E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama po bën bllofin e radhës, me një propozim të vjetër, por me fjalë të reja

Intervista/Flet Drejtori i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi

Drejtori i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi thotë se propozimi i Edi Ramës për zgjidhjen e ngërçit politik s’ka asgjë të re me propozimet e mëparshme, thjesht e vetëm, po artikulohet me fjalë të reja. Sipas tij, çështja e hetimit të kutive zgjedhore, duhet t’i shtrohet Gjykatës Kushtetuese dhe, në rast se ajo do ta shohë të nevojshme, mund t’i kërkojë një opinion miqësor Komisionit të Venecias

Zoti Bylykbashi, ka një propozim konkret nga ana e PS, që kërkon hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe, njëkohësisht, në Komisionin e Venecias të shkojë një kërkesë për trajtimin e kutive me fletët e votimit. A është i pranueshëm për Partinë Demokratike ky variant?
Dua ta them që në fillim se ky variant i propozuar nga PS është jo vetëm një variant i vjetër, por, ashtu si edhe më parë, është një variant që bie ndesh me ligjin dhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Kur them bie ndesh me ligjin, i referohem nenit 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor, i cili, në mënyrë fare të qartë, përcakton të gjithë ato rregulla që kanë mbetur për t’u zbatuar nga procesi i mbyllur zgjedhor i vitit 2009, që është hapja e të gjitha kutive. Në mënyrë farë të qartë Kodi Zgjedhor thotë se KQZ hap të gjitha kutitë, administron materialin zgjedhor, sipas disa pikave të përcaktuara në ligj dhe e dërgon atë për arkivim në Arkivën e Shtetit, ndërkohë, që të gjitha fletët e votimit digjen. Nuk ka asnjë mundësi tjetër që të interpretohet ndryshe kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor. është e vetmja rrugë ligjore që mbetet, e cila gjithashtu garanton transparence, sepse bën të disponueshëm për të gjithë subjektet, materialin zgjedhor të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nga ana tjetër, garanton edhe mbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor.

Kështu si e argumentoni ju çështjen, duket se jemi ende në kolaps, pa marrëveshje, sepse PS thotë se nuk tërhiqet pa parë se ku kanë shkuar votat. Sipas jush cila është zgjidhja?
Nëse ky është një bllof i radhës i zotit Rama për të tentuar të fusë procesin në kolaps, kjo i mbetet të gjithëve për ta gjykuar, por unë gjykoj se jemi përpara një propozimi të vjetër, të formuluar me fjalë të ndryshme. Zgjidhja është bërë publike. Jo më larg se të shtunën kryeministri bëri të qartë se cila është zgjidhja që ne ofrojmë. është një zgjidhje e ofruar muaj më parë, e propozuar nga delegacioni i Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës, sipas të cilit çështja e hetimit të kutive zgjedhore, t’i shtrohet Gjykatës Kushtetuese dhe, në rast se Gjykata Kushtetuese do ta shohë të nevojshme, t’i kërkojë një opinion miqësor Komisionit të Venecias mbi këtë çështje. Zgjidhja tjetër e vetme mbetet zbatimi i plotë i nenit 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor.

Por, ndërkohë, zoti Rama e pranon variantin që dikush t’i drejtohet Komisionit të Venecias, të cilën nuk e ka pranuar deri më sot. Pse nuk e pranoni ju këtë?
E thashë që është një tentativë për bllof dhe për të riparaqitur një propozim të vjetër me fjalë të reja. Sepse në thelb deformon thellësisht propozimin e bërë nga Këshilli i Europës. Për shkak se ata nuk bëjnë një dallim midis materialit zgjedhor dhe fletevë të votimit, ata propozojnë që çështja si e tërë t’i propozohet Komisionit të Venecias, ndërkohë që hetimi mund të vazhdojë me çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me këtë pjesë të hetimit, si përdorimi i administratës publike, i burimeve publike të financimit, cështjes së kartave të identitetit apo problemet e tjera, që, në asnjë rast nuk kanë të bëjnë me materialet zgjedhore apo me problematika që nuk kanë qenë pjesë e juridiksionit gjyqësor.

