Përfitoi 10 mijë euro, pranga ekspertit të pyjeve
Policia e Vlorës vë në pranga personin që kreu aktin e ekspertimit në pyjet e lumit të Vlorës, mbi çështjen e hapur në gjyqësor për abuzimet me pyjet e kësaj zone, çështje kjo që implikon nën akuzë plot 18 persona. Operacioni për ndalimin është kryer nga ana e sektorit kundër korrupsionit, nën emrin e koduar “Eksperti”.
Bazë e këtij operacioni është një denoncim i njërit prej të akuzuarve, që pretendoi se eksperti Besnik Kuçi, 49 vjeç, i ka kërkuar një shumë të madhe lekësh për të lehtësuar aktet e ekspertimit. Pas kësaj specialistët e këtij sektori kanë nisur veprimet, ku kanë kryer transkriptimet e telefonatave, marrë numrin e serisë së parave që do t’i servirej ekspertit, e prova të tjera që implikonin Kuçin, duke e vënë atë në pranga në kushtet e flagrancës kur dy persona i kanë dhënë shumën e lekëve. Akuzat për Kuçin janë “korrupsion pasiv” në sektorin privat dhe “vjedhje me anë të mashtrimit”, ndërsa në kuadër të procedimit penal të kësaj vepre janë nën hetim dhe shtetasit Qatim V, dhe Adil L, këta të fundit të mashtruar.
Gjatë kontrollit të ushtruar te 49-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë prej 10 mijë eurosh, që dyshohet se janë përftuar nga veprime korruptive në cilësine e ekspertit privat të lëndëve drusore.