E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho s’i shkon Barcelonës

Pas ngacmimeve nga kampi i Real Madridit, ka ardhur përgjigja e Barcelonës. Mesfushori Xavi ka thënë se trajneri i Los Blancos, Jose Mourinho dhe taktika e tij nuk do të përshtateshin te gjiganti katalan. Ai po ashtu mendon se portugezi nuk do të hyjë në histori. Xavi refuzon dyshimet se Lionel Messi komandon ekipin dhe theksoi se argjentinasi është më argëtues se Cristiano Ronaldo.

Mjaftoi vetëm një El Clasico në stinorin e ri për të ndezur rivalitetin mes Barcelonës dhe Realit Madridit. Një javë pas sfidës së “Camp Nou”, polemikat në adresën Barcelonë-Madrid janë bërë të zakonshme, dhe pas thumbimeve në Mourinhos për Messin dhe katalanasit, vijnë tashmë kundërpërgjigjet nga kampi Blaugrana ndaj trajnerit të Los Blancos, që këtë herë kanë për protagonist, Xavi Hernandez.

Mesfushori i Barcës, në një intervistë për mediat katalanase, ka folur për pozicionin e Messit brenda dhomave të zhveshjes, për marrëdhëniet me trajnerin Vilanova dhe për ironinë e Jose Mourinhos. “Në skuadrën e Barcelonës, nuk është Messi që komandon, përkundrazi ai është personi më i qetë dhe më i komunikueshëm. Messi është një njeri i jashtëzakonshëm. Për mua, ai është më i miri në historinë e futbollit.

Ai është shumë i thjeshtë kur luan, dhe krahasuar me Ronaldon, është shumë më tepër argëtues”, deklaroi Xavi. Një përgjigje e shkurtë dhe e qartë për teknikun e madrilenëve, por dhe për ish-sulmuesin Zlatan Ibrahimovic, që kishin aluduar se është argjentinasi ai që bën ligjin në dhomat e zhveshjes së katalanasve. Por mesfushori nuk ndalet me kaq dhe thumbon Mourinhon për lojën që ai aplikon te Reali duke theksuar se filozofia e futbollit të tij nuk do ta bëjë kurrë më të mirin në botë. “Mourinho me lojën e tij nuk do të përshtatej te Barcelona.

Kam simpati për të, sepse ka punuar këtu tri vjet si asistent, por futbolli i tij nuk është ai që kërkohet te katalanasit. Ai aplikon një futboll spekulativ dhe për këtë arsye nuk do të arrijë të jetë kurrë pjesë e historisë”, theksoi reprezentuesi spanjoll. Xavi krahasoi dhe Tito Vilanovën me Guardiolën, duke pranuar se kanë pak diferenca mes tyre dhe pse Pep mbetet i veçantë për të. “Nuk dua t’i heq asnjë meritë Titos, por Guardiolës i detyrohem shumë, sepse më ka përmirësuar në planin futbollistik.

Sigurisht që Vilanova dhe Pep kanë pak ndryshime me njëri-tjetrin. Në aspektin taktik, janë pothuajse të ngjashëm, vetëm se Guardiola ishte më i afërt në stërvitje, ndërsa Tito ruan më shumë distancë, por gjithsesi arrin të transmetojë shumë mirë idetë e tij në këtë mënyrë”. Xavi aktualisht gjendet i grumbulluar me Kombëtaren spanjolle, e cila të martën do të luajë me Francën për eliminatoret e Brazilit 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›