Raporti Skandaloz

Qysh me 2007 pas tragjedise se Dhemblanit, ka vepruar nje komision per hulumtimin e gjendjes se depove te armatimit dhe poligoneve te shkaterrimit te stokut ushtarak. Raporti ishte skandaloz. Ligjvenesit dhe posaçerisht ministria e mbrojtjes u vune ne dijeni. Procesverbali i plote
Pas shpërthimit në Dhemblan të Tepelenës, vitin e kaluar, Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare ngriti një grup pune për të parë nga afër gjendjen e armatimeve në depot e shpërndara në gjithë territorin e vendit. Në mbledhjen e datës 16 nëntor të vitit të kaluar, pas përfundimit të punës, komisioni zhvilloi një mbledhje, me prezencën e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. “Korrieri” ka arritur të sigurojë procesverbalin e kësaj mbledhjeje, ku është paraqitur edhe raporti përfundimtar pas vëzhgimit të bërë. Në këtë raport paraqiten me detaje armatimet dhe vendndodhjet e tyre. Megjithatë, duke u bazuar në këtë procesverbal, në asnjë moment nuk përmendet depoja e Gërdecit, ku më datë 15 të këtij muaji ndodhi tragjedia. Në raport vlerësohet se situata ku e municioneve, vendi u mbahen ato, si dhe personeli janë mjerane. “Kontrolli është përpjekur të mos e shohë situatën me sy të errët dhe nëse raporti paraqet një situatë të errët, ju siguroj që situata është e tillë”, ka thënë relatori Gjovalin Prenga. Në këtë raport thuhet se nga problemet që janë vërejtur, grupi i punës i ka ndarë ato në tre grupe: probleme me personelin, probleme me infrastrukturën dhe probleme me poligonet ku bëhen asgjësimet. Sipas raportit, “duke parë gjendjen tekniko-balistike të municioneve dhe eksplozivave, sasinë që ruhet dhe administrohet në depo, distancat e sigurisë nga qendrat e banimit dhe objektet e ndryshme social-kulturore, rezulton se pothuajse 80 për qind e grupdepove të inspektuara nuk përmbushin kritere për të pasur licencën përkatëse për ruajtjen e municionit dhe eksplozivit sipas standardeve të NATO-s”. Pas pasqyrimit të situatës së rëndë, gjendjen e ka pranuar edhe vetë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Për mua raporti është i arrirë dhe gjendja është e tillë, pasi gjërat duhen thënë ashtu siç janë”, ka pohuar ai.
Ergys GJENÇAJ
Republika e Shqipërisë
Kuvendi
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Dokument parlamentar
PROCESVERBAL
(Datë 16.11.2007, ora 10.00)
Drejton mbledhjen:
Leonard DEMI-KRYETAR KOMISIONI
Rendi i ditës:
Raporti përfundimtar mbikëqyrës i kontrollit parlamentar, të ushtruar nga një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit të Sigurisë për kushtet e ruajtjes, mirëmbajtjes, administrimit dhe asgjësimit të municioneve tek Forcat e Armatosura.
Marrin pjesë:
Leonard Demi, Pirro Lutaj, Baki Shehi, Jak Ndokaj, Gëzim Musabelliu, Sabit Brokaj, Fatos Hoxha, Petro Koçi, Mevlan Xhindoli, Gjovanin Prenga, Ndriçim Babasi dhe Artur Hasanbelliu.
Mungojnë:
Ben Blushi dhe Stefan Çipa.
Të ftuar: Ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu
HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali i mbledhjes së dt. 14.11.2007.
LEONARD DEMI-Sot, në rendin e ditës kemi një njohjen e Komisionit të Sigurisë dhe ministrin e Mbrojtjes me raportin përfundimtar të mbikëqyrjes parlamentare, të ushtruar nga një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, për kushtet e ruajtjes, mirëmbajtjes, administrimit dhe asgjësimit të municioneve tek Forcat e Armatosura.
