Slloveni, gjykata pranon paktin me Kroacinë
Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë miratoi sot një marrëveshje arbitrazhi për kufijtë mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Sipas gjykatës, ajo është në përputhje me kushtetutën sllovene. Marrëveshja e arbitrazhit është nënshkruar nga Kryeministrja kroate Jadranka Kosor dhe Kryeministri slloven Borut Pahor në muajin nëntor në Stokholm, me ndihmën e presidencës suedeze të BE-së. Marrëveshja e ratifikuar tashmë nga parlamenti kroat, dhe që tani duhet të ratifikohet edhe nga parlamenti slloven, pritet t'i hapë rrugën Kroacisë për afrim me BE-në. Paqartësitë rreth kufirit mes dy ish republikave jugosllave përbënin një prej pengesave kryesore të Kroacisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë ka vendosur pozitivisht lidhur me marrëveshjen kufitare me Kroacinë, duke ndihmuar kështu në largimin e pengesës kryesore për Zagrebin në bisedimet për pranim në Bashkimin Europian.
Mospajtimet për kufirin ndërmjet dy ish republikave jugosllave e kishin bllokuar synimin e Koracisë për integrim në BE, gjatë gjithë vitit të kaluar. Marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Kroacisë.