E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nard Ndoka karshillëk Berishës

Kryetari demokristian i shkarkuar si ministër i Shëndetësisë, thotë se qëndrimi në Kuvend me votën abstenim ndaj ndryshimeve në qeveri ishte sinjal për Berishën. Ndoka mirëpret sakaq, rikthimin e Nikollë Lesit për të dhënë kontributin e tij në bashkimin e demokristianëve.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, thotë se votimi i dy netëve më parë në parlament nga ana e tij ishte një sinjal për kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa votohej për anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, Ndoka abstenoi, duke dhënë kështu edhe një sinjal për partinë më të madhe të mazhorancës. Ish-ministri i Shëndetësisë, i cili mori vlerësime për përballimin e situatës emergjente pas shpërthimeve të Gërdecit, në një intervistë për “Korrierin” thotë se largimi i tij nuk ka ardhur si pasojë e ndikimit të kryeparlamentares Jozefina Topalli. Ai shpjegon se, pasi ka mësuar ndryshimin e qeverisë, është takuar vetëm me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ritvan Boden, të cilit i ka komunikuar shqetësimin për shkeljen e marrëveshjes PD-PDK. Duke folur për rivalin e tij, Anton Gurakuqi, kreu demokristian thotë se ai u përdor nga klane të errëta të politikës, në mënyrë që PDK-ja të kalonte në periferi të politikës. Ndërkohë, pak ditë më parë, kreu i Lidhjes Demokristiane (LDK), Nikollë Lesi, i cili ka qenë paraardhësi i Ndokës në parti, tha se ka një plan për të bashkuar të gjithë demokristianët, duke ulur në një tryezë me Ndokën dhe Gurakuqin. Kësaj ftese Ndoka i përgjigjet në njëfarë mënyre pozitivisht, duke thënë se Lesi është i mirëpritur që të kthehet në Partinë Demokristiane dhe të japë kontributin e tij. Ai thekson se Partia Demokristiane nuk ka mure dhe kufij dhe se të gjithë janë të mirëpritur për të dhënë kontributin e tyre.

-Zoti Ndoka, në votimin e dy netëve më parë të emrave të rinj të qeverisë, ju abstenuat. A ishte ky një sinjal për kryeministrin Sali Berisha, për të treguar se votat e PDK-së kanë akoma peshë?

Nard Ndoka: “Votimi im në parlament ishte një sinjal për të treguar që duhen konsultime përpara se të shkojmë në vendime të njëanshme”.

-Keni qëndruar në koalicion, edhe pse jeni larguar nga posti ministror. A ka pasur ndonjë premtim nga kryeministri për një “Berisha 5”?

“Unë kam pasur takime vetëm me zotin Ritvan Bode, sekretarin e Përgjithshëm të PD-së. Unë i kam shprehur shqetësimin tim për qëndrimin e njëanshëm të PD-së dhe për shkeljen e njëanshme të marrëveshjes së nënshkruar midis meje dhe kryeministrit Sali Berisha, që është njëkohësisht edhe kryetar i PD-së. Por nuk kemi bërë asnjë marrëveshje të re konkrete. Ne presim që Partia Demokratike të reflektojë, sepse unë gjykoj se bashkëpunimi i mëtejshëm është në të mirë të të dyja partive. Nga ana tjetër, më duhet të them se ekzistenca dhe e ardhmja politike e PDK-së nuk varet dhe nuk do të varet nga asnjë forcë tjetër politike”.

-Sa mendoni se ka ndikuar kryeparlamentarja Jozefina Topalli në largimin tuaj nga qeveria?

“Unë marrëveshjen e kam nënshkruar me zotin Sali Berisha, e kam nënshkruar me Partinë Demokratike, jo me zonjën Topalli. Nuk besoj se ajo mund të ketë ndikim përcaktues apo kushtëzues mbi zotin Berisha dhe Partinë Demokratike”.

-Keni një konflikt gjyqësor me Anton Gurakuqin, i cili duket se mund të zgjasë shumë. Çfarë rruge do të ndiqet për këtë çështje, sepse rrezikoni të mos dilni në zgjedhje, pasi nuk lejohen dy forca politike me të njëjtin emër?

“Unë jam kryetar i Partisë Demokristiane dhe në Shqipëri ka vetëm një PDK të ligjshme. Zoti Anton Gurakuqi është proceduar penalisht për falsifikim dokumentesh, vule, nënshkrimesh të anëtarëve të PDK-së dhe përdorim të paligjshëm të emrit dhe të simboleve të partisë. Në fakt, Gurakuqi me një grup të ngushtë njerëzish pranoi të përdorej për të dëmtuar PDK-në, u bë vegël e klaneve të errëta që duan ta mbajnë PDK-në në periferi të politikës. Mori një mision të pamundur mbi vete dhe dështoi. E vetmja gjë që arriti, është një njollë e zezë në emrin e tij. Ai do të mbahet mend si guraziu i Partisë Demokristiane”.

-Ish-kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, pasi vlerësoi punën tuaj me PDK-në, tha se do të bashkojë të gjithë demokristianët, në mënyrë që të dilni bashkë në zgjedhje. Do ta pranoni një ftesë të tillë?

“Demokristianët janë të bashkuar, madje asnjëherë nuk kanë qenë kaq të bashkuar. Zoti Lesi, nëse e ndjen vetën demokristian, mund të kthehet në Partinë Demokristiane dhe të japë kontributin e tij brenda kësaj partie. Askush nuk do ta pengojë, sepse ne jemi një grupim politik me parime kristiane dhe ndërtojmë një politike të hapur, pa mure ndarëse dhe kufij përjashtues”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›