E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Raporti konfirmon rezultate pozitive

TIRANË- Menjëherë pas publikimit të raportit të USAID-it mbi nivelin e korrupsionit në vend, ka reaguar edhe zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu. Kjo e fundit ka bërë publike edhe njëherë shifrat, duke shtuar se, të dhënat e këtij raporti konfirmojnë rezultatet pozitive të reformave të kësaj qeverisjeje. "Sot, USAID-i ka publikuar një sondazh, realizuar nga organizata IDRA, e cila, megjithëse e njohur për anësimin politik, konfirmon edhe një herë rezultatet pozitive të reformave të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit. Në bazë të studimit të sipërpërmendur, rezulton se:
në Shqipëri, përvoja e korrupsionit po ulet në mënyrë të vazhdueshme. Ky është treguesi i vërtetë që mat se sa i përhapur është korrupsioni; indeksi i mënyrave të viktimizimit nga korrupsioni është ulur nga 1.7 në vitin 2005, në 1.29 në vitin 2009; rastet e referuara nga të anketuarit, kur policia ka kërkuar ryshfete, janë ulur nga 12.5% që ishin në vitin 2005, në 7.8 % në 2009-ën. Pra, korrupsioni në polici është ulur me 40%",- tha Bregu, duke vijuar më pas me të dhënat mbi nëpunësit dhe zyrtarët, uljen e ryshfetit në arsim, shëndetësi, etj. "Në bazë të studimeve të tjera të paanshme, të cilat datojnë më vonë sesa ky studim i kryer në vjeshtën e vitit të kaluar, por i bërë publik sot, rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë edhe më pozitive",- tha ajo.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›