Zoti Bylykbashi, ju përmendët disa herë Këshillin e Europës, Komisionin e Venecias. Në fakt, çfarë qëndrimi mban faktori ndërkombëtar për këto zgjidhje që vijnë sa nga PD, sa nga PS? A mbështet faktori ndërkombëtar njërën nga zgjidhjet?
Unë i referohem deklaratës më të fundit, asaj që bëri ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, zoti Lohan, i cili iu referua deklaratave të mëparshme të bëra nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. Ata sugjerojnë arritjen e një kompromisi, i cili respekton dy momente, bërjen e transparencës në përputhje të plotë me normat dhe parimet kushtetuese. Ky është një pozicion i qartë, që ata kanë mbajtur, duke mos pranuar cdo lloj marrëveshje, por pranojnë çdo lloj marrëveshje që respekton këto themele dhe këto parime. Zoti Rama abuzon me termin transparencë me qëllim arritjen e objektivit të tij, por nuk duhet harruar se angazhimet e OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Europës i përcaktojnë qartë termat në lidhje me transparencën e procesit zgjedhor. është një transparencë që funksionon brenda dhe përgjatë procesit zgjedhor. Nuk është një transparencë, e cila duhet të ndodhë më pas. Sepse është një parim që kërkon, që procesi zgjedhor të përmbyllet në afate sa më të shpejta, në mënyrë që të zgjedhurit e popullit, të mandatuar prej popullit të marrin detyrën e tyre sa më shpejt dhe ta ushtrojnë atë. Unë kam frikë se zoti Rama, deri më sot, ka bërë pengimin e këtij momenti.

Zoti Rama ka deklaruar se, nëse pranohet propozimi i tij, greva e urisë ndërpritet dhe nis bashkëpunimin në Parlament. Nuk e keni menduar që, ndoshta, do të ishte në të mirë të zgjidhjes së situatës, të hiqej dorë nga një pjesë funksionale e ligjit për të arritur në marrëveshje?
Ne kemi qenë dëshmitarë të një përshkallëzimi, duke nisur që nga momenti, që zoti Rama përshëndeti zgjedhjet, deri në pikën ekstreme ku jemi sot. Përshkallëzimi dhe përkeqësimi i situatës, që zoti Rama e ka zgjedhur në mënyrë të qëllimshme, nuk i jep atij asnjë argument dhe nuk përbën asnjë provë për ta çuar në sukses me kërkimin e tij. Nuk është një mënyrë negocimi brenda parametrave demokratikë që të negociohet dhe të arrihet kompromisi nën presion. Zoti Rama, ndoshta ka parasysh që jemi përpara një ruleti rus dhe jo përpara një tavoline negocimi dhe nëpërmjet ushtrimit të presionit nga rruga mbi institucionet, qoftë Parlamentin, qoftë Gjykatën Kushtetuese apo edhe Komisionin e Venecias, kërkon me çdo kusht të marrë një opinion miqësor për propozimin e tij, që në çdo rast, bie ndesh me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe parimet dhe normat ndërkombëtarë lidhur me të drejtën e zgjedhjeve. Nuk mundet që një kompromis politik të zëvendësojë ligjin. Një kompromis politik mund të qëndrojë si themel mbi ligjin, por jo ta zëvendësojë atë.

Keni një ide si mund të dilet nga situata?
Negocimi mes palëve pa krijuar situata që prodhojnë tension apo presion mbi situatat është rruga më e mirë për t’u ulur dhe për të diskutuar me vizion pozitiv për të ardhmen, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje. Me zotin Rama, me Partinë Socialiste, Partia Demokratike ka bërë marrëveshje të shumta ndër vite, por më të rëndësishmet kanë qenë ato të viteve 2008-2009, kur, me konsensus shumë të gjerë u bë reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, dhe, pikërisht atëherë, kanë funksionuar të gjithë parametrat për të negociuar dhe për të gjetur zgjidhje. Unë nuk shoh arsye përse zoti Rama duhet të kthehet në veprime kaq atavike. E kuptoj që janë përpjekje për t’u kacavjerrë me thonj mbi xham. Dhe gjithë këto tentativa nuk janë veçse përpjekje të dëshpëruara për të dalë nga një situatë pa krye në të cilën ai ka futur jo vetëm PS gjatë kësaj periudhe të fundit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›