Të mbytur me heshtje
"Nëqoftëse do të groposësh një libër të vlershëm, mbyte me heshtje." Këto fjalë të kritikut destruktiv Hans De Vogelverge, shprehin më së sakti qëndrimin e disa mediave dhe opinionndikuesve të tjerë, ndaj dy librave mbi Enver Hoxhën: "Mjeshtri i intrigave, Bishtidreqit" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës". I pari shkruar nga historiani shkrimtar - Agim Musta, dhe i dyti nga dramaturgu e prozatori Pëllumb Kulla.
E dimë që, në ditët e sotme botohen shumë libra, midis të cilëve rrallë has në vlera të mirëfillta letrare apo historike dhe, kuptohet, jo të gjitha mund të ngjallin interesimin e publikut lexues dhe aq më pak të kritikës së specializuar...Heshtja që bie mbi shumicën e tyre, është e kuptueshme.
Të dy librat e sipërshënuar, sipas mendimit tim, përbëjnë kontribut të rëndësishëm në përvijimin e portretit politik e njerëzor të diktatorit për të cilin bëjnë fjalë. Përpara këtyre, mund të themi, se kanë qënë të papërfillëshme sprovat për t'iu "afruar" Enver Hoxhës. Miqtë e ithtarët më të afërt të tij, deri sot nuk kanë guxuar të shkruajnë biografinë e idhullit e shefit të tyre të ndjerë dhe kjo jo për mungesë aftësije apo talenti...
Mbaj mend, qysh në vitet e parë të pasluftës, pata në dorë një "Biografi të shkurtër" mbi jetën e atij që ende nuk e dinim se kush kish qënë në të vërtetë e aq më pak, se kush do të bëhej Enver Hoxha. Kjo biografi "zyrtare", edhepse e zbukuruar, shumë shpejt rezultoi se nuk ish aq e zbukuruar saç do të ishte dashur të ish, prandaj u hoq nga qarkullimi. Siç u fol më von, aty kishin hyrë edhe gjëra nga jeta e tij, që nuk duhet të kishin hyrë...
Për çudi, kanë qënë të huajt ata që hodhën hapat e parë në këtë drejtim duke u orvatur t'u japin lexuesve të vendeve të tyre, biografi deri diku, të pranueshme, paçkase të paplota, për diktatorin më gjakatar komunist të Europës.
"Mjeshtri i intrigës-Bishtidreqit"
Autori i ktij libri, është historiani Agim Musta, ish i burgosur politik, që i ka kushtuar jetën hetimit në thellësi të krimeve të diktaturës gjysmëshekullore enveriste. Frut i kërkimeve të tij këmbëngulëse, janë mbi 10 libra të botuar. Ndër ta, më mbresëlënësit, shënoj "Libri i zi i komunizmit shqiptar" (2007),"Dosjet e gjalla, kush ishte Enver Hoxha?" (1995); "Burgjet e shtetit burg" (1998); "Dëshmoj për të vërtetën..." (Dy vëllime-2005); "Mandelët e Shqipërisë"(1992) etj. Libri më i ri është "...Bishtidreqit" për të cilin po flasim.
Ky libërth është tepër i vogël për nga faqet (vetëm 180), në raport me madhështinë sëprapthi të bëmave të objektit që trajton, por megjithatë, ngërthen gjithshka nga jeta e bashkëqytetarit të tij famëkeq (Musta është nga Gjirokastra). Autori e ndjek protagonistin e veprës së vet, nisur nga "Sokaku i të marrëve", rruga ku Enveri pa përsëpari dritën e diellit; përtej, nëpër të gjitha shtigjet, aventurat e intrigat e këtij njeriu që u bë sjellësi më i madh i fatkeqësive të popullit shqiptar në shekullin Njëzet.
Agim Musta, nuk shkurorëzon vetëm "mbretin" tiran (për jetëgjatësi në pushtet, rrallë i afrohet ndonjë mbret nga dinastitë që njohim), por hedh një gur të rëndë edhe mbi "tabllonë" false të "epokës socialiste", siç e quanin pseudoshkrimtarët dhe pseudoartistët "kohën e Enverit", tabllo që servilët, u munduan shumë "ta plotësojnë" edhe mbasi diktatori na kishte varfëruar pamasë me largimin e tij nga kjo botë. (Ai u largua vërtet, por shqiptarët nuk e harrojnë sepse ua kujtojnë jo vetëm krimet, por edhe "divanët e kohës së Enverit" me të cilët ishin pajisur të gjitha shtëpitë tona, njëlloj!).