Grupi i kontrollit kryesohet nga deputetët z. Gëzim Musabelliu dhe z. Gjovalin Prenga. Fjalën e ka një nga deputetët.
GJOVANIL PRENGA-Komisioni ngriti një grup pune për të parë më nga afër problemet lidhur me ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e armëve dhe municioneve. Arsyet e ngritjes së grupit të punës ishin dy premisa: së pari, kushtet e ruajtjes, administrimit, mirëmbajtjes dhe asgjësimit duhet të jenë sipas parametrave ndërkombëtare dhe, së dyti, kontrolli i zbatimit të kuadrit ligjor për asgjësimin, mirëmbajtjen e lëndëve plasëse të tepërta. Objekti i kontrollit ishte përqendrimi në marrjen e masave nga komandat e reparteve, në uljen e rrezikshmërisë së këtyre objekteve dhe parandalimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme, siç theksova më lart, sidomos për zonat e banimit përreth tyre.
Kontrolli u bë në një periudhë tremujore dhe përfshiu mbikëqyrje të depove në rrethet: Lezhë, Gjadër, Shkodër, Burrel, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Tepelenë, Fier, Kuçovë, Berat, Skrapar dhe Vlorë. Duke u bazuar në gjendjen e tyre aktuale, u përgatitën edhe disa konkluzione dhe rekomandime, të cilat kanë si qëllim përmirësimin e punës në objektet e armatim-municioneve dhe mënjanimin e disa mangësive që vërehen akoma në këtë fushë të veprimtarisë ushtarake.
Municionet janë nga ato konvencionale deri tek raketa kundërajrore, kundërtanke, mina etj. Këto u përkasin viteve të ndryshme të prodhimit, nga vitet e pasluftës e deri në vitet ‘90.
Forcat e Armatosura shqiptare në fund të vitit 1990 disponon municione konvencionale rreth 294 mijë tonë, kryesisht të prodhimeve 1945-1960, ruse, 1961-1974, kineze dhe 1967-1990, prodhim shqiptar, kryesisht të kalibrave nga 7.62 mm deri në 160 mm, si dhe bomba aviacioni, mina detare, silura, raketa kundërajrore dhe kundratanke, mina kundërtanke dhe antipersonel dhe eksplozivë të fuqive të ndryshme. Të gjitha këto rezerva municioni kanë qenë të shpërndara në 182 rajone dhe të magazinuara në 955 depo municioni.
Këto rajone dhe kjo sasi municioni pati problematikën e vet, e cila u vështirësua nga ngjarjet e vitit 1997. Duke u nisur nga këto ngjarje, më pas u bë grumbullimi i tyre në 52 rajone grupdeposh.
Shpërndarja e këtyre municioneve, një pjesë janë në strukturat e FA (Forcat Ajrore), FD (Forcat Detare), FT (Forcat Tokësore) dhe 80 për qind administrohen nga një strukturë e posaçme. Për sasinë kemi një tabelë:
Gjendja e municioneve dhe eksploziveve në këto njësi të Forcave Tokësore në kohën që është bërë kontrolli ishte:
Bushat-Shkodër 3000 tonë
Mollëz-Burrel 3180 tonë
Kalimash-Kukës 1900 tonë
Voskopojë-Korçë 2900 tonë
Llozhan-Korçë 3800 tonë
Mezhgoran-Tepelenë 2500 tonë
Shuma 17.280 tonë
Në Forcat Ajrore në Gjadër ndodhen në gjendje parku:
Avion të tipit Mig 19 22 copë
Avion të tipit Mig 21 8 copë
Të gjithë këto avionë janë të demitalizuar (pra iu është hequr armatimi, municioni, si dhe karburanti).
