Sllovenia kërkon vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Ndërkohë që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikave të kalimit, serbët e rebeluar vazhdojnë të mbajnë barrikadat në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së institucioneve vendore edhe në këtë pjesë të vendit.
Situata në Kosovë, e sidomos ajo në veri sipas numrit një të diplomacisë sllovene është mjaft komplekse, ndërkohë që ai ka kërkuar vazhdimin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet palëve në këtë proces.
“Situata në Kosovë është komplekse, sidomos në veri. Mendoj se është sfidë e madhe para vetë Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për të arritur integrimin e gjithë Kosovës. Mendoj se shumë gjëra duhet të bëhen nga të gjitha palët për të arritur këtë. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Duhet të vazhdohet me dialogun dhe me arritjen e marrëveshjeve dhe gjatë dialogut të bëhet implementimi i marrëveshjeve. Dialogu duhet të vazhdojë me të njëjtin intensitet sikur në javët e fundit dhe atëherë mendoj se mund të shihen disa rezultate në një të ardhme të afërt, të cilat do të jenë për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Zhbogar.
Ndryshe, Serbia nuk ka marrë statusin e kandidatit për BE-në dhe një vendim i tillë është shtyrë për muajin mars. Këshilli Evropian ka kushtëzuar Serbinë me normalizimin e raporteve me Kosovën.