E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët mbajnë Kongresin, Rama shpalos programin

Programi është përmbledhur në një broshurë prej 92 faqesh, i titulluar “Për një rilindja shqiptare”. 

Në fjalën para më shumë se 1500 delegatëve, kreu socialist, Edi Rama, ka shpalosur një e nga një të gjitha pikat e këtij programi. Ai e nisi fjalën e tij me zgjedhjet e fundit lokale, duke shprehur zhgënjimin e tij për këtë proces. “Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin, secili prej jush ka shumë për të treguar për frikën dëshpërimin që ka pllakosur shpirtrat e të gjithëve në Shqipëri. Ne përjetuam në 8 maj fitoren e madhe të Shqipërisë që paguan taksa dhe zhgënjimin për vjedhjen e votave të saj”, deklaroi Rama.

 "Sot jemi të vendosur më shumë se kurrë për të bërë bashkë më ju Shqipërinë që duam, përmes një PS-je ashtu siç i duhet Shqipërisë. Me ju më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri, do nxisim një valë të re anëtarësimi, me gjithë shqiptarët që duan të largojnë qeverinë. T’i japim krahë Shqipërisë pa borxhe, pa frikë, pa plehra", theksoi lideri i opozitës.

Rama u shpreh se, kjo është dita për të folur për vizionin për Shqipërinë dhe për partinë e madhe të shqiptarëve. "Atyre që më mbështesin u them se sot jam më shumë se kurrë i vendosur që ta bëjmë Shqipërinë që duam përmes një PS që i duhet Shqipërisë. Do të jemi me ju më pranë se asnjëherë, për të hapur PS kudo ku ka shqiptarë, për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar dhe shqiptare që kërkon ta heqë këtë qeveri dhe për t'i dhënë krahë, bashkë me ju ambicies për një Shqipëri pa borxhe, pa plehra dhe pa një barbarizëm social", theksoi Rama.
   
Kryetari i PS-së tha se me programin e ri nis fillimi i një rruge të re për të ripërtërirë besimin se Shqipëria do të bëhet dhe mund të bëhet dhe këtë do e bëjë PS dhe Aleanca për te Ardhmen, për t'u lënë fëmijëve një Shqipëri të lirë që është amaneti i të parëve.  Sipas tij, edhe nëse PS ka një problem, ai do të zgjidhet me përkushtimin e të gjithëve dhe pa përjashtimin e askujt, duke mos tradhtuar familjen politike.
  
Gjatë prezantimit të projektprogramit të kësaj force politike, Rama e vuri theksin te një sërë pikash, përmes të cilave do të synohet lehtësimi i jetesës së shqiptarëve, duke u nisur nga niveli i taksave që sot, sipas tij, zbatohen me një non-sens, ku kontribuuesit më të mëdhenj janë ata që fitojnë më pak, kur ndërkohë, më shumë se 50 për qind e depozitave është pronë e vetëm 5 për qind të shqiptarëve.
 
Në këtë drejtim, ai paraqet një rrugë për të shpëtuar Shqipërinë sipas tij, nga humnera.  “Sot jemi të vendosur më shumë se kurrë për të bërë bashkë më ju Shqipërinë që duam përmes një PS-je ashtu siç i duhet Shqipërisë. Me ju më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri, do nxisim një valë të re anëtarësimi, me gjithë shqiptarët që duan të largojnë qeverisë. T’i japim krahë Shqipërisë pa borxhe, pa frikë pa plehra. Bashkë për një Rilindje Shqiptare, ta projektojmë bashkë”, tha Rama.

 Ai foli edhe për pronarët, duke theksuar se PS-ja do të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronave. Gjithashtu, Rama premtoi edhe dëmshpërblim të plotë për të gjithë ish-të përndjekurit.

Delegatët do të votojnë sot për të zgjedhur edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por edhe anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Kongresin e hapi Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi. Ndërkohë, deputetët e kësaj partie, Mimi Kodheli, Valentina Leskaj, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati, kanë prezantuar 4 shtyllat kryesore të programit politik të PS-së, "Rimëkëmbje e Ekonomisë", "Ripërtëritje e shoqërisë", "Rivendosje e demokracisë" dhe "Ribashkim me Evropën". /Start/

                                                                                             2011-11-05 13:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›