Grindje në lokal, vritet infermieri 24-vjeçar
Lushnjë – Një konflikt i hershëm duket se ka mjaftuar për të realizuar vdekjen e 24-vjeçarit Dorian Muça, i cili ndërroi jetë në spital në Tiranë. Burimet nga policia e Lushnjës bënë të ditur se Muça, i cili kishte mbaruar shkollën e infermierisë dhe punonte në reanimacion në spitalin e Lushnjës mori 8 plumba në trup dhe ndërhyrja e mjekëve nuk mundi t’ia shpëtonte jetën.
Ka mjaftuar një ritakim në një lokal të fshatit Çermë pas një konflikti të mëparshëm me bashkëfshatarin e tij Artur Tushe për të rindezur gjakrat dhe ky i fundit duket se nuk ka ngurruar për të marrë automatikun dhe për ta shkrehur mbi Muçën.
Dërgimi në spitalin e Lushnjës e më pas në atë të Tiranës nuk e ka ndryshuar fundin e 24-vjeçarit, i cili ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të shumta të marra.
Ndërkaq nga ana e policisë së Lushnjës është vënë në pranga 45-vjeçari Artur Tushe, i cili akuzohet tashmë për vrasje.