S’mund të tolerohet dhunimi i ri që kryesocialisti po kërkon t’u bëjë institucioneve kushtetuese
Propozimet e Ramës, reagon kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi
Mazhoranca thekson edhe njëherë se propozimet e kryesocialistit bien ndesh me ligjin elektoral, kolegjin zgjedhor dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, për komisionet hetimore. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi u shpreh dje gjatë një komunikimi për mediat se Edi Rama kërkon të dhunojë së fundmi edhe Kodin Zgjedhor, duke bërë një propozim që bie ndesh me nenet e firmosura nga vetë ai, në dokumentit elektoral. Patozi vuri në dukje se opozita nuk ka asnjë fakt për manipulim të zgjedhjeve, por për ditë e me radhë kacavirret pas deklaratave politike, presioneve nëpërmjet grevave, në një kohë kur fare mirë mund t’u ishte drejtuar organeve kompetente për pretendimet dhe kërkesat e saj. “Propozimi i fundit i zotit Edi Rama është njëkohësisht edhe dhunimi i fundit që kryetari i Partisë Socialiste po kërkon t’u bëjë kushtetutës, ligjeve, kodeve dhe vendimeve te gjykatave të vendit. Dje ai deklaroi që komisioni hetimor parlamentar të hapë kutitë e materialeve të votimit, kurse për kutitë e fletëve të votimit të pyetet Komisioni i Venecias. Kjo kërkesë e tij bie në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor dhe konkretisht me nenin 178, pikën 6, ku thuhet shprehimisht: “Pas përfundimit të afatit për ankimime, sipas këtij Kodi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit si dhe tabelat dhe procesverbalin e numërimit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror te Shtetit. Të gjitha fletët e votimit dhe kundra fletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”. Kodi Zgjedhor, me këtë nen, i cili bazohet në parimet themelore të Kushtetutës së vendit, ka përcaktuar qartë të gjitha qëndrimet e detyrueshme ligjore, që mbahen ndaj materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit”- u shpreh nr 2 i PD, deputeti Astrit Patozi.
Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe është vetëm kjo gjykatë e cila kjo mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias për rishikimin e vendimeve të saj.
“Duke sanksionuar se është KQZ ai që hap kutitë e votimit dhe se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre në arkivë, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit. çdo qëndrim tjetër i ndryshëm është anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Propozimi i djeshëm i zotit Rama bie ndesh gjithashtu me vendimin e Kolegjit Elektoral, i cili në përputhje me Kodin Zgjedhor (nenet 116 dhe 118) ka vendosur se nuk mund të ketë hapje të kutive dhe rinumërim, në mungesë të votave të kundërshtuara gjatë procesit te numërimit. Siç dihet tashmë, zoti Rama nuk disponon asnjë dokument për kundërshtim të votave gjatë numërimit. Propozimi i fundit i zotit Rama bie ndesh edhe me vendimin Nr.18, të vitit 2003, të Gjykatës Kushtetuese, i cili shprehet prerë se “Komisionet Hetimore Parlamentare, bazuar në parimin e ndarjes se pushteteve, nuk mund të shqyrtojnë çështje të veprimtarisë së juridiksionit të gjykatave”. Dhe po ashtu me vendimin Nr.24 të vitit 2004, të po kësaj gjykate që përcakton se “komisionet hetimore hetojnë vetëm mbi bazë faktesh, dhe jo akuzash të pafaktuara”- deklaroi Patozi.
Edi Rama keqinterpreton edhe deklaratën e Komitetit Presidencial të KiE-së/Nisur nga tentativa e socialistëve, duke hedhur në tregun mediatik një propozim nul dhe në shkelje me vendimet e firmosura edhe nga vetë Edi Rama, kreu i grupit të PD-së Astrit Patozi, tha se ato bien në kundërshtim edhe me deklaratat e komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. “Propozimi i fundit i zotit Rama është një keqinterpretim i hapur i deklaratave të Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Byrosë Parlamentare të tij, të cilat theksojnë mundësinë e kërkimit të opinionit nga Komisioni i Venecias, por kjo nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mandatin e komisionit hetimor parlamentar dhe veçanërisht për çështjen e hapjes se kutive. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit janë të formës se prerë dhe përfundimtare. është vetëm kjo Gjykatë, e cila po e pa të arsyeshme, mund t’i drejtohet Komisionit te Venecias për të dhënë mendim për vendimet e saj. Dhe natyrisht, në asnjë rast apo rrethanë, si garante e kushtetutës, asaj nuk mund t’i bëhet presion me greva politike”- tha Patozi.
Ai nënvizoi se Partia Demokratike konfirmon edhe një herë qëndrimin e saj të hapur për dialog dhe transparencë të plotë, duke theksuar se gjithçka mund të bëhet vetëm në respekt të kushtetutës dhe ligjeve të vendit.