Ndroqi: Ndeshja e Qatos, veprimtaria 200-milionëshe

Albania-Sport - Zyra e tij ngjan si një shtab operativ i një beteje, me njerëz që hyjnë dhe dalin, që diskutojnë, shkëmbejnë mendime dhe marrin miratimin e tij. Në fakt, ndërkohë që kalojnë orët, edhe më intensive bëhet puna dhe përgatitjet e z. Ylli Ndroqi dhe e stafit të tij te Yldon Sh.p.k., në vigjilje të mega-evenimentit të boksit, më 3 mars 2007, kur Kreshnik Qato do të ndeshet me rusin Aleksandër Zajcev, për titullin e kampionit ekstakomunitar të Evropës të peshës super të mesme. "Tanimë po përvijohet gjithcka, deri në detajet më të imëta, - rrëfen promotori i Qatos, Ndroqi, teksa i hedh një sy planimetrisë së Pallatit të Sportit dhe mënyrës së vendosjes së të ftuarve, medias dhe spektatorëve.
- Me afrimin e ditës së ndeshjes, ne po marrim të gjitha masat që e gjithë kjo veprimtari të shkojë sa më mirë. Të gjitha gjërat tashmë janë në vendin e vet dhe ne po i japim dorën e fundit, në bashkëpunim natyrisht edhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Drejtorinë e "Qendrave Sportive" Sh.a. dhe sponsorët e këtij evenimenti." Ndroqi pohon se kostoja e gjithë këtij evenimenti shkon përtej kufinjve të 200 milionë lekëve të vjetra, cka e bën atë të rrallë në llojin e vet në Shqipëri. "Por, duke patur parasysh se bëhet fjalë për një veprimtari që shkon përtej përmasave të një sporti dhe ka të bëjë me ngritjen lart të prestigjit dhe emrit të Shqipërisë, unë do të thoja se ia vlen barra qiranë e gjithë kjo", - shton ai.
Biletat, vijon shitja me ritme të kënaqshme
"Në fakt, - pohon z. Ndroqi, - nuk e kishim parashikuar të kishim një reagim të tillë përsa i përket shitjes së biletave, pasi numri i biletave të shitura ka arritur nivele të kënaqshme dhe vazhdon të ecë me të tilla ritme." Ndroqi sqaron se cmimet e biletave, sikundër ishte premtuar, do të nisin nga 1,000 lekë të reja në 1,500 lekë të reja për dy tribunat kryesore të Pallatit të Sportit "Asllan Rusi", ndërsa për vendet që janë më pranë ringut, apo zona "VIP", sic mund të quhet ndryshe, cmimet shkojnë në 2,000 lekë. Gjithsesi, duke gjykuar nga ritmi i shitjeve, promotori i Qatos pret që brenda të enjtes, të jenë shitur pjesa e mbetur e biletave.
Publiciteti, i denjë për një eveniment të tillë
Një aspekt që të bën përshtypje në përgatitjet për këtë eveniment, është edhe ai i publicitetit, i cili ka qenë mbresëlënës. Përvec artikujve të ndryshëm në media, konferencave për shtyp apo mënyrave të tjera, ndeshja e 3 marsit është reklamuar gjerësisht edhe nëpërmjet posterave të mëdhenj. Natyrisht që askush nuk ka shpëtuar pa i rënë në sy reklamat në makinat lëvizëse, apo në posterat e tabelave të trotuareve, apo të stacioneve të autobusit. Kjo ka bërë që ky eveniment të shijojë një ekspozim mjaft të gjerë dhe ndaj të gjitha shtresave të popullsisë, sidomos në kryeqytet, ku edhe do të zhvillohet ky eveniment. Biletat mund të gjenden pranë Pallatit të Sportit "Asllan Rusi", te sporteli te Poliklinika Qendore, si dhe te pika e shitjes së gazetave te ish-Shkolla Pedagogjike.
Skeda e ndeshjes:
Titulli Vakant i Peshës Super të Mesme
Kreshnik QATO (Shqipëri/Britani e Madhe) - Aleksandër ZAICEV (Rusi)
Datë: 3 mars 2007
Vendi: Tirana (Shqipëri)
Promotor: Ylli Ndroqi (Yldon Sh.p.k.)
Gjyqtar në ring: Adrio Zannoni (I)
Gjyqtarë të dytë: Predrag Aleksic (Mali i Zi) - Zhan Xhiakomantonio (Luksemburg)
Supervizor: Rinze Van der Meer