E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Referencat janë abuzuese

Çmimi i shitjes së zhavorrit në treg për metër kub është 400 lekë, kurse nga tatimet është përcaktuar si çmim reference 850 lekë/m3

Çmimet e shitjes së apartamenteve për këtë vit do të shënojnë rritje të ndjeshme. Shkaku janë çmimet e referencës të përcaktuara nga administrata tatimore për ndërtuesit në të gjithë vendin. Këta të fundit i kanë kundërshtuar çmimet e referencës, duke i cilësuar ato arbitrare. Zëvendëskryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija, ka shpjeguar për gazetën “Korrieri”, se çmimet e përgatitura nga administrata tatimore nuk janë në përputhje me tregun. Hebovija ka shpjeguar se është e pamundur të vendosen çmime reference, pasi në sektorin e ndërtimit çmimet janë aq dinamike, sa për të njëjtën cilësi të mallit ato ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu, edhe cilësia pastaj është ajo e të njëjtit lloj malli; është e larmishme dhe ndryshon në vartësi të prodhuesve apo të tregjeve nga vijnë. “Praktika e referencave unifikuese është abuzive dhe deformon ekonominë e tregut të lirë, duke e çuar atë drejt një centralizimi absurd”, shprehet Hebovija. Por përveç cenimit të ekonomisë së lirë, çmimet e referencës nuk pasqyrojnë aspak çmimet reale të tregut. Konstatimi paraqitet nga drejtuesit e shoqatës, të cilët shprehen se çmimet që kërkon të përdorë qeveria janë tri herë më të larta. “Nga ana tjetër, edhe kjo përpjekje që është bërë ka të meta të shumta, për shkak se nuk ka marrë parasysh nivelin e çmimeve nga njëri rreth në tjetrin dhe diferenca reale në treg me çmimet referenciale unifikuese të vendosura nga tatimet, janë tepër të mëdha në disa raste edhe sa trefishi i çmimit real”, shpjegon Hebovija. Duke iu referuar çmimeve të referencës së shpallur nga tatimet, konstatohet se çmimi real i shitjes së zhavorrit është 2 herë më pak nga ai që kanë përcaktuar tatimet. Konkretisht, çmimi i shitjes me shumicë të zhavorrit me metër kub është 400 lekë, kurse nga tatimet është përcaktuar si çmim reference 850 lekë/m3. Po ashtu, shitja e zhavorrit me pakicë në rrethe është 200 lekë/m3, ndërkohë që nga tatimet është përcaktuar si çmim reference 1000 lekë/m3. Diferencat e çmimeve reale dhe atyre të përcaktuara janë mjaft drastike për rrethet. Ndërtuesit sjellin rastet e çmimit të shitjes së betonit, ku për qytetin e Vlorës është 5800-5900 lekë/m3, ndërkohë që tatimet do të paguhen për çmim reference në masën 6832 lekë/m3. Pra, ky mosrakordim i çmimeve reale me ato që kanë përcaktuar tatimorët konstatohet në të gjitha llojet e materialeve të ndërtimit. Situata shfaqet akoma më problematike me faktin, që çmimet e referencës nuk kanë kategorizim. Tatimorët i kanë miratuar ato të njëjta për të gjithë qytetet, ndërkohë që çmimet e ndërtimit nuk ecin në vijë paralele. Mënyra e përcaktimit të çmimeve të referencës e kthen akoma më abuzues zbatimin e tij. Ndërtuesit shpjegojnë që kjo jo vetëm që është e gabuar, por dhe pa kuptim. “Në kushtet e sotme, praktikisht një gjë e tillë është totalisht e pamundur për zbatim. Kjo, pasi nivelet e çmimeve janë nga më të ndryshmet dhe në çdo moment mbi to veprojnë shumë faktorë, si konkurrenca, klientela, ekskluziviteti, sasia e kërkuar, cilësia e ofruar etj.”, shpjegon nënkryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Xhavit Çurri, duke shtuar se normativat e harxhimit të materialeve janë të ndryshme dhe ato varen nga shumë faktorë. Pra, Shoqata e Ndërtuesve i cilëson çmimet e referencës shkelje flagrante, që bien në kundërshtim edhe me Kushtetutën e vendit, e cila në mënyrë eksplicite ka përcaktuar se askush, përveçse me ligj, nuk mund të kërkojë pagimin e tatimeve dhe të taksave. Pra, politika fiskale që po ndjek qeveria dhe mungesa e lejeve të ndërtimit gjatë vitit, fakt që bëhet i qartë dhe nga BSH-ja, ku në sektorin e ndërtimit regjistrohet një rënie vjetore në vëllimin e ndërtimeve të reja prej 19 për qindësh, janë faktorë të cilët do të sjellin detyrimisht çmime të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›