E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Miha: “Shkëndija, gati për Sileksin”

Nga Vullnet DAUTI

Tetovë - Skuadra e Shkëndijës është duke u stërvitur me intensitet të plotë në Tetovë, pasi që këtë javë do të fillojë stinori në Ligën e Parë të Maqedonisë. Futbollistët "kuqezi", do të ndeshen kundër skuadrës së Sileksit nga Kratova. Kryetrajneri i Shkëndija‘79, Edmond Miha iu është qasur punës me futbollistët për tu përgatitur maksimalisht për vazhdimin e edicionit pranveror. "Kam planifikuar nga një seancë stërvitore për të hënën dhe të martën. Jemi duke punuar në drejtimin taktik dhe psikologjik, për ndeshjen e parë", tha Miha. Ai thotë tani më e ka të qartë formacionin bazë, me të cilët do të mbështetet në ndeshjet kampinale. "E kam të qartë se kush do të jetë njëmbëdhjetëshi i parë në ndeshjen me Sileksin e Kratovës. Mund të ketë ndryshime të vogla në mesfushë dhe në mbrojtje, por këto ndryshime nuk do ta prishin konceptin tim", vijoi timonieri i Shkëndijës. Edmond Miha është optimist sa i përket takimit me kratovasit dhe optimizmin e tij do ta vërtetojnë futbollistët në fushën e lojës. Ndryshe, sipas buletinit shëndetësor tani për tani asnjë futbollist kuqezi nuk ankohet në lëndime, prandaj stafi teknik ka të drejtë të pres me optimizëm përballjen me Sileksin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›