Sllovenia mbështet kursin e integrimit Evropian të Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim, ambasadorin e Sllovenisë në Shqipëri Bojan Bertoncelj, me rastin e marrjes së detyrës. Pasi i uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t`i përcjellë Kryeministrit Pahor, përshëndetjet më të përzemërta.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mirë mes dy vendeve si në planin dypalësh, ashtu edhe në bashkëpunimin si aleatë të NATO-s, por edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri Berisha falenderoi ambasadorin Bertoncelj për mbështetjen e fuqishme që Sllovenia i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe, në veçanti, për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, por edhe për kontributin që Sllovenia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, po jep përmes procesit të Brdo-s, në konsolidimin e mirëkuptimit e bashkëpunimit në rajon. Ambasadori Bertoncelj i konfirmoi Kryeministrit Berisha, mbështetjen e plotë të Sllovenisë në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy palëve për të zgjeruar e thelluar më tej bashkëpunimin në fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushen ekonomike e tregtare, në atë të turizmit dhe nxitjes së investitorëve sllovenë, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë treguar interes të madh për potencialet e rëndësishme që ofron vendi si edhe për klimën tepër të favorshme për biznesin dhe investime në Shqipëri.