E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët: Nano fshihet pas zërave kundër në parti

Selia rozë shpreh shqetësim nëse pas zërave kundër që janë ngritur në parti fshihet ish-kryetari i kësaj partie, Fatos Nano. Lajmi se numri dy i grupit parlamentar socialist, Braçe, ka zhvilluar një takim me ish-kryetarin Nano ka risjellë dyshime në parti për një rikthim të ish-kryesocialistit. Shumë deputetë të kësaj partie dje kërkonin t’i gjenin përgjigje një pyetjeje: “A fshihet Nano pas oponencës që po bëjnë shumë deputetë ndaj kreut të partisë Rama?” Dihet tashmë se ish-kreu i PS-së nuk mund të rrijë gjatë pa u përfshirë në politikë dhe ai i ruan kontaktet me mbështetësit e tij, por dhe me ata që njiheshin si kundërshtarë të tij. Takimi mes Braçes dhe Nanos ka ngjallur dhe një herë frikën dhe shpresën në selinë rozë për rikthimin në debatin e së majtës të liderit historik të kësaj partie. Dhe gjithçka ndodh një vit para zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 2009. Ideja se këto zgjedhje i japin një mundësi të madhe ish-kryetarit socialist që të rikthehet bujshëm në politikë ka rindezur debatin brenda partisë, kryesisht në biseda tavoline dhe korridoret e partisë, se çfarë do të bëjë Nano për t’ia arritur qëllimit. Ndërkaq, Erion Braçe së bashku me Servet Pëllumbin, së fundmi përbëjnë zërin oponent në parti duke lëshuar kritika të ashpra në adresë të kryesocialistit Edi Rama. Braçe theu një lloj qetësie që ekzistonte prej muajsh si në parti, por edhe nga ana e Nanos. Si e tillë, jo pak konsiderojnë se Nano mund të fshihet pas zërave kundër në Partinë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›