E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çela: Ja te gjitha detajet e anti-Sllovenise

Federata Shqiptare e Futbollit dhe stafi teknik i kombëtares kuqezi me në krye trajnerin Oto Baric kanë filluar përgatitjet intensive për ndeshjen e 24 marsit kundër Sllovenisë, takim shumë i rëndësishëm përsa i përket ecurisë së përfaqësueses tonë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. I gjithë stafi i kroatit i ka marrë tashmë detyrat dhe është duke punuar për sfidën kundër sllovenëve dhe atë kundër Bullgarisë katër ditë më vonë. Kryepankina shqiptare ndjek cdo javë futbollistët e kombëtares nëpër klubet europiane ku ata luajnë dhe këtë e bën qoftë duke shkuar vetë në ndonjë stadium qoftë nëpërmjet televizorit. Gjithashtu Baric ka siguruar të gjitha kasetat filmike të ndeshjeve të mëparshme të kundërshtarit të 24 marsit dhe sipas drejtuesve të FSHF-së është duke i studiuar me shumë imtësi. Tekniku 74-vjecar do të vijë më datë 18 mars në vendin tonë, ditë kur do të nisë edhe grumbullimi i kuqezinjve për dy ndeshjet eliminatore të fund marsit. Dy zëvendësit e kroatit, Zlatko Kovacic dhe Shpëtim Duro ndjekin lojtarët pothuajse javë për javë dhe shikojnë formën e tyre. Kovacic shkon nëpër vende të ndryshme të Europës ku luajnë futbollistët shqiptarë. Përpara një jave ai pa nga afër sulmuesin e Riedit, Hamdi Salihi, ndërkohë që këto ditë do të asistojë në një prej ndeshjeve të sulmuesit Migen Memelli. Zëvendësi tjetër, Duro mbikqyr futbollistët e kampionatit shqiptar dhe mban në korent Baric për formën e tyre. Aspekti teknik është shumë i rëndësishëm për përfaqësuesen, por edhe ana organizative e ndeshjes nuk mbetet mbrapa duke qenë se takimi luhet në stadiumin e Shkodrës, "Loro Borici" dhe duhet një punë e madhe për të bërë të mundur që gjithcka të shkojë sa më mirë. Me anën organizative të takimit meret shefi i Ekipeve Kombëtare në Federatë, Besnik Cela, i cili sqaron të gjitha masat që janë marrë për këtë ndeshje. "Grumbullimi i përfaqësueses për tu përgatitur për dy ndeshjet eliminatore të fund marsit do të nisë më 18 mars. Ekipi do të grumbullohet në hotel "Adriatik" në Durrës dhe seancat stërvitore do t'i zhvillojë ose në stadiumin e Shijakut ose në atë të Durrësit pasi ky detaj ende nuk është zyrtarizuar plotësisht. Një ditë përpara ndeshjes kundër Sllovenisë, kombëtarja do të niset drejt Shkodrës ku do të akomodohet në hotel "Koloseu" për të pritur më pas sfidën që është tepër e rëndësishme për ecurinë e kuqezinjve në këto eliminatore. Përsa i përket ekipit kundërshtar mund të them se do të vijë katër ditë përpara ndeshjes dhe do të akomodohet në hotel "Grand" në Shkodër" deklaron shefi i Ekipeve Kombëtare, Cela. Ndërkohë që takimi do të luhet në orën 17:00 dhe një ditë më pas ekipi do të niset për në Bullgari ku do të zhvillojë ndeshjen e radhës kundër vendasve më 28 mars.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›