të parë ky simpozium skulpture po zhvillohet në Elbasan. Përse u zhvendos edhe në këtë qytet kjo veprimtari, cili është qëllimi i saj?

Ishte propozim i kryetarit të Bashkisë së qytetit të Elbasanit, pasi ka parë si duket përvojën që ofron qyteti i Korçës. Ndaj dhe u vendosëm këtu. Për mua Elbasani është ndër qytetet më me kulturë dhe mbi të gjitha ka këtë park të mrekullueshëm.

Ku do të vendosen më pas skulpturat që do të ekspozohen në këtë qytet dhe çfarë do të ndodhë me to?

Ja, në parkun që shihni, që syri nuk e rrok dot kufirin dhe bukurinë e tij të pafund. Pastaj, me sa di ky qytet ka edhe miniparqe të tjerë. Për momentin do të vendosen gjashtë. Sa për atë se çfarë do të ndodhë me to, unë nuk e di! Nuk besoj se do të dëmtohen, sikurse nuk besoj se të gjithë qytetarët do t’i mirëpresin.

Pse ky mosbesim?

Këto ditë, kalojnë persona rreth nesh, na shohin që punojmë, ngrenë zërin për zhurmën dhe pluhurin dhe na ankohen. Ndërsa ne, në darkë, i lajmë me ujë gjethet e pemëve që kanë marrë pluhur nga puna. Këto do të jenë skulptura monumentale abstraksioniste dhe pakkush mund t’i përcjellë në vetvete bukurinë që lënë ato. Shumë nga ata që na kanë parë këto ditë na kanë bërë vërejtje.

Ndërkaq, në Korçë ky simpozium zhvillohet për të tretin vit radhazi. Bashkë me skulpturat e këtij viti bëhen 24 që janë vendosur në park dhe lulishte. Nuk janë si shumë dhe mos kemi të bëjmë me një “pushtim” të parkut e lulishteve?

Jo, nuk mendoj kështu. Si në Korçë që bëhen 24, ashtu edhe në Elbasan që janë 6, nuk janë shumë. Parku apo lulishtja nuk janë “një dhomë e një kuzhinë”. Ne jemi përpjekur që gjithçka të vendoset në raport me sipërfaqen e gjelbëruar për të mos krijuar asgjë të tepërt.

Kryetari i Bashkisë së Korçës ka hedhur idenë se menjëherë pas përfundimit të simpoziumit, këto skulptura do të jenë pjesë e një Muzeu Natyror të Artit Bashkëkohor, që do të hapet për herë të parë jo vetëm në këtë qytet, por edhe në Shqipëri. A mund të më tregoni diçka më shumë për këtë projekt? Do të ndodhë e njëjta gjë edhe për skulpturat e Elbasanit?

Kur është bërë e para, pse të mos bëhet edhe e dyta. Ideja është e realizueshme për të dyja qytetet dhe më gjerë. Për këtë problem të flasim në kohën dhe vendin e duhur. Besoj se më kuptoni. Por, mbi të gjitha, do të gjejnë eksperienca të reja për ne shqiptarët që bota ka mbi 50 vjet që i aplikon. Mjafton dëshira sikurse edhe mundësia financiare. Të tjerat bëhen në kohë.

Duke marrë shkas prej këtyre dy simpoziumeve e duke qenë se ju tashmë keni një karrierë të suksesshme jashtë Shqipërisë në fushën e skulpturës, si ju duket gjendja aktuale e kësaj gjinie në vendin tonë?

E re, por jo e panjohur. Ashtu sikurse qytetari i vendit tim është duke u mësuar me formën dhe përmbajtjen e pikturës abstraksioniste, ashtu do të presë, njohë dhe vlerësojë edhe këtë gjini. Por, të mos entuziazmohemi që në fillim. Për të ardhmen kam menduar se do të na mirëpresë kryeqyteti. Deri tani nuk kam asnjë sinjal. Kemi shumë projekte dhe mund të numëroj mbi 80 të tilla, me afro 150 artistë pjesëmarrës, të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë të pranishëm me punën e tyre në Shqipëri.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›