E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët, krenarë për kontributin e dhënë për anëtarësimin në NATO

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste ka konsideruar mbylljen e ratifikimeve të Protokollit për Anëtarësimin në NATO si kontribut edhe të socialistëve. Deklarata është bërë nga zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, e cila ka njoftuar se ky proces shënon një simbolikë të paprecedentë për popullin shqiptar. Kodheli, ndër të tjera, nënvizoi se “populli ynë e arriti këtë objektiv duke u dashur të kalojë përmes shumë sprovash, përmes përkushtimit të të gjithëve, në veçanti të Forcave tona të Armatosura dhe angazhimit serioz e konstant për të përqafuar vlerat që mbrujnë tërë filozofinë e ekzistencës së NATO-s. Anëtarësimi i Shqipërisë do të forcojë akoma më shumë sigurinë në tërë zonën euroatlantike dhe do ta çojë Shqipërinë më pranë objektivit të Evropës së Bashkuar. Megjithatë, anëtarësimi i mundshëm në prill të këtij viti shënon fillimin e punës së vërtetë. PS është krenare të konstatojë se gjatë gjithë këtij procesi ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në arritjen e standardeve që mundësuan këtë objektiv. Roli vendimtar i opozitës Socialiste në krijimin e frymës së konsensusit për realizimin e reformave madhore për vendin siç qe nisma për Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore, mund të konsiderohen pa hezitim si kontribute decizive në procesin e integrimit të Shqipërisë. Anëtarësimi është një aleancë vlerash demokratike, shtron para politikës shqiptare e në veçanti para qeverisë detyrën madhore të përmbushjes së standardeve, respektimin e institucioneve demokratike, dhe sidomos zhvillimin e zgjedhjeve në standardet demokratike. Anëtarësimi në NATO njëkohësisht është një moment që gëzon mbarë popullin dhe kombin shqiptar dhe nuk mund të përdoret për qëllime të ngushta për përftime partiake. Në NATO pranohet Shqipëria!
Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›