E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia, ne Shkoder 4 dite para ndeshjes se 24 marst

Është përcaktuar më në fund vendi se ku do të qëndrojë kombëtarja e Sllovenisë për të zhvilluar përgatitjet e saj për ndeshjen e 24 marsit kundër Shqipërisë. Pasi u informuan përpara disa javësh nga FSHF-ja se takimi eliminator do të luhej në stadiumin e Shkodrës, "Loro Borici" miqtë nga Sllovenia menduan që ta zhvillonin fazën përgatitore në Mal të Zi dhe të vinin një ditë përpara ndeshjes në qytetin verior, por pasi e kanë menduar mirë këtë cështje, sllovenët kanë vendosur që të akomodohen përfundimisht në Shkodër. Miqtë do të vijnë katër ditë përpara sfidës kundër kuqezinjve në vendin tonë dhe do të akomodohen në hotel "Grand" në Shkodër. Seancat stërvitore Sllovenia do t'i zhvillojë në stadiumin "Loro Borici". Një lajm të tillë e bën të ditur shefi i Ekipeve Kombëtare në Federatë, Besnik Cela. "Sllovenia do të vijë katër ditë përpara ndeshjes së 24 marsit në vendin tonë dhe do të akomodohet në hotel "Grand" në Shkodër ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore në këtë qytet. Ne jemi duke punuar për një organizim sa më të mirë të takimit që është shumë i rëndësishëm për ecurinë e kuqezinjve" deklaroi Cela. Ndërkohë që sfidën tepër të rëndësishme si për kombëtaren tonë ashtu edhe për kundërshtarët pritet që përvec tifozëve të shumtë kuqezinj ta ndjekin edhe rreth 100 tifozë sllovenë, të cilët do të jenë të pranishëm më 24 mars në mitikun e Shkodrës. Fedetrata mike ka lajmëruar institucionin tonë të futbollit për numrin e tifozëve sllovenë që do të ndjekin ndeshjen për t'i bërë të ditur kësaj që të ruajë biletat për ata sportëdashës. Gjithashtu drejtuesit e Federatës bëjnë të ditur se do të vijnë edhe rreth 20 gazetarë nga Sllovenia, të cilët do të ndjekin dhe pasqyrojnë takimin e përfaqësueses së tyre të futbollit. Ndeshja do të luhet më 24 mars në orën 17:00 dhe do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh nga Malta.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›