Mitraloza të kalibrit 14.4 12 copë
Topa të kalibrit 37mm 12 copë
Raketa të padrejtuara 2970 copë
Raketa ajër-ajër 92 copë
Bomba aviacioni 100 dhe 250kg 572 copë
Municione të kalibrit 23mm 10.425 copë
Municione të kalibrit 37mm 4.507 copë
Përveç këtyre llojeve të municioneve ka dhe rreth 15 ton mina, kundratanke dhe eksplozivë të ndryshëm. Totali i tonazhit të municioneve është 175 tonë.
Në bazën ajrore Kuçovë
Teknika copë
JAK-18 21 (11 të shpërbëra)
UTIMIK-15 15 (2 të shpërbëra)
MIG-15 13
UNIMIK-17 2
MIG-19 11 (1 i shpërbërë)
MIG-19 29
Total 91
Situatë armatimi
Armë këmbësorie 7.62 mm 125 copë
Topa 37mm 6 copë
Topa 57mm 8 copë
Municione
Bomba 100 kg, 150 kg dhe 250 kg 2070
Predha rakete 57mm 2873
Lëndë eksplozive 3106
Shtimje 23mm 58.417
Shtimje 30mm 40.673
Shtimje 57mm 2293
Totali 400 tonë
Në Forcat Detare Shëngjin-Lezhë
Silura me peshë 1850kg 27
Minë e madhe 1075kg 62
Minë e mesme 592kg 333
Bombë thellësie 165kg 32
Totali 320 tonë
Durrës (Kepi i Palit, Porto Romano dhe Bisht-Pallë)
Emërtimi copë
Silura me peshë 1850kg 27
Silura me peshë 1033kg 29
Minë e madhe 1075kg 255
Minë e mesme 592kg 418
Minë e vogël 175kg 203
Minë 160kg 101
Minë induktive 1325kg 50
Bombë thellësie 165kg 205
Totali 800 tonë
Vlorë (Rraguz, Rradhimë, Pashaliman, Sazan)
Emërtimi copë
Minë e madhe 1075kg 260
Minë e mesme 592kg 747
Bombë thellësie 165kg 51
Minë fundore 1325kg 50
Bomba reaktive 72
Silura elektrikë 53
Silura akustikë 15
Silura 1850kg 107
Totali 1000 tonë
Në Brigadën e Furnizimit ruhen kryesisht municione të kalibrave nga 7.62 deri në 160 mm, si dhe të gjitha llojet e raketave KA e KT, granata, mina dhe eksplozivë që janë në përdorim të Forcave të Armatosura. Këtu ruhen, mirëmbahen dhe administrohen pothuajse 80 për qind e municioneve e eksplozivave të FA. Brigada ka një shtrirje të gjerë pothuajse në të gjithë territorin e vendit, si në Pukë, Burrel, Tiranë, Durrës, Elbasan, Tepelenë, Skrapar, Berat, Gramsh, Fier etj. Me një personel të kufizuar, kjo brigadë kryen të gjitha punimet për ruajtje, mirëmbajtje, administrim, asgjësim, furnizim e shitje (Meico), si dhe tërheq e depoziton të gjitha municionet e reparteve të FA që suprimohen. Në brigadë punohet çdo ditë me të gjitha llojet e operacioneve të përmendur më sipër. Në sajë të masave të marra nga ana teknike, organizative dhe administrative nga Komandanti i Brigadës, puna ka ecur normalisht mirë. Në brigadë krahas detyrave të mësipërme punohet dhe për përqendrimin e vetë grup depove të kësaj njësie. Është parashikuar dhe ka filluar suprimimi gjatë kësaj periudhe i 10 rajoneve grupdeposh me një tonazh prej 27200 tonësh si më poshtë:
Depot Sasia (ton)
Bërshitë-Tiranë 83
Ndroq-Tiranë 2080
Bratil-Gramsh 2754
Macukull-Burrel 4658
Konizbalt-Berat 2053
Bigaz-Skrapar 3468
Griz-Fier 2140
Mbyet-Fier 400
Dhëmblan-Tepelenë 5734
Grup-depot e armatim municionit që do të mbeten deri në vitin 2012 janë:
Depot Sasia (ton)
Qaf-Mollë dhe Shmill, Tiranë 17200
