E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët, në mbrojtje të avokatëve

 

Socialistët mbështesin bojkotin e Dhomës së Avokatisë së Gjirokastrës. Deputeti socialist Vangjel Tavo, në një deklaratë për shtyp të dhënë sot shprehet se qeveria duhet të zgjidhë urgjentisht kërkesat e parashtruara nga avokatët. “Ne solidarizohemi me bojkotimin e mbrojtësve ligjorë” u shpreh socialisti Tavo.

Gjithashtu, në të njëjtën vijë u shpreh edhe kryetari i degës së PS-së në Gjirokastër, Florjan Hysi, i cili kërkoi një angazhim më të gjerë nga qeveria lidhur me protestën e avokatëve në Gjirokastër.

Bojkotimi i seancave gjyqësore në Gjirokastër duket se do të vazhdojë në një afat të pacaktuar deri në një përgjigje të organeve shtetërore, të cilat deri më tani vetëm kanë heshtur. Pritet që në rast mospërgjigjeje edhe avokatët e tjerë në të gjithë Shqipërinë t’i bashkohen bojkotimit të seancave gjyqësore. Një fakt i tillë do të çonte në bllokomin e punës së sistemit gjyqësor në të gjithë vendin.

Gjithçka e ka zanafillën më datën 5 shtator kur forcat e policsë gjatë një kontrolli, shoqëruan dhe mbajtën në komisariat për 15 minuta avokatin Bernard Aliko. Shoqërimi i mbrojtësit ligjor u bë ndërsa kërkohej një tjetër person. Pas ngjarje vetë avokati Aliko ngriti një padi në prokurori ku kërkoi dorëheqjen e drejtorit të policisë së Gjirokastrës, duke e quajtur prangosjen e tij një akt të papërgjegjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›