Snajder: “Ky Botëror nuk është i lehtë”
Falë një goli të realizuar nga fantazisti Uesli Sneider, Holanda fitoi 1-0 ndaj një rivali direkt si Japonia, duke siguruar një vend në një të tetat e finaleve të Botërorit të Afrikës së Jugut.
Holanda iu imponua gjatë gjithë takimit Japonisë, duke pasur më shumë se një rast për të realizuar, pavarësisht se në golin e mesfushorit të Interit (i shërbyer nga Robin van Persi) kishte faj edhe portieri i Japonisë, Kavashima, ky i fundit nuk arriti ta devijojë jashtë kuadratit gjuajtjen e fortë të Uesli Snajderit. Uesli Snajder pranoi se ndihej i kënaqur pas fitores 1-0 kundër Japonisë, pikërisht me golin e tij dhe që i dha formacionit “Oranje” tri pikë të çmuara, duke betonuar vendin e parë. “Do të kisha shënuar në një mënyrë apo tjetër. Mund të bëja më mirë”, - tha Uesli Snajder, i cili pranoi se loja e Holandës ende nuk është në lartësinë që të gjithë presin prej saj.
Gjithsesi, pas dy ndeshjeve të para, deri tani Argjentina dhe Holanda janë dy skuadrat e vetme që kanë marrë pikë të plota.
“Japonia ishte një ekip dinamik dhe i shpejtë. Jemi të kënaqur që kemi gjashtë pikë pas dy ndeshjeve. Ky Botëror nuk është i lehtë. Anglia dhe Gjermania kanë barazuar dhe humbur respektivisht”.
Ikën Kameruni
Danimarka ringjalli shpresat për një vend në finalet e një të tetave të Kampionatit Botëror, pas fitores 2-1 me Kamerunin e yllit të Interit, Samuel Eto’o. Samuel Eto’ shënoi i pari për Kamerunin në minutën e 10-të, por sulmuesi i Arsenalit, Niklas Bendtner barazoi rezultatin në minutën e 33-të. Denis Romedahl me golin e tij në minutën e 61-të i siguroi fitoren 2-1 Danimarkës, duke detyruar Kamerunin të përgatisë valixhet për t’u rikthyer në shtëpi.Pas ndeshjeve të dyta, Holanda siguroi kualifikimin në fazën tjetër pavarësisht rezultatit në ndeshjen e fundit kundër Kamerunit. Danimarka dhe Japonia (të dyja nga 3 pikë) do të përplasen midis tyre në një përballje “për jetë a vdekje” për një vend midis 16 më të mirave të Botërorit.
Ndali Ganën, Australia ndihmon Gjermaninë
Fituese ndaj Serbisë (1-0) në ndeshjen e parë, Gana nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër Australisë në Rustenburg, që luajti qysh nga minuta e 25-të me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Kahill. “Black Stars” (“Yjet e zinj”) ndodhen në krye të grupit D me katër pikë, por në në ndeshjen e fundit do të përballen me Gjermaninë, që nga ana e saj ka një pikë më pak, 3, po aq sa Serbia e vendit të tretë. Ndeshja ishte e ekuilibruar (50%-50% zotërimi i topit) dhe me raste të panumërta nga të dyja skuadrat. Holman kaloi në avantazh Australinë pas një goditje nga afër në minutën e 11-të, kur portieri i Ganës, Kingson riktheu në lojë topin e goditur nga Breshiano. Në minutën e 25-të, goditja e Anan u pengua me dorë mbi vijën e portës nga ana e Kahill (direkt karton i kuq) dhe Gyan barazoi me penallti. Sulmuesi i Rëne në kampionatin francez kishte shënuar po me penallti edhe golin e fitores së Ganës kundër Serbisë. Gana pati shumë mundësi për të realizuar një gol të dytë (44’, 63’ dhe 77’), por dhe formacioni i “kangurëve” pati një mundësi të artë në minutën e 67-të kur Ciperfild shpërdoroi rastin ideal. Në fund të takimit, Mensah goditi më kokë (90’), por gjuajtja e ganezit me kokë kaloi pranë portës.
21 Qershor 2010