Elbasan-Menkel, Labinot, Ullishte 16120
Pukë-Gjegjan 4545
Burrel-Qafë-Shtamë 5010
Librazhd-Mirakë 13180
Krujë-Nuaj 9050
Berat-Vertop 5000
Skrapar-Radezh, Guak 7220
Gramsh-Bersnik 2350
Totali 80.575
dhe komenti këtu është se ka një sasi e madhe municionesh dhe një cilësi që përbëjnë rrezik edhe për mënyrën sesi janë administruar. Kjo sasi që i kalon qindra mijëra tonë dhe që për frymë, i kalon 100 tonë, gjë që tregon për një qeverisje të mbrapshtë. Puna jonë u përqendrua mbi bazën ligjore që ka të bëjë me mirëmbajtjen e municioneve dhe rregulloret e sigurimit teknik të tyre. Duhet të përmendim diçka që ligji “Për gradat në FA”, sjell disa probleme për pozicionin, të cilët merren me mirëmbajtjen e municioneve dhe njerëzit që aktualisht me to janë oficerë me grada më të lartë.
Këtu kemi një rekomandim për ministrin: Kjo strukturë e këtij personeli të përjashtohet nga zbatimi i ligjit për gradat për një periudhë kohore.
Që prej 1992, në FA nuk përgatiten më specialistë për municionet. Kjo lidhet me problemet e mëparshme gradë-funksion. Metoda e inspektimit ishte në terren. Falënderoj kolonel Sulën për punën që bën përballë kushteve, të cilat shpesh nuk garantojnë kushte normale pune. Problemet që kemi vërejtur i kemi ndarë në tre grupe:
Probleme me personelin, probleme me infrastrukturën dhe probleme me poligonet ku bëhen asgjësimet.
Lidhur me problemin e parë, e thashë edhe më lart se që nga viti 1992, nuk përgatiten më oficerë për mirëmbajtjen e armatimit, administrimit dhe shkatërrimin e tyre. Në vitin 1997 u përgatitën nga vendet e NATO-s dhe u kualifikuan specialistë, por ata nuk janë më efektivë të FA. Në personelin nënoficerë rezulton se 60 për qind e këtij personeli nuk është e kualifikuar dhe janë të patrajnuar. Punojnë në mënyrë empirike, por jo të pajisur me licencë. Ruajtja e objekteve bëhet me ushtarë joprofesionistë. Personeli shpesh është i pamjaftueshëm, po ashtu edhe trajtimi financiar, ndaj i kërkoj ministrit të Mbrojtjes, meqenëse keni buxhet kësaj radhe, do ishte mirë që këta punonjës të kishin një trajtim më të mirë financiar, për hir të vështirësive të punës, që bëjnë dhe të të mirës publike, të rëndësisë së tyre. Rekomandojmë të bëhet një trajnim periodik i personelit dhe të gjendet një mënyrë për të nxjerrë specialistë të rinj për këtë sektor. Ndoshta duhet edhe një zgjidhje ligjore për konfliktin gradë-funksion dhe ndoshta do të shihej edhe mundësia e zbatimit të rekomandimit tonë për të përjashtuar nga piramida e gradave këta punonjës për një kohë të caktuar.
Duke parë gjendjen tekniko-balistike të municioneve dhe eksplozivave, sasinë që ruhet dhe administrohet në depo, distancat e sigurisë nga qendrat e banimit dhe objektet e ndryshme social-kulturore, rezulton se pothuajse 80 për qind e grupdepove të inspektuara nuk përmbushin kritere për të pasur licencën përkatëse për ruajtjen e municionit dhe eksplozivit sipas standardeve të NATO-s.