Ajo "tabllo"ishte vitrina gënjeshtare që mbulonte e fshehte varfërinë e skajshme dhe vrasjet e përbindëshme të urdhëruara personalisht prej tij, për të eliminuar fizikisht jo vetëm armiqtë e vërtetë të komunizmit, por edhe ata të hamendësuarit, armiqtë potencialë, nga të cilët mendja e tij e sëmurë kishte frikë patologjike.
Musta, si historian rreptësiht serioz që është, nuk flet në "hava", gjithçka e vërteton me fakte, me dokumente dhe me dëshmi gojore të atyre që e kanë pësuar mbi kurriz luftën e klasave të zbatuar forcërisht nga Enveri, edhe përtej Leninit e Stalinit, sepse zelli i tij ua kalonte mësuesve të vet.
Autori, në librin e tij, polemizon drejtpërdrejt apo tërthorazi, edhe me shkrimtarë të huaj, që e kanë emërtuar regjimin e Enver Hoxhës "komunizëm nacional" dhe diktatorin vetë "nacionalist". Hoxha mund të ishte gjithshka, vetëm nacionalist nuk ishte. Kosovën ua shiti serbëve ende pa mbaruar lufta; Shqipërinë ia ofroi për shitje Titos më se njëherë. Ai preokupohej vetëm për të ruajtur sundimin e vet. Të gjitha "prishjet" e tij me të tretët, kanë ndodhur vetëm për këtë qëllim, për t'iu mbijetuar furtunave të mundëshme që ato "miqësi" mund të shkaktonin lëkundjen e pushtetit të tij të pakufishëm: në fillim pas shkëputjes së Jugosllavisë nga Rusia dhe nga "Kampi"; më tej, pas kongresit të XX-të sovjetik; pas politikës kineze të "ping-pongut" që u "hap" ndaj amerikanëve; pas...pas...Po të kish jetuar pak më gjatë, i kish ardhur rradha të lidhej "pazgjidhmërisht" edhe me monarkinë komuniste koreano-veriore të Kim Ir Senit.
Kuptohet, se në caqet e një shkrimi gazete, nuk mund të flitet më gjatë mbi këtë vepër, vërtet e shkruar nga një historian, por stili i tij nuk është "shkencërisht" i thatë, sepse rrjedh këndshëm dhe lexohet me një frymë, sa që mund ta quajmë një vepër historiko-letrare.
Ka disa muaj, që "Mjeshtri i intrigave, Bishtidreqit", gjendet nëpër librari, por rrallë e sheh në ndonjë vitrinë...sepse dyshohet që nostalgjikëve të Komandantit, kur i shohin këta lloj librash, u vrasin sytë...
"Vdekja e Enver Hoxhës"
është një roman i madh i Pëllumb Kullës, personalitet i njohur i artit skenik dhe letrave shqipe. Kur thashë i "madh", nuk më shkau goja, dmth pena... Mos vallë nuk duhet ta themi këtë të vërtetë?! Mos vallë edhe kur zbulojmë vlera të mirfillta letrare e artistike, si në këtë rast, duhet të presim derisa ndonjë kritik i huaj, autoritet i njohur, të na "bëjë me dije" se kemi në dorë një vepër të këtyre përmasave, jo nga volumi por nga pesha e mendimeve dhe ideve?! Sikur të prisnim kështu, do të gabonim siç kemi gabuar dikur...
E pra, kemi të bëjmë me një krijim me vlera të larta estetike e njohëse mbi periudhën më të zymtë të diktaturës që kulmëzoi me tragjikomedinë e shuarjes së Tiranit dhe me gëzimhidhërimin e gjithë shqiptarëve.
Asnjëherë më parë e asnjëherë më mirë nuk është bërë demitizimi i kreut të diktaturës dhe i të ashtuquajturit "socializëm shqiptar". Një vepër që trondit e çmonton njësoj. Po, çmonton ngrehinën, strukturën pseudoideologjike të ngritur mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë, mbi të shtirurit, dyfytyrësinë, që ishte tipari i përgjithshëm i "njeriut të ri" shqiptar të "epokës së partisë". Mbi këtë tipar të qëmtuar nga jeta, Kulla ndërton 4 absurdet e romanit: Absurdin e njeriut të vdekur që vazhdon të çfaqet i gjallë në sytë e popullit të vet; absurdin e shoqërisë që pandeh se mund të sfidojë ligjin e natyrës që thotë se të gjithë njerëzit e këtij planeti, janë të vdekshëm, dhe ta mbajë përjetësisht të gjallë udhëheqësin e vet; absurdin e qytetit që vendos të mos e mbyllë kurrë zinë për vdekjen e tiranit; absurdin-spektakël madhështor të pikëllimit mbarëpopullor, përshkruar mjeshtërisht nga shkrimtari deri në kapilarët e "larvave njerëzore".
