E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isaku:Zgjedhjet,kulmi i përkeqësimit të situatës politike

Publicisti Agim Isaku, i ftuar në Ora News deklaroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë kulmi i përkeqësimit të situatës politike."Deputetët do të jenë të caktuar nga kryetari dhe do të jenë thjesht ushtarë. Në parlamentin e ardhshëm do kemi një dhomë tregtie dhe një komisariat policie, asgjë më tepër". Lidhur me atë çka ka bërë mirë apo keq, partitë politike, në pritje të zgjedhjeve, Agim Isaku u shpreh se "Partitë na japin dy fasada, njëra që na tregon sa e shqetësuar është politika për problemet e shqipatrëve. Dhe ka një një plan të dytë, që është fushata reale, momenti i blerjes dhe i korruptimit për zgjedhjet. Po ashtu edhe aftësia për të manipuluar votat", tha Isaku. Sipas publicistit, me përjashtim të partisë së LSI- së e Polit të Lirisë partitë e tjera janë të pavërteta,janë thjesht për të mbushur një boshllëk që u leverdis atyre. "Në zgjedhjet e ardhshme nuk do kemi funksionim të partive të vogla, por thjesht nënshtrim të partive të vogla ndaj partive të mëdha", theksoi Isaku. Sipas publicistit shumë zhvillime në Shqipëri nuk vijnë nga mosdija, por për hir të mbërthimit në afera korruptive momentalisht duket sikur nuk i dinë. "Klasa politike e di çdo të thotë një ministër i paaftë, çdo të thotë një ministër i keq, i di këto gjëra po shtiret sikur nuk i di", shtoi ai.Lidhur me rolin e medias në zgjedhjet e ardhshme, Isaku deklaroi se "Përveç disa televizioneve si televizioni Ora News ku mund të shohësh forume të ndyshme që shprehin mendimet e tyre të lirë, partitë do përpiqen të kontrollojnë televizionet.Partitë nuk e kuptojnë se debati në median e pavarur është pasqyra që shohin veten e tyre. Partitë mund të fshehin një lajm, por jo të vërtetën", shpjegoi ai. Në lidhje me konfliktin mes Akademisë "Marubi" dhe policisë, publicisti vlerësoi se shteti nuk po ndjek rrugën e duhur në konfliktin me Akademinë Marubi. "Shteti shqiptar ka një trashëgimi komuniste. Nuk i jep të drejtë infdividit sepse ende nuk e ka kuptuar se është në shërbim të individit', tha Isaku. Lidhur me raportet kulturë-shtet, Isaku u shpreh se është vonë që të hapet një debat për raportet e shtetit më artin dhe kulturën. "Shteti urgjentisht duhet të rishikojë qëndrimet e veta ndaj artit dhe kulturës. Një debat është i nevojshëm dhe i domosdoshëm", tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›