E Diel, 1 Nëntor 2026

Kameleonët mediatikëNga Izet ShehuKur marrim penën për të shkruar, patjetër që e kemi një shtysë të brendshme, një synim, një ideal, një ëndërr. Por me vetëdije duam që këto që përmenda më sipër t’i përcjellim te një lexues i ri a i moshuar, te një i

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kameleonët mediatikëNga Izet Shehu

Kur marrim penën për të shkruar, patjetër që e kemi një shtysë të brendshme, një synim, një ideal, një ëndërr. Por me vetëdije duam që këto që përmenda më sipër t’i përcjellim te një lexues i ri a i moshuar, te një i urtë a i sertë, te një engjëll a lugat.

Shkrimtari a publicisti gjërat që i mendon e ndjen i nxjerr nga vetmia e tij e prej andej i përcjell te lexuesi.

Nuk është objekt i këtij shkrimi zgjatja e këtij arsyetimi. Kur shkruan, sidomos publicistikë, njeriu riskon. Këtu, fillesa vetmi, bie më në kontakt me mjedisin politik, ekonomik, kulturor etj.

Kur shkruaj, pa e mohuar karakterin subjektiv, s’marr për nisje gishtin tregues të këtij apo të atij njeriu me grada, ofiqe e poste të rëndësishme në administratën shtetërore.

Kurrën e kurrës. Kam shkruar çfarë kam dashur e si kam dashur, duke qenë besnik i bindjeve e ndjenjave të mia. Edhe kur kam ushtruar ndonjë detyrë modeste, nuk u jam bindur verbërisht udhëzimeve e gishtave tregues të të tjerëve.

Siç e thashë, kam shkruar në vetminë time për të shfryrë shqetësimet e mia dhe të shtresës së cilës tradicionalisht i përkas, dhe për të sqaruar të tjerët, që të më kuptojnë pse jam treguar vetjak në shkrimet e mia.

Jam lexues i rregullt i letërsisë artistike, politike e historike. Lexoj në gazetë ato shkrime që më ngjallin interes. Po kështu në TV shoh emisione që më interesojnë dhe kënaqin shijet e mia estetike.

Këto, për t’i rënë shkurt, përbëjnë thelbin e qëndrimit tim si qytetar i këtij vendi në këtë tranzicion të vështirë.

Kam vënë re se mediet elektronike dhe të shkruara karakterin subjektiv, në lidhje me krahë e individë të caktuar, e kanë shfaqur dukshëm. Jam i mendimit se ky qëndrim s’ka qenë parimor, por pragmatist, sipas interesave komerciale e përfitimeve reciproke. Këtë s’e them unë. Këtë e kanë thënë edhe vetë drejtuesit e medieve, kur u janë prekur interesat për një tender apo për një vend të lakmuar në administratë. Duhen faqe të tëra për ta ilustruar këtë dukuri tejet regresive.

Media është pushteti i katërt. Edhe gazetat partiake duhet ta kenë të ngulitur mirë këtë fakt. Ato duhet të jenë në opozitë me qeveritarët mediokër e abuzues. Unë vetë, edhe kur kam qenë në formacion, i kam shprehur me gojë e me shkrim kundërshtitë. (Shih gazetat RD e “Liria” në ato vite!)

Fjala “kameleon” është përdorur kaq shumë, sa i ka dalë boja. Po, ngaqë s’gjejmë fjalë tjetër më të butë dhe më të përshtatshme, po e përdorim. Kameleonizmi tashmë është bërë mjet jetese. Po këtë kuptim po merr edhe togfjalëshi “vrasës me pagesë” në masmedia. Vërini re se si ky apo ajo, sipas gishtit tregues të atij apo asaj, u bien medieve që rezistojnë për të mos u bërë pre e pushtetarëve. Vini re se si u bien kundërshtarëve të shefave inatçorë dhe me mentalitet komunist. Pse? Për bindje? Për karakter? Për t’i shërbyer luftës kundër komunistëve, që tashmë s’janë mullinj ere, por pushtetarë të fuqishëm? Për të luftuar korrupsionin, plagën e mahisur të shoqërisë? Për të luftuar mafien e ulur këmbëkryq?

Nëse më kundërshton, po marr mundimin të të sqaroj se nuk jam vetëm lexues e shikues i rregullt i medieve, por një reagues ndaj “broçkullave” që kanë vjellë nga goja dinozaurët e politikës së vjetër atavike.

Ndaj ata, që u shërbejnë mbeturinave bizantine e na mbajnë peng, e kanë pak që t’i etiketojmë me togfjalëshin “vrasës me pagesë”. Njeriu që merr penën për të shkruar duhet të nxjerrë në pah dukuritë negative të qeverisjes, për ta bërë më të mirë jetën e popullit dhe jo për t’i thurur hosanara pushtetarëve të paaftë dhe abuzues. Nëse dikush nën zë më thotë se e bëj këtë i detyruar për të mbijetuar, për fëmijët etj., i them hapur e me kurajë qytetare: shko e shit banane! Të gjithë kemi fëmijë.

Të gjithë kemi halle, por “lëkurëshitur si ju” e “vrasës me pagesë si ju” nuk bëhemi kurrë.

Shoqëria demokratike s’ka nevojë për shërbëtorë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›