Tensioni dramatik, shtypja e psiches së personazheve nën peshën e frikës që zotëron mendjet e të gjithëve, filluar nga byroistët që dridhen nga Telosulua e deri tek më i fundit shqiptar që ka zënë vend në faqet e këtij libri, është realizuar nga dora e një mjeshtri të prozës.
Përgjithësisht, kur shkruan për një vepër letrare, është e vështirë t'i shpëtosh rrezikut të të treguarit pjesë nga përmbajtja e saj. Mirëpo, duke mosqënë në atë lartësi, ku mjeshtëria e kritikut e zotëron dhe e shpërvjel më mirë lëndën që ka në dorë, unë nuk i shpëtoj dot atij rreziku...
Në këtë roman, Pëllumb Kulla, merret me ditët përpara vdekjes, me ato të vdekjes dhe sidomos me ditët e pasvdekjes së diktatorit. I përshkruan me imtësi veprimet e "procedurat" zyrtare të shpalljes e, sidomos ato të fshehjes, manipulimit e spërdredhjes të së vërtetës rreth vdekjes së "protagonistit". Në këto, autori është një dokumentarist që, me kamerën e fshehtë të imagjinatës e fantazisë së tij, na jep deri në imtësi detajet e punës së mjekëve, agjentëve sekretë, e sidomos atë të grimiorit që i ra fati i keq (por i rrallë) të merret me zbukurimin e fytyrës së ligur të kufomës, për ta bërë atë jo vetëm të pranueshme në sytë e popullit të tij, por edhe përtej kësaj, të pavdekshme në mendjet e shqiptarëve. Paçkase edhe pa këtë tualet të përsosur, shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë fytyrën e vrasësit të buzëqeshur, (se vrasës ishte dhe "prapë i buzëqeshur", siç thotë Shekspiri për një kriminel tjetër). Pa përmendur të tjerat, mbi ndërgjegjen e tij rëndonin vetëm të pushkatuar dhe të vdekur nëpër burgje mbi 7 mijë të pafajshëm, të cilëve nuk u dihen ende gropat ku i ka hedhur.
Grimior Betimit, që gjatë karierës së tij u ka bërë grimin shumë aktorëve, i erdhi rradha të bëjë edhe grimin e aktorit më të madh shqiptar, i cili sa ishte gjallë ka "luajtur" me bashkëatdhetarët e vet, pa grim.
Do t'u cënoja lexuesve kënaqësinë e zbulimit, sikur të flisja për ngjarjet dhe personazhet e këtij romani, që janë të shumtë por të mbrujtur me tipare vetjake, origjinale. Sejcili syresh, është njëheresh edhe metaforë, edhe zhgënjim si poeti Moisi Dhemblani, që tërë jetën kish shkruar poezi të ndjera për "udhëheqësin e dashur"; edhe dhimbje si i burgosuri "veteran" Kujtim Gjyzari për të cilin "pritjet për lirinë kishin qënë më të bukura se vetë liria"; edhe përçmim si shpirtskllavi Dhimitër; edhe...edhe...edhe, një galeri njerëzish që me individualizimin mjeshtëror të Kullës, brenda ngjyrës gri të tabllosë reale të shoqërisë së atëhershme, na zbulojnë pasuri të vërteta shpirtërore të shqiptarëve, që megjithse nën trysninë e dhunës psiqike e fizike, ishin tjetërsuar vetëm në dukje.
Lexuesi i sotëm, në varësi të moshës, mbasi e mbyll faqen e fundit të romanit, ngre pyetje të ndryshme. Ajo më e dhimbëshmja është: "Shpëlarja e trurit, shpërfytyrimi i njeriut shqiptar, arriti deri në atë shkallë sa të adhurojë një kriminel?!"
Në rrjedhë të 50 vjetëve, shqiptarët kur u ndërgjegjësuan për pamundësinë për ta luftuar të keqen që i kish zënë, iu përgjigjën dhunës me hipokrizi, me konformizëm të shtirur.
