Berisha forcon linjën familjare në qeveriNga Tema Jashtë kabinetit Genc Ruli, Ridvan Bode, Bujar Nishani, Gazmend Oketa e Fatos Beja. Basha shkon te Mbrojtja, Mediu te Mjedisi, Mima te Financat, Patozi te Ministria e Brendshme, Pollo tek Ar
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha forcon linjën familjare në qeveriNga TemaJashtë kabinetit Genc Ruli, Ridvan Bode, Bujar Nishani, Gazmend Oketa e Fatos Beja. Basha shkon te Mbrojtja, Mediu te Mjedisi, Mima te Financat, Patozi te Ministria e Brendshme, Pollo tek Arsimi. Rikonfirmohen Alibeaj, Gjana, Olldashi dhe Bregu
Pasi është ndarë torta e pushtetit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kryeministri, Sali Berisha, po planifikon se si të ndajë ministritë e tjera mes demokratëve dhe aleatëve të koalicionit të tij.
Mësohet se Lulzim Basha, i cili nuk do jetë më ministër i Jashtëm, për shkak se këtë post do e marrë Ilir Meta, mund të shkojë te Ministria e Mbrojtjes.
Por mësohet se një tjetër lëvizje e rëndësishme do të jetë ajo në Ministrinë e Financave, e cila do të drejtohet nga Florion Mima. Ky i fundit u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës, e deri më tani ka qenë zëvendësministër në këtë ministri.
Ridvan Bode, që ka drejtuar Financat për katër vite, do të ngelet pa post ministror. Shpesh gjatë mandatit që shkoi, Berisha pati përplasje me Boden në lidhje me çështje të ndjeshme si rritja e pagave, shpërblimet e fundvitit apo dhe rritja ekonomike dhe planifikimi i buxhetit.
Në tjetër i zhvendosur për shkak të marrëveshjes me LSI, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, do mbetet pa post ministror.
Në krye të Ministrisë së Brendshme do të vendoset nënkryetari i PD, Astrit Patozi. Ai do të spostojë nga detyra Bujar Nishanin, që shpesh kohëve të fundit nuk ishte në gjendje të kryente detyrën për shkak të problemeve shëndetësore.
Ndërsa republikanët, të cilët nuk do e kenë më Ministrinë e Shëndetësisë, do të marrin në dorë Ministrinë e Mjedisit. Në krye të kësaj ministrie do të vendoset Fatmir Mediu, që rikthehet në këtë mënyrë në kabinetin qeveritar. Kështu në qeveri do vijojnë të jenë dy ministrat që u zhveshën nga imuniteti për t’u hetuar për aferat më të rënda kriminale e korruptive në historinë politike shqiptare.
Në postin e ministrit të Arsimit pritet të rikthehet Genc Pollo, i cili ka shkrirë partinë e tij me atë të Berishës.
PBDNJ, e cila është në aleancë me Partinë Socialiste, do të ngelet jashtë qeverisjes, por një minoritar do të marrë ministrinë e tyre, atë të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Bëhet fjalë për Spiro Kserën, ish-prefekt i Gjirokastrës, që kandidoi për PD në këto zgjedhje.
Përveç Sokol Olldashit, që duket se do të ruajë postin e mëparshëm, edhe Majlinda Bregu do të vijojë të jetë ministre e Integrimit. Në krye të Ministrisë së Drejtësisë do të vijojë të qëndrojë sërish Enkelejd Alibeaj e po ashtu Jemin Gjana do të jetë ministër Bujqësie dhe për mandatin në vijim.
Me shumë gjasë, Ministria e Kulturës mund të shkojë për Partinë për Drejtësi e Integrim, që përfaqëson interesat e komunitetit çam.
LSI nga ana e saj ka përcaktuar tashmë emrat që do drejtojnë dikasteret që ka marrë me marrëveshje nga Berisha. Ilir Meta do marrë edhe postin e zëvendëskryeministrit, edhe atë të ministrit të Jashtëm, Petrit Vasili do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, e cila gjithmonë shkon si plaçkë lufte për aleatët, kurse Dritan Prifti, që parapriu marrëveshjen e paprecedent në Shqipëri, do t’i gëzohet Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, fushë në të cilën ka njohje, por dhe një mal me akuza për abuzime.