E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e Hamallajt, pa harta në hipotekë

Edhe pse toka ka kaluar dorë më dorë, institucionet nuk kanë dokumente të sakta për të

Procesi i legalizimit është ndërprerë në zonën e Hamallajt, Hidrovor dhe fshat, për shkak të mungesës së hartës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit. Burime të sigurta pranë ALUIZNI-t thanë për “Shqip” se harta e hipotekës nuk është e azhornuar. Përditësimet e fundit në të u përkasin viteve ‘70-‘80 dhe kjo ka çuar në ndërprerjen e punës së inspektorëve të saj në terren për evidentimin dhe verifikimin e objekteve të vetëdeklaruara dhe rrjedhimisht të krejt procesit. Tingëllon shumë i çuditshëm ky fakt, pasi që nga viti 1992 e më pas janë bërë shpërndarje tokash dhe pronash qoftë në bazë të ligjit 7501 “Për Tokën”, ashtu dhe bazuar mbi vendime gjykatash, vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe aktet e vjetra të pronësisë. Asgjë nuk gjendet e pasqyruar në hartat hipotekore të krejt zonës së Sukthit, ku numërohen rreth 3200 vetëdeklarime, nga të cilat 2800 i janë nënshtruar procesit të matjeve, verifikimit në terren dhe 2000 prej tyre janë dixhitalizuar.
Vitet e fundit, zona bregdetare e Hamallajt mori një rëndësi të veçantë për resurset që ofron dhe

zgjoi orekset e personave të interesuar për të ndërhyrë dhe shfrytëzuar atë. Pikërisht në këtë moment konstatohet mungesa e hartave të azhornuara, e cila është problem për të gjithë Bashkinë e Sukthit, pjesë e së cilës është dhe Hamallaj. Në zyrën e ALUIZNI-t bëjnë të ditur se objektet e planifikuara për prishje nga Bojaxhi nuk janë në ortofoto. Ato deklarohet se janë ndërtuar gjatë tre viteve të fundit, nga viti 2007 e në vazhdim, ndërkohë që shumë objekte duken më të vjetra se kaq. Në Hamallaj-Hidrovor dhe Hamallaj fshat, janë bërë rreth 300 vetëdeklarime objektesh për legalizim dhe vetëm 170 prej tyre janë evidentuar, por pa mundur të shkohet më tutje me procesin, për shkak të mungesës së hartës hipotekore dhe një studimi urbanistik. Burimet thonë se asnjë nga objektet nuk do të përfshihet në legalizim dhe se pritet vendimi që do të marrin drejtori i Agjencisë Kombëtare të Legalizimit, Shaban Memia, dhe kryeregjistruesi Arben Qirjako, ndërkohë qindra familjarë dhe pronarë të objekteve në Hamallaj qëndrojnë në alarm për atë që do të ndodhë me pronat dhe jetën e tyre. Mungesa e hartave ka bërë që dhe në Sukth, Kullë, Rreth, Sukth Qendër, ashtu si në Hamallaj Hidrovor e fshat, të ndërpritet procesi i legalizimit në pritje të vendimeve të mëtejshme, një prej të cilave do të ishte përditësimi i hartave hipotekore bazuar në dokumentacionin që gjendet pranë Zyrës së Regjistrimit. Ndërkaq, lidhur me aksionin e prishjeve të nisura në Hamallaj deklarohet nga kryetari i bashkisë Sukth, se shumica e objekteve janë hotele dy deri në katërkatëshe, lokale, rrethime të sipërfaqeve të mëdha të hapësirave publike nga individë të ndryshëm dhe vetëm 45 objekte janë godina banimi. Sipas njoftimit zyrtar që Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka bërë pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës këtë fillimjave, rezulton se janë 151 objekte në listën e ndërtimeve pa leje të Inspektoratit Ndërtimor që do të vijojnë të prishen në ditët e ardhshme. Kryetari i Bashkisë së Sukthit, Yrjan Hasani, thotë për gazetën “Shqip” se janë 156 objekte për t’u prishur nga ndërtimorët e Tiranës. Hasani shton se zona bregdetare e Hamallajt ka një masterplan të miratuar në 2004-n nga qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, ndërkohë që në vitin 2009 është bërë dhe studimi urbanistik i zonës që ka kaluar edhe në KRRTRSH. Ndryshe nga deklarimi i kreut të Inspektoratit Ndërtimor, Gjergji Bojaxhi, kryebashkiaku i Sukthit pranon se ndërtimet e përfshira në listën e prishjeve janë bërë nga viti 1993 e deri në 2008-n, pra nuk janë të gjitha të ndërtuara 3 vitet e fundit. Ndonëse drejtues i zgjedhur me votë i komunitetit të Sukthit, ku përfshihet dhe Hamallaj, Hasani pranon se nuk ishte njoftuar që aksioni për prishjen e këtyre ndërtimeve do të bëhej mëngjesin e së enjtes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›