Slishkoviç: I kujtoj mirë Vokrrin dhe Prekazin

Trajneri i Tiranës, Bllazh Slishkoviçi, e njeh Prishtinën si dhe disa futbollistë shqiptarë që luanin në vitet 70-të e 80-të nëpër ish-Jugosllavi. Si lojtar i Velezhit dhe Hajdukut e vizitoi kryeqytetin e Kosovës, ndërsa më vonë kaloi andej transit. “Po, - u shpreh ai për gazetën, - i mbaj mend disa futbollistë shqiptarë në ish-Jugosllavi. (Fadil) Vokrrin dhe (Xhevat) Prekazin. Më shumë atij i ka pëlqyer ish-sulmuesi i Prishtinës, më pas i Partizanit të Beogradit.
“Vokrri ishte një lojtar shumë i mirë, - komenton Baka, - një sulmues i vërtetë, modern. Teknik dhe shumë i fortë fizikisht”. Po Prekazi? Për lojtarin shumë të talentuar që shkoi e luajti edhe për Gallatasarajin në Turqi, Slishkoviçi ka gjithashtu respekt, por shton se ana fizike e tij nuk ishte shumë e mirë.
“Prekazi, një lojtar teknik, mjaft teknik, - pohon ai, - ishte ashtu, pak i dobët fizikisht, edhe rrëzohej më shpejt, ndërsa Vokrri më i fortë”. Xhevati bëri emër në kryeqytetin turk, për Gallatën, duke e ndihmuar ekipin që të kualifikohej më 1989 në gjysmëfinalen e Kupës së Kampionëve, pasi eliminoi Monakon. Vetë Prekazi shënoi një gol nga 37 metra distancë më 15 mars 1989. Gallatasaraji u bë i pari (dhe i vetmi deri tani) ekip turk në gjysmëfinalen e Kupës së Kampionëve.
Prishtinën e ka parë vetëm një herë kalimthi këto 25 vitet e fundit. “Po shkonim për një ndeshje në kupat e Europës me Zrinjsin, për në Maqedoni (do luanin ndaj Rabotniçkit sezonin e kaluar në UEFA), - shprehet Baka, - dhe rruga na kaloi nga Prishtina. Por ishte vetëm kalimthi, ndërsa për të qëndruar në Prishtinë, fjetur një natë dhe për të luajtur një ndeshje, kjo ka ndodhur ndoshta 25 vjet më parë, kur luaja ende në kampionatin jugosllav”.