E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarët më shumë kompetenca se kryetarët e gjykatave

“U bë bishti më i rëndë se sqepari”, thotë një shprehje e urtë popullore, ndërsa në gjykatat shqiptare ka shumë gjasa që kancelarët të jenë më të fuqishëm sesa vetë kryetarët e gjykatave. Të parët emërohen nga ministri i Drejtësisë, ndërsa të dytët zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Por sipas rregullores së re që Alibeaj ka nxjerrë në zbatim të ligjit “Për funksionimin dhe organizimin e pushtetit gjyqësor”, kancelarët kanë më shumë kompetenca sesa kryetarët. Ata do të merren me një sërë çështjesh të rëndësishme, siç janë hartimi i projektbuxhetit të gjykatës, administrimi i provave shkresore të proceseve gjyqësore e deri madje edhe me kontrollin e makinës së kryetarit të gjykatës. Mund të duket qesharake, por automjeti i kryetarit tanimë nuk do të mund të lëvizë pa lejen e kancelarit të gjykatës. Rregullorja që pritet të hyjë në fuqi së shpejti është kundërshtuar me forcë nga gjyqtarët, veçanërisht ata të Gjykatës së Tiranës, të cilët duket se vazhdojnë të kenë një llogari të hapur fërkimesh me ministrin e Drejtësisë. Sipas gjyqtarëve, kjo rregullore është krejtësisht e paligjshme, sepse në radhë të parë ajo merret me përcaktimin e detyrave të administratës gjyqësore, në një kohë kur për këtë strukturë është hartuar dhe po diskutohet një projektligj i veçantë. Në nenin 43, pika 6 e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, që u miratua në muajin shkurt dhe që ka hyrë në fuqi, është parashikuar se “Statusi, organizimi dhe funksionimi i administratës gjyqësore do të jenë pjesë përbërëse e këtij ligji”. Në këtë mënyrë, veprimtaria e administratës duhet të rregullohet me ligjin e ri, i cili duhet të miratohet me 3/5 e votave dhe jo me një rregullore me 28 nene, si ajo që ka nxjerrë ministri i Drejtësisë. Por duket se rregullorja e përgatitur ka edhe mjaft përplasje me legjislacionin ekzistues. Kështu, në nenin 40, pika 1 e ligjit “Për pushtetin gjyqësor” thuhet shprehimisht: “Pushteti gjyqësor ka buxhet të veçantë, i cili administrohet prej tij”. Por në rregulloren e Alibeajt kompetenca e hartimit të projektbuxhetit u është ngarkuar kancelarëve të gjykatave, të cilët nuk janë pjesë e pushtetit gjyqësor, pasi nuk janë gjykatës, por të emëruar të ministrit. Gjithashtu, në rregullore parashikohet sesi kancelari dhe administrata gjyqësore do të bëjnë “pranimin, mbajtjen dhe administrimin e provave materiale shkresore dhe të akteve procedurale të proceseve gjyqësore”. Sipas gjyqtarëve, kjo është një tjetër shkelje e hapur e ligjit dhe konkretisht e Kodit të Procedurës Civile. Në kapitullin për drejtimin e seancës së procesit gjyqësor të këtij kodi, sanksionohet se të gjithë veprimet me provat e proceseve kryhen vetëm me vendim të gjyqtarit që ka dosjen për shqyrtim. Dy ditë më parë, ministri Alibeaj ka thirrur në një takim të gjithë kryetarët e gjykatave të vendit. Aty ai u ka komunikuar hyrjen në fuqi të rregullores së re, por edhe vendimin më të fundit të qeverisë për të kaluar në pronësi të ministrisë të gjitha pronat e gjykatave. Burime nga takimi thanë për “Korrierin”, se ministri ka qenë shumë i prerë në mënyrën e komunikimit për të mos lejuar diskutimin e kompetencave të kancelarëve, madje mësohet se ai u është drejtuar me një ton të rëndë kryetarëve, duke u thënë: “Harrojeni që kryetari i gjykatës të ketë mundësi të urdhërojë kancelarin”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›