Mediat: “Kapelo, tani fitoje bukën tënde!”
Media angleze sulmoi ashpër trajnerin e Anglisë, Fabio Kapelo, pas barazimit dëshpërues me Algjerinë (0-0). “Daily Mail” kritikoi me tone të forta trajnerin, duke përdorur shprehjen therëse “ky është njeriu që fiton 6 milionë sterlina”.
“Tani fitoje vetë bukën, Kapelo!” shkruante “Daily Mail”.
Trajneri italian i “tre luanëve” është më i paguari ndër 32 trajnerët e përfaqësuesve që marrin pjesë në Botëror. “Fab Flop” (Fabio dështuesi) shkruan “Daily Express”, duke i përcaktuar lojtarët dhe trajnerin si “klounë”. Njeriu më i tallur? Runi.
Anglia është shndërruar në një skuadër pa motive, pa shpirt dh pa shpresë. Frika për të mos e kaluar fazën e grupeve është e madhe.
Runi: “Më falni tifozë!”
Sulmuesi i Anglisë, Uejni Runi, u kërkoi falje tifozëve për deklaratat e tij të nervozuara të dhëna para një televizioni britanik pas barazimit 0-0 kundër Algjerisë. Është shumë e këndshme të fishkëllehesh nga tifozët e tu. Kjo po, që është një mbështetje mbretërore ... në emër të Zotit,” – deklaroi sulmuesi i “tre luanëve”. Sulmuesi i “grindavec” i Mançester Junaitid u kërkoi falje tifozëve të përfaqësueses së tij. “Dje në mbrëmje (të premten), i thashë gjërat në të nxehtë, kjo dhe si pasojë e një reflektimi nga zhgënjim i lindur nga performanca jonë dhe rezultati. “U kërkoj falje atyre që mund të jenë të ofenduar nga qëndrimi im në fund të ndeshjes”, - tha Runi përmes një komunikate të publikuar nga Federata Angleze e Futbollit.
Bekham: “Nuk u sulmova nga tifozi”
David Bekham hodhi poshtë zërat se ai ishte protagonist i një sulmi të një huligani në dhomën e zhveshje së Anglisë, pas ndeshjes Angli-Algjeri (0-0). “Nuk jam sulmuar, incidenti është ekzagjeruar, nuk ka pasur agresion”, - tha ndihmësi i trajnerit i Fabio Kapelos. Bekham shtoi se midis tij dhe tifozit anglez ishte një bisedë më shumë personale. Gjithçka ndodhi dhjetë minuta pasi Princi i Anglisë, Heri, kishte dalë nga dhoma e zhveshjes së Anglisë dhe dera ishte e hapur.
Lipi: “Fitojmë, por formacioni është top-sekret”
Italia kërkon rikthimin kundër Zelandës së Re pas barazimit me Paraguain
Trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, hodhi poshtë alibinë e mungesave përpara sfidës kundër Zelandës së Re, ndeshja e dytë e Botëror, duke theksuar se skuadra është rritur fizikisht dhe psikologjikisht. “Do të mungojnë Bufon dhe Pirlo, ndërsa Kielini dhe Kamoranezi kanë pasur dëmtimeve gjatë fazës së përgatitjes. Por, gjëja më e keqe është që të bësh një skuadër dhe të qahesh tani. Po, kemi gjithçka për të humbur: kalimin e turit”, - tha Lipi.
RRITJA – “Skuadra është rritur si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht, mendoj se është gati. Nuk duhet të trembemi nga Zelanda e Re në planin teknik, por në atë fizik, për shembull në goditjet me kokë. Duhet vëmendje. Duhet të luajmë shpejt, me topa të ulët”.
TË MËDHATË – Lipi dëshiron të shmangë fundin e Spanjës (me Zvicrës) dhe Francës (me Meksikën), por edhe Anglinë e Kapelos (me Algjerinë). “Këto janë rezultate të papritura, por nuk kanë të bëjnë me atë që pritet nesër në orën 16:00”.
SULMI – “Patëm një javë pune më shumë pas shpine për të qenë më bindës në fazën e konkluzionit në raport me ndeshjen kundër Paraguait”.
PIRLO – “Nga e hëna do të kthehet në grup, është duke u përmirësuar ditë pas dite”.
