E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ndalen shpenzimet

Qeveria e Kosovës nuk po ia del t’i mbajë fjalët për uljen e shpenzimeve buxhetore. Në tre muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar 3.5 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në total, në buxhet kanë hyrë 199 milionë euro, ndërsa janë shpenzuar 185.5 milionë euro apo 15 për qind e shpenzimeve të planifikuara për tërë vitin, të cilat llogariten 1.2 miliardë euro.

Shpenzimet janë rritur pothuajse në të gjitha kategoritë buxhetore, e më së shumti në mallra dhe shërbime, pavarësisht rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ulje të shpenzimeve në këtë kategori.

Mallrat dhe shërbimet në tremujorin e parë janë më të larta për 26.1 për qind se në tremujorin e parë të vitit 2009. Për këtë kategori janë shpenzuar 26 milionë euro, ndërsa një vit më parë 20 milionë.

Megjithatë, karakteristikë e kësaj kategorie është se mbi 6 milionë euro të buxhetit nuk dihet se për çfarë janë shpenzuar nga Qeveria e Kosovës. Ato figurojnë me emërtimin shpenzime tjera, por nuk jepet ndonjë shpjegim për destinimin final të tyre.

Kjo shumë është më e madhe sesa shuma e mjeteve që Ministria e Transportit ka shpenzuar nga buxheti i sajë për investime kapitale, gjithsejtë 1.4 milionë euro.
Pagesat për investime kapitale gjatë kësaj periudhe janë më të larta për 90.8 për qind, që është rekord i shpenzimeve në këtë raport, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009.

Por, sado që përqindja duket e lartë, shpenzimet për këtë kategori janë vetëm 12 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave ka shkuar për ndërtimin e rrugëve që kanë kushtuar 5.8 milionë dhe investimi në automjete transporti në vlerë 277 mijë euro.

Rrogat dhe pagat në tremujorin e parë 2010 janë më të larta për 16.7 për qind, apo dhjetë milionë euro më shumë se një vit më parë, kur ishin shpenzuar 61 milionë euro.

Arsye e ngritjes së shpenzimeve në këtë kategori, siç shihet në raport, është rritja e numri të të punësuarve nga 74 mijë sa ishin një vit më parë në 77 mijë.

Ngritje e numrit të punësuarve vërehet kryesisht në Kuvendin e Kosovës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministri të Shëndetësisë.

Ndryshe nga një vit më parë, Qeveria e Kosovës te subvencionet dhe transferet ka reduktuar pagesat për 18.8 për qind. Nga 69 milionë euro sa ishin në vitin 2009, sivjet ka shpenzuar 56 milionë euro. Më së shumti para nga kjo kategori kanë shkuar për pensionet bazë dhe entitetet publike.

Ndërkaq, pagesat tjera përfshijnë huan e KEK-ut në shumë prej 4.17 milionë euro dhe borxhin e jashtëm në shumë prej 10.25 milionë eurosh.

Në anën tjetër, në tabelën e të hyrave shihet se të hyrat nga tatimet e brendshme, që grumbullon Administrata Tatimore e Kosovës, janë më të ulëta për 6.6 për qind se vjet.

Në tremujorin e parë të vitit të kaluar, ATK-ja kishte mbledhur 50 milionë euro, ndërsa tani ka mbledhur vetëm 47 milionë euro. Gjithashtu edhe të hyrat jotatimore janë më të ulëta për 13.3 për qind.

Dogana vazhdon të mbetet burimi më i madh i të hyrave buxhetore dhe në këtë periudhë janë mbledhur në arkën e shtetit nga taksat doganore 121 milionë euro, apo 6 për qind më shumë se vjet.

Pranime gjatë tremujorit të parë 2010 në total janë 199.75 milionë euro dhe paraqesin 19.4 për qind të planit vjetor, që në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, sivjet të hyrat janë për 6.2 për qind më të larta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›