Vjen në treg kompania telefonike ASC
Tregut të telekomunikacionit i shtohet operatori i ri privat ASC. Kompania “Albanian Satellite Communication” (ASC) pas licencimit nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit, do të hedhë së shpejti në treg gjithë gamën e shërbimeve telefonike bashkëkohore. Pas licencimit nga ERT, ASC finalizoi edhe marrëveshjen e interkonjeksionit me shoqërinë “Albtelekom”. Mbështetur në projektin dhe masën e investimit, drejtuesit e ASC-së e konsiderojnë këtë projekt si një risi në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, duhet theksuar fakti që futja e kompanive të reja në treg shoqërohet me përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara deri më sot, por gjithashtu edhe me uljen e çmimeve për konsumatorin. Arian Kraja, drejtor ekzekutiv i ASC-së, tha për mediat, se kompania telefonike do të sjellë një gamë të shumëllojshme shërbimesh. “Gama e shërbimeve, alternativat në çmime dhe shtrirja sa më e gjerë në Republikën e Shqipërisë, do ta shndërrojnë ASC-në në lider të teknologjisë në rajonin tonë”. Kraja nuk përjashtoi edhe mundësitë e shtrirjes së kësaj kompanie në rajonin e Ballkanit, duke e shndërruar ASC-në në rrjetin e komunikimit telefonik mbarëshqiptar.