E Shtunë, 31 Tetor 2026

S`merren vesh

Takimi i tretë i Këshillit Ekonomik Social ka nxitur edhe një herë reagimet e partnerëve, që nuk po marrin pjesë. Prej 9 anëtarëve, aktualisht në Këshill janë 7 sish, pra pa Odën Ekonomike të Kosovës dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Këto të fundit, nuk bëhen pjesë e këtij mekanizimi, përderisa nuk jepen sqarime se si bën vend aty, Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Konfederata e Sindikatave të Lira. Pas një kohë qetësie, reagoi sërish Oda Ekonomike e Kosovës. Kjo për shkak se në takimin e fundit, KES-i ka propozuar krijimin e një komisioni, për ti kthyer dy partnerët, që në bazë të numrave janë përfaqësuesit kryesorë të bizneseve dhe punëtorëve në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike, Besim Beqaj ka përsëritur qëndrimet e mëparshme.

Nuk është respektuar vendimi i Qeverisë për themelimin e KES-it dhe kriteret e parapara me këtë vendim, ka thënë ai.

Në letrën që OEK-u ua ka dërguar të premten institucioneve, thuhet se vendimi i Qeverisë është shkelur, sepse nuk është themeluar Komisioni trepalësh për verifikimin e anëtarësisë dhe fuqisë përfaqësuese të subjekteve.

OEK-u nuk është kundër pjesëmarrjes se subjekteve të tjera në Këshill, por kërkojmë që ndarja e vendeve aty të behet duke respektuar fuqinë përfaqësuese, thuhet në letrën e Odës, drejtuar institucioneve.

Sipas Beqajt, mospërfshirja e Odës, nënkupton që 80 për qind e ekonomisë se Kosovës, nga sektori privat dhe publik, nuk janë të përfaqësuara në punën e kësaj strukture.
Ndryshe, Qeveria, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Bashkimi i Sindikatave të Kosovës ka pesë vjet që kanë përbërë Këshillin Trepartit, ku është dashur të zhvillohet dialogu social. Pas rikonstituimit të tij, aty kanë hyrë anëtarë të tjerë, të cilët kanë nga dy përfaqësues. Ndërsa, për OEK-un dhe BSPK-në janë rezervuar nga tri vende.
Megjithatë, kjo punë nuk po u bën fort përshtypje anëtarëve të rinj.

Në skemi përcaktuar kritere dhe nuk jemi në gjendje të ftojmë apo ta largojmë dikë nga Këshilli. Për këtë ka marrë vendim Qeveria, është shprehur Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, e cila vetme përfaqëson në KES, bizneset.

Ai ka shtuar se aty mund të marrin pjesë edhe akterë të tjerë që mund të japin kontribut, ndërsa ka minimizuar rolin e dy partnerëve, duke thënë se KES-i e ka forumin e plotë.
Këshilli e ka forumin e plotë, pasi prej 9 anëtarëve, aty janë 7, tha ai.

Për Shahinin, të gjitha vendimet që do të merren, siç është ai për pagën minimale, do të jenë valide.

Konfederata e Sindikatave të Lira, e cila në KES përfaqëson të drejtat e punëtorëve, fton OEK-un dhe BSPK-në, në Këshill.

Do të na ndihmonte pjesëmarrja e tyre. Ne dëshirojmë që përmes tyre të realizojmë të drejtat e punëtorëve, thotë Ali Dragusha, kryetar i KSLK-së.

Ai thotë se nuk e kupton se çka po i pengon ata pjesëmarrja e dy subjekteve të reja.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka përsëritur se pa u sqaruar mirë kriteret e përfaqësimit për të gjitha subjektet, nuk bëhen pjesë e Këshillit. Zyrtarë të Odës Ekonomike, kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se nuk bëhen pjesë e shkeljes se ligjit dhe vendimeve të institucioneve shtetërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›