E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenët, të vendosur: Në Tiranë për fitore

Pas fitores ndaj Qipros, përfaqësuesja e Sllovenisë do të udhëtojë drejt Tiranës, e motivuar. Sllovenët kërkojnë tri pikë ndaj Shqipërisë, të martën mbrëma, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Botërorin ‘Brazili 2014’.

Sllovenia do të udhëtojë drejt Shqipërisë për fitore, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet për Botërorin ‘Brazili 2014’, që do të zhvillohet të martën në stadiumin ‘Qemal Stafa’ të Tiranës. Fitorja ndaj Qipros me rezultat 2:1, të premten që shkoi, e para për ta në këto eliminatore, i ka motivuar lojtarët e këtij vendi, që i duan tri pikë të tjera ndaj Kuqezinjve, për t’i shtuar gjasat për kualifikim në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit.

Përkundër humbjes së papritur të Kuqezinjve nga Islanda, portieri slloven, njëherësh kapiteni Samir Handanovic beson se sllovenët nuk do të kalojnë lehtë në ‘Qemal Stafa’, megjithatë pret fitore.

“Në Shqipëri do të jetë shumë më vështirë sesa ndaj Qipros. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për këtë. Në Tiranë është e nevojshme të fitojmë. Në të kundërtën, Brazili do të ishte më larg për ne. Na mungon paksa eksperienca, sepse në skuadrat me përvojë nuk i bëjnë gabimet sikur tonat”, deklaroi portieri i Interit, i cili ndihet i kënaqur me fitoren 2:1 ndaj Qipros, të shënuar të premten, e para në këto kualifikime për ekipin e Matjaz Kekut.

Edhe Zlatko Dedic ka kërkuar fitore ndaj ekipit të Gianni De Biasit, për të shpresuar ende në kualifikim. “Të martën duhet të fitojmë. Nëse në Shqipëri marrim tri pikë, do të jetë gjithçka ndryshe. Kemi nevojë t’i evitojmë gabimet e bëra ndaj Qipros dhe të fitojmë. Ne e dimë se ku kemi gabuar. Besojmë se jemi në gjendje t’i kapim të tri pikët. Shqiptarët janë në gjendje të keqe, por ky është problem i tyre. Nëse i mposhtim, kemi mundësi të mira”, deklaroi futbollisti i Bochumit.

Kurse, futbollisti Josip Ilicic kërkon nga shokët e skuadrës që ndaj shqiptarëve ta përsërisin ndeshjen që e shfaqën me Qipron, për t’i rrëmbyer tri pikët e radhës. “Është e rëndësishme që pas fitores ndaj Qipros, në Shqipëri të udhëtojmë me motiv shtesë. Shpresojmë për më të mirën, për ta marrë një fitore në Tiranë. Pas dy humbjeve të para, kemi nevojë për më shumë pikë, duhet ta shfrytëzojmë çdo mundësi”, tha ia.

Ndërkaq, Bojan Jokic e di se sllovenët i pret një atmosferë e zjarrtë në Tiranë, por shton se kjo nuk do ta pengojë atë me shokë që ta kërkojnë fitoren atje. “Këtë herë, kemi nevojë të luajmë pa gabime. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, sepse në Shqipëri na pret një atmosferë e nxehtë. Nëse s’gaboj, në atë stadium do ta zhvillojnë ndeshjen e fundit. Stadiumi do të jetë i mbushur, pro jemi të bindur se shqiptarët do t’i mposhtim. Thjesht kemi nevojë për fitore, nuk kemi vend më për pardon. Nëse fitojmë në Tiranë, do të jemi në një pozitë shumë më të mirë”, tha Jokic.

Shqipëria ende e ëndërron ‘Brazilin 2014’

Kombëtarja e Shqipërisë ëndërron ende të kualifikohet në Botërorin ‘Brazili 2014’. Por, për ta vazhduar këtë ëndërr, Kuqezinjtë duhet ta mposhtin Slloveninë, pas humbjes së papritur nga Qiproja.

“Janë edhe shumë pikë të tjera për t’u fituar. Grupi do të jetë i ekuilibruar deri në fund. Kishim si synim që në këto dy ndeshje të merrnim katër ose gjashtë pikë, tani do të na duhet të luftojmë për tri. Fanella e Kombëtares është e rëndë, kush e vesh atë, mban përgjegjësi të madhe para njerëzve, të cilët duan fitore. Nëse vazhdojmë të luajmë me zemër dhe duke hequr dy-tri gabime, mendoj se mund të bëjmë gjëra të mira”, ka deklaruar kosovari për mediet shqiptare.

Ndërkohë, mediet shqiptare njoftojnë se fusha e stadiumit ‘Qemal Stafa’ në Tiranë, e cila u rëndua gjatë ndeshjes Shqipëri – Islandë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, tani është në gjendje më të mirë dhe e gatshme për lojë. Kjo ndeshje zhvillohet të martën mbrëma, me fillim në ora 20:45.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›