Socialistët evropianë përshëndesin pjesëmarrjen e Ilir Metës në qeveri, shtohet izolimi politik për Edvinin

Socialistët evropianë kanë shprehur zyrtarisht kënaqësinë për pjesëmarrjen e LSI-së në koalicionin e ri qeverisës. Me anë të një telegrami të posaçëm, kryetari i grupit euro-parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shulc ka përshëndetur zotin Meta për pjesëmarrjen në qeveri, duke e vlerësuar atë si një kontribut për të gjithë shqiptarët. Telegrami konfirmon edhe njëherë se lëvizjet politike të Edi Ramës po e çojnë PS-në drejt një izolimi të plotë politik në arenën ndërkombëtare.
TIRANË- Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, për qeverisjen katër vjeçare të Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar socialist në PE, Martin Shulz ka përshëndetur pjesëmarrjen e kësaj force në qeverinë e re, duke shprehur besimin në bashkëpunimin “në të mirë të Europës”.
Përmes një letre drejtuar kreut të LSI-së, Ilir Meta, Shulz thekson se kjo do të jetë një shenjë e mirë për të perfeksionuar rrugën e Shqipërisë drejt një të ardhmje të sigurtë. “Për ne të gjithë në Europë, do të jetë një shenjë e mirë që Shqipëria të perfeksionojë bindshëm rrugën e saj drejt një të ardhme paqësore dhe që njerëzit të mund të shikojnë një Shqipëri me një të ardhme të qartë e të sigurt. Me shumë kënaqësi unë ju mbështes me të gjitha forcat e mia dhe me gëzim shpreh besimin për bashkëpunimin tuaj të mirë me Europën dhe për Europën”, thekson Shulz.