E Diel, 1 Nëntor 2026

Vitor Sa, rivali botëror i Qatos më 4 prill

34-vjeçari është shpallur kampion i Portugalisë për 7 vite radhazi, 1998-2004, kur ka fituar gjithashtu edhe Kupën e Portugalisë. Një tjetër sukses ishte ai i kampionit iberik

ASNN - Është publikuar edhe kundërshtari i Kreshnik Qatos për sfidën e dyfishtë të fillimit të prillit dhe ai do të jetë portugezi Vitor Manuel Ferreira de Sá. Më 4 prill 2008, Qato, i cili banon dhe stërvitet në Britaninë e Madhe, do të zhvillojë një duel me vlerë të dyfishtë, pasi vlen për Titullin Mesdhetar të Federatës WBC, si dhe për Titullin e Kampionit të Botës në version WBF. Ky duel i Qatos me kundërshtarin portugez, që është përcaktuar me short, do të jetë i vlefshëm për peshën e mesme. Boksieri portugez, i njohur shkurt si Vitor Sá, ka lindur në kryeqytetin e vendit, Lisbonë, më 13 mars 1973 dhe numëron në karrierën e tij mbi 50 ndeshje, por vetëm 16 prej ai i ka zhvilluar si boksier profesionist. Në këto 16 ndeshje, ai ka korrur 13 fitore dhe është mundur në 3 të tjerat. 34-vjeçari është shpallur kampion i Portugalisë për 7 vite radhazi, nga viti 1998 deri më 2004, kur ka fituar gjithashtu edhe Kupën e Portugalisë në boks. Një tjetër sukses i tij ishte ai i kampionit iberik, i arritur në 2005-ën, përpara se të shndërrohej në boksier profesionist. Vitor Sá, i cili renditet i 135-ti në botë, midis 955 boksierëve të peshës së mesme, është 1 metër e 72 centimetra i gjatë dhe peshon 72 kg. Ndeshja e 4 prillit 2008 do të zhvillohet në Tiranë, në orën 20:00 dhe do të përcillet drejtpërsëdrejti nga Televizioni Publik Shqiptar. WBC renditet si federata më e mirë në sportin e boksit dhe qendrën e ka në Meksikë. Kohët e fundit ajo ka themeluar edhe një titull të ri, të quajtur “WBC Mesdhetar”, që përfaqëson rreth 22 shtete, ndër të cilët edhe Shqipëria. Ky është një titull që do t'i japë Shqipërisë shansin e madh për të qenë realisht pjesë e familjes së madhe të boksit, në federatën WBC. Përveç kësaj, ky është një titull i cili ka rëndësi të madhe në ngjitjen e shkallëve në renditjen botërore nga ana e Qatos. Kurse WBF është themeluar në Australi dhe ka të drejta ligjore për të operuar dhe zhvilluar ndeshje për kampion bote në Amerikë, Evropë, Azi dhe Afrikë. Rreth 300 ndeshje për kampion bote janë organizuar nën logon e WBF që nga viti 1990. Deri më sot ky titull ka udhëtuar në Australi, Austri, Belgjikë, Brazil, Kanada, Kroaci, Danimarkë, Angli, Ishujt Fixhi, Francë, Gjermani, Ganë, Hungari, Indonezi, Izrael, Holandë, Kaledonian e Re, Zelandën e Re, Nigeri, Porto Riko, Filipine, Poloni, Skoci, Singapor, Afrikë të Jugut, Tajvan, Tailandë, Ukrainë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së shpejti, edhe në Shqipëri. Disa nga emrat e mëdhenj të boksit, që e kanë mbajtur këtë titull, janë amerikani Fransua Botha, anglezi Odli Herrison në peshën super të rëndë. Antonio Tarver, i cili renditet tek 10 boksierët më të mirë në peshën gjysmë të rëndë, apo Roi Xhons, i cili është edhe idhulli i Kreshnik Qatos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›