Parë nga të gjitha këndvështrimet, grupdepot Bushat-Shkodër, Mezhgoran-Tepelenë, Griz-Fier, Porto Romano dhe Spitallë-Durrës, Radhimë-Vlorë, Gjadër-Lezhë paraqesin rrezikshmëri më të madhe për arsyet e mëposhtme:
i. Janë shumë afër vendbanimeve, rrugëve automobilistike dhe linjave të tensionit të lartë.
ii. Pozicioni topografik i tyre është mbi lartësinë e vendbanimeve, nga ku mund të thuhet se rrezikshmëria e një shpërthimi të mundshëm mund të jetë maksimal.
Këto të meta për të cilat po i theksojmë disa herë, janë krahasuar me tabelat sipas standardeve që kanë vendet e NATO-s për licencimin e depove të tilla.
Grupdepot ku ruhen municione dhe eksplozivë bëhen më të rrezikshme dhe për një shkak tjetër:
iii. Municionet dhe eksplozivat që ruhen dhe administrohen në këto depo i përkasin moshave 35-40-vjeçare, madje disa janë dhe municione ruse të prodhuara fill pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas ngjarjeve të vitit 1997, ka shumë municione të cilat janë rimagazinuar, duke qëndruar më parë në ambiente me lagështirë apo temperaturë të lartë, pa u kryer shërbime teknike dhe pa u evidentuar afati i skadencës së tyre, ku si pasojë e reaksioneve kimike mund të vijnë pasoja të pamenduara ndonjëherë dhe tepër të rrezikshme.
Përqendrimi i municioneve si shkak i suprimimit të objektivave në të shumtën e rasteve i ka mbingarkuar ato, duke bërë ngushtimin e hapësirave në mes blloqeve, duke mos bërë ajrimin e tyre dhe duke i vendosur në objekte të papërshtatshme, duke tejkaluar dhe shkelur standardet e magazinimit dhe sigurisë, si dhe duke rritur rrezikshmërinë e tyre.
Ne sugjerojmë një strategji për administrimin e municioneve, si dhe reduktimin sa më të shpejtë të municionit. Kontrolli është përpjekur të mos e shohë situatën me sy të errët dhe nëse raporti paraqet një situatë të errët, ju siguroj që situata është e tillë dhe besoj se edhe ministri është dakord që duhet punuar për përmirësimin e gjendjes. Më hollësisht keni materialin e përgatitur (bashkangjitur procesverbalit, materiali i përgatitur nga grupi i punës).
FATMIR MEDIU-Faleminderit për interesin dhe vlerësimin e situatës. Për mua, raporti është i arrirë dhe gjendja është e tillë, pasi gjërat duhen thënë ashtu siç janë. Ky sensibilizim në komision duhet të shërbejë për sensibilizimin e të gjitha strukturave shtetërore për rëndësinë e problemit. Ne duhet të punojmë për përmirësimin e tyre. Ne e kemi pasur shkatërrimin e municioneve prioritet të ministrisë. Ka dy projekte që konsiderohen të suksesshëm. Projekti për shkatërrimin e elementeve kimikë. Ne jemi vendi i parë pa armë dhe elemente kimikë. Pavarësisht se po marr një situatë të ministrit të Mbrojtjes, kërkoj mbështetjen tuaj në zgjidhjen e të gjithë problemeve. Ministria e Mbrojtjes duhet të heqë dorë nga qëndrimi i pronarit, pasi municioni është në të gjithë Shqipërinë dhe është problem për të gjithë shoqërinë. Financimet janë fokusuar në FA në ato sektorë të cilësuar prioritarë. Ne jemi orientuar tek shkatërrimi i armatimeve dhe kemi qenë edhe të detyruar të ecim në këtë drejtim politik, pasi ka qenë edhe kriter vlerësimi për zhvillimin e FA nga partnerët tanë.
Kam nxjerrë një urdhër për të nxjerrë armët dhe municionet efektivë. Ka një seri problemesh: Ju përmