Misteriozja zonja MerkelNga "Wall Street Journal"Si mund ta zhvilloni një fushatë politike, kur rivali juaj politik rastis të jetë partner në koalicionin e tanishëm dhe mundësisht edhe në të ardhmen? Për kancelaren gjermane, Angela Merkel, partia e s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Misteriozja zonja MerkelNga "Wall Street Journal"Si mund ta zhvilloni një fushatë politike, kur rivali juaj politik rastis të jetë partner në koalicionin e tanishëm dhe mundësisht edhe në të ardhmen? Për kancelaren gjermane, Angela Merkel, partia e së cilës - Unioni Kristandemokrat (CDU) - parashikohet të fitojë zgjedhjet e 27 shtatorit, përgjigjja është e qartë: me shumë kujdes.
Zonja Merkel nuk pranon të sulmojë Partinë Socialdemokrate (SDP) - me të cilën ajo është e lidhur në të ashtuquajturin koalicion të madh - ose të afrohet me Partinë Demokratike të Lirë (FDP) pro biznesit, tradicionalisht partnerja e preferuar e CDU. Paaftësia e saj për synuar një qeveri të prirur për reforma me FDP mund ta ndëshkojë Gjermaninë me katër vite të tjera kompromisesh.
Zgjedhjet rajonale të shteteve të dielën - ku partia e saj pësoi humbje të mëdha - duhet të shërbejnë si paralajmërim për zonjën Merkel. Nëse në fund të muajit do të ketë rezultate të tilla, atëherë shpresat për koalicionin CDU-FDP do të marrin fund dhe padyshim që do të përsëritet “koalicioni i madh” i qëndrimit në vend.
Leximi i gabuar i historisë më të fundit mund të shpjegojë drejtimin amorf të zonjës Merkel. Strategjistët e CDU duken të bindur se zonja Merkel nuk mori vota të mjaftueshme për koalicion me FDP në 2005, sepse ajo u perceptua si shumë e vendosur për reforma. E vërtetë, atëkohë CDU bëri fushatë së bashku me FDP, por qëndrimet ekonomike të kancelares nuk ishin dhe aq reformatore. Katër vjet më parë, zonja Merkel nominoi një mbrojtës të taksës së sheshtë si zëvendësministër - por kurrë nuk i zbatoi propozimet e tij. Kur kancelari i atëhershëm, Gerhard Schröder, e sulmoi të zgjedhurin e saj si “antisocial” - fyerja politike ekstreme në Gjermani - zonja Merkel nuk i doli në mbrojtje.
Personalisht kancelarja vazhdon të jetë popullore. Por fushata e saj pa përkushtim vetëm sa i turbullon votuesit dhe nuk rrit votat e partisë së saj. Thuajse 50 për qind e përkrahësve të CDU nuk e dinë se ç’përfaqëson kjo parti, sipas një sondazhi të fundit të Infratest Dimap. Nëse ka shpresë për një koalicion CDU-FDP, kjo është rrjedhojë e faktit se partia pro biznesit po tërheq një numër të paprecedent votuesish, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga ish-përkrahësit e CDU. Megjithatë zonja Merkel nuk pranon të përkrahë qartësisht FDP dhe axhendën e saj pro tregut të lirë.
Nuk është habi pse rriten dyshimet që zonja Merkel ndoshta pëlqen më shumë marrëdhënien e dyshimtë me SDP. Ndoshta ajo kurrë nuk ka qenë një Margaret Thatcher e dytë, si pretendonin mbështetësit e saj. Gjatë katër viteve të fundit ajo e ka kthyer CDU në një kopje të zbehtë të SDP. Zonja Merkel udhëheq koalicionin e madh “me bindje të plotë”, deklaroi ajo së fundi. Madje ajo foli me ngrohtësi për premtimet elektorale të kandidatit të SDP për kancelar, ministrit të Jashtëm të tanishëm, Frank-Walter Steinmeier. Ai dëshiron të krijojë katër milionë vende pune deri në 2020, duke e drejtuar ekonominë kah teknologjia dhe sektorët premtues. Kancelarja është në “përputhje të shumta” me këtë lloj utopie të ekonomisë së planifikuar.
Gjatë katër viteve të fundit ajo është dukur e kënaqur thjesht me kontrollin e disa ideve radikale të SDP - si rritja e taksave për “të pasurit”. Në të njëjtën kohë, qenia e saj në koalicion me SDP e shpëtoi atë nga përgjegjësia e mungesës së qëndrimeve konservatore, politikave të tregut të lirë nën udhëheqjen e saj, duke e mundësuar të pretendonte vlerësim pozitiv, ngaqë kishte frenuar gjëra më të këqija. Nga ana tjetër, në koalicion me FDP zonjushës Merkel do t’i duhet të mbajë qëndrim për diçka. Mes të tjerave, FDP kërkon të zbutë ligjet gjermane të pushimit nga puna dhe të ulë taksat me 35 miliardë euro.
Megjithatë, rreziku i fushatës jopartizane të zonjës Merkel nuk është dhe një katërvjeçar i humbur për të ulur taksat e larta të Gjermanisë dhe tregun e ngarkuar me ligje. Në këtë fushatë të qetë, kancelarja ka patur shumë pak për të thënë në lidhje me një çështje të rëndësishme, projekti i SDP për rehabilitimin e trashëgimtarëve të diktaturës së ish-Gjermanisë Lindore. Premtimet e SDP se do ta mbajë të majtën - e përbërë nga komunistët e Gjermanisë Lindore dhe të majtët e Gjermanisë Perëndimore - jashtë qeverisë, tingëllojnë gjithnjë më të dyshimta. E njëjta tabu dikur ekzistonte për koalicionin me Partinë e Majtë në rajonet e Gjermanisë Perëndimore që tani po anashkalohet. Duke mos pranuar të luftojë për një koalicion të tregut të lirë, zonja Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore komuniste, mund të jetë duke shtruar rrugën për një koalicion të socialdemokratëve me të gjelbrit dhe të majtën.