BUFON – “Është duke u përmirësuar ditë pas dite, nuk e kemi humbur shpresën për t’u rikuperuar. Nëse një skuadër nis e qan për mungesa është gjëja më e keqe që mund të bëjë”.
Brazili kundër “elefantëve” të Drogbasë
Brazili kërkon triumfin për të shmangur një ndeshje për “jetë a vdekje” me Portugalinë në takimin e fundit. Brazili do të luajë ndeshjen e dytë në grupin G me qëllimin për të krijuar një imazh tjetër pas fitores jo dhe aq bindëse ndaj Koresë së Veriut (2-1).
Pesë herë kampionët e botës do të përballen me Bregun e Fildishtë një nga formacione më të fuqishme nga pikëpamja fizike. Afrikanët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola kundër Portugalisë dhe kanë nevojë për pikë për të mos humbur opsionin për të qenë për herë të parë në një të tetat e finaleve. Edhe Brazili kërkon triumfin për të shmangur një ndeshje për “jetë a vdekje” me Portugalinë në takimin e fundit. Kaka do të ketë edhe një mundësi tjetër për të dëshmuar se forma e dobët kundër aziatikëve ishte vetëm një rastësi. Për Bregun e Fildishtë pritet të luajë nga minuta e parë, Dider Drogba, i rikuperuar plotësisht nga fraktura në krah. Shoku i tij në vijën e sulmit do të jetë Zhervinjo, një nga më të rrezikshmit në ndeshjen kundër luzitanëve.
Uruguai - Meksika, FIFA do “fair-play”
Në prag të ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Botëror, FIFA shpreh besimin te një lojë të “fair-play” në ndeshjen midis Meksikës dhe Uruguait për të mos rregulluar një ndeshje me rezultat të barabartë në takimin e tyre të fundit në grupin A.
Një rezultat që do t’u lejonte të dy ekipeve të kualifikoheshin për në fazën tjetër të botërorit, duke nxjerrë jashtë loje Afrikën e Jugut dhe Francën. “Slogani i FIFA-s prej shumë vitesh është ‘loja ime është fair-play’, – tha Nicolas Maignot, zëdhënësi i FIFA-s, - dhe ne kemi besim totalisht te 32 ekipet pjesëmarrëse për të luajtur ndershëm”. Përpara ndeshjes së fundit në grupi A, më 22 qershor, situata është e thjeshtë: nëse Uruguai dhe Meksika e lënë ndeshjen në barazim, ato kualifikohen që të dyja për një të tetat e finaleve, sido që të jetë rezultati i ndeshjes Francë-Afrika e Jugut. Njëra prej Francës dhe Afrikës së Jugut kualifikohet nëse fiton me rezultat të thellë dhe ndeshja midis Uruguait dhe Meksikës ka në një fitues. Historia e Kupës së Botës ka pasur disa raste kur dy skuadrat kanë vendosur për një rezultat të parafiksuar. Ndeshja më e famshme është Gjermani-Austri (1-0), ku dy formacionet thuajse i ndalën aksionet sulmuese pas shënimit të golit të Gjermanisë, e që i kualifikonte të dyja skuadrat, duke nxjerrë jashtë loje Algjerinë.
Fyeu trajnerin, Franca përjashton sulmuesin
Sulmuesi i Francës, Nikolas Anelka, u përjashtua zyrtarisht nga radhët e Kombëtares franceze pas fyerjeve të adresuara ndaj trajneri të “gjelave”, Rajmond Domenek gjatë pushimit midis dy pjesëve të takimit Francë-Meksikë. Sulmuesi i Celsit refuzoi t’i kërkonte falje trajnerit në prani të presidentit të Federatës Franceze të Futbollit, Zhan-Pier Eskalet dhe kapitenit të ekipit, Patris Evra. Nikolas Anelka (69 ndeshje, 14 gola) ishte titullar në tetë ndeshjet e fundit për “Blutë”, por ishte hera e parë që ai merrte pjesë në një kampionat botëror, pasi nuk ishte thirrur tri herë: 1998, 2002 dhe 2006. Sulmuesi nuk mori pjesë në stërvitjen e së shtunës dhe u largua nga Afrika e Jugut, të shtunën në mbrëmje.
21 Qershor 2010