BB: Para se të merrni borxh, mendoni çfarë do të bëni
Ekspertët e Bankës Botërore prezantuan para Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, një dokument që mbante këshilla mbi atë se çfarë duhej të bënte qeveria që të realizonte me sukses huamarrje në tregun ndërkombëtar. “Përgatituni shumë para se të emetoni bondet, në mënyrë që të jeni gati të shisni titujt në kohën më të përshtatshme për ju”, – qe një nga këshillat. “Kini gati një strategji afatmesme borxhi; kjo do t’jua lehtësojë vendimet për përzgjedhjen e monedhës, bazën e shkallës së interesit, profilin e maturitetit, madhësinë e emetimit”, qe një këshillë tjetër. “Kini një plan paraprak se çfarë do të bëni me paratë. Vlerësoni nëse vepra publike që do të ndërtohet, do të nxjerrë apo jo fitime të mjaftueshme për të mbuluar interesat”, qe një këshillë e tretë.
Këshillat u përgatitën nga John Balafoutis, një zyrtar i lartë i Bankës Botërore. Bode dhe Berisha nuk reaguan ndaj këtyre këshillave. Shqipëria ka marrë dy herë kredi tregtare në tre vitet e fundit, ka dështuar tri herë me planet për emetimin e bondeve sovrane dhe duket se ka pasur sukses vetëm në një rast. Në vitin 2008, qeveria hapi një ankand për kredi tregtare me vlerë 230 milionë euro, me synimin e qartë për të financuar autostradën Rrëshen-Kalimash. Synimi dhe përgatitja duket se i dhanë frutet. Bankat pranuan me kënaqësi të kreditojnë shumën e kërkuar, përkundrejt interesit euribor plus 1.25 për qind, afati i maturimit i rënë dakord qe 15 vjet, shlyerja e principalit fillon pas pesë vjetësh. Nuk ndodhi e njëjta gjë vitin e kaluar, kur qeveria me vështirësi të mëdha mori 192 milionë euro kredi përkundrejt interesit euribor plus 9.65 për qind. Mungesa e objektivave të qartë dhe e përgatitjes së duhur, u duk edhe këtë vit.
#