Sllovenia Shqiperia duhet te marre kete vit statusin kandidat
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Slloveni, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u prit në një takim nga kryeministri Janez Jansa, të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen konstante dhe avokatinë e fortë që Sllovenia vazhdon t’i japë Shqipërisë. “Shqiptarët mbeten europianistë të vendosur. Ne ju drejtohemi ju si vende që për histori të përbashkët të rajonit, na kuptoni më mirë dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj për statusin e vendit kandidat por dhe në vijimin e etapave të tjera të procesit integrues” u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Kryeministri slloven tha se është koha që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat si një hap konkret përpara në integrim në BE dhe të vijojë me hapjen e negociatave. “Unë sot nisem për Gjermani dhe do të flas me kancelaren gjermane për progresin e bërë nga ana juaj. Shpresoj edhe vendet e tjera të BE-së të jenë të një mendimi. Shqipëria është një vend në NATO, me një rol konstruktiv dhe ndikues në rajon. Brukseli duhet të ketë një politikë merite për ato vende që nuk krijojnë probleme - u shpreh kryeministri Jansa. Në takimin me presidentin Danilo Turk, Topalli tha se Shqipëria është e vendosur të punojë fortë për të përmbushur aspiratën evropiane të shqiptarëve dhe në këtë aspekt Parlamenti, që ka një rol thelbësor në procesin e integrimit, ka miratuar ligje të rëndësishme në përmbushje të kritereve të vendosura nga KE, ndërsa janë drejt finalizimit reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Kryeparlamentarja Topalli zhvilloi një takim edhe me Ministrni e Jashtëm slloven, Karl Erjavec, i cili bëri të ditur se në krye të axhendës së diplomacisë së Sllovenisë është zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një aspekt i rëndësishëm i bisedës midis dy personaliteteve ishte diplomacia ekonomike ku ministri slloven Erjavec tha se Shqipëria përbën sot një model me ekonomi pozitive dhe një klimë miqësore dhe tërheqëse për biznesin.