Kuptohet, se edhe pas një llogaritjeje të thjeshtë, nuk mund t'i futësh të gjithë shqiptarët në "ansamblin" e tjetërsuar të vajtimtarëve groteskë që mbushnin vargun e gjatë të atyre që prisnin rradhën për t'i dhënë lamtumirën e fundit Komandantit, jo. Qindramijë të tjerë, të persekutuar ose jo, u mbyllën brenda mureve të shtëpive të tyre dhe gëzonin së brendshmi, pa bujë. Nuk harrojmë se ishin shqiptarët e patjetërsuar ata që bënë Revoltën e Spaçit, më e madhja kryengritje në historinë e burgjeve të Europës komuniste.
Zëra mbi vdekjen e tij të afërt, ka patur edhe përpara se kjo të ndodhte vërtet. Në një rast të tillë, një zonjë, pikërisht përpara hotel Dajtit ku ngrihej tribuna e parakalimeve, i tha mikeshës së vet: "Më duket se Ai, nuk do të na i tundë më kapelen nga tribuna..."
Mua, pas leximit, nuk më lindi asnjë pyetje. Transfigurimi ishte shtirje, adhurimi ishte përqeshje e fshehtë. Me të vdekur ai dhe me të kaluar ditët e zisë, shumica e shqiptarëve nuk na rezulton trushpëlarë.
As poeti MoisiDhemblani, për të cilin në lexim e sipër, ishim të bindur se është i tëri i magjepsur nga idhulli, sa që duket sikur nuk do t'i mbijetojë dhimbjes nga vdekja e atij që aq shumë e pat frymëzuar gjithë jetën për të krijuar poezi të vërteta, të ndjera, as ai pra, nuk paska qënë trushpëlarë, por vetëm një mashtrues, një hipokrit që shtirej për të mbetur gjallë, gënjeshtar në një botë të gënjeshtërt! Ishte bota iluzive e ndërtuar nga truri pervers i Enver Hoxhës. Regjimi i frikës, është pushteti i errësirës dhe errësira pjell përbindësha, s'kish si të mos pillte turma "adhuruesish" të rremë.
Minoranca e indoktrinuar apo e mashtruar nga një aparat gjigant propagande që vepronte mbi shqiptarët jashtë truallit të Shqipërisë zyrtare, që e bënte të zezën të bardhë, që vishte korbin gjakatar me puplat e pullumbit, arriti deri aty sa të bëjë një veprim të turpshëm, pas afro dy dekadash nga rrëzimi i statujës së tij në Tiranë, të festojë në Prishtinë 100 vjetorin e lindjes të Enver Hoxhës! Ishte një paradoks tragjik që kjo ndodhi pikërisht në Kosovën e shitur prej tij serbëve, dy herë!
Vetëkuptohet, se "komplloti i heshtjes" ka vepruar mbi këta dy libra, por pa i cënuar
aspak vlerat e tyre.
Lidhur me figurën e Enver Hoxhës, historiografia, me hezitim të çuditshëm dhe të paspjegueshëm, edhe pas 24 vjetësh nga vdekja e tij, ende nuk ka qënë e zonja të japë jetëshkrimin e vërtetë të tiranit. Ajo që i çudit më shumë shqiptarët, është fakti që ky njeri ende, në vend të "xhelat i popullit", vazhdon të figurojë zyrtarisht si "hero i popullit". As pasardhësi i tij, Ramiz Alia, ende nuk ka kërkuar të falur, që e quajti diktatorin "Burri më i madh i shtetit që ka nxjerrë kombi ynë". Frazë që nuk ka nevojë të komentohet...
Të dy librat për të cilët u përpoqa të them ato që mendoj, nuk e meritojnë heshtjen. Duhet të hyjnë edhe në programet shkollore, që të rinjtë e lindur pas asaj vdekjeje të lume, e pas çlirimit të vërtetë të Shqipërisë më 24 shkurt /91, të ndriçohen duke mësuar se kush ka qënë satrapi i gjyshërve dhe prindërve të tyre që e mbajti vendin për gjysmë shekulli mbyllur në kafazin e pseudo "parimeve" barngrënëse.
Padyshim, romani "Vdekja e Enver Hoxhës", si çdo vepër tjetër e këtij kalibri, me dashjen apo padashjen e autorit, përcjell edhe një mësim, një mesazh: "O njerëz, ndalojeni të keqin sapo jep shenjat e para, shtypeni sa është plesht, se po e latë të bëhet elefant, ju shtyp ai!"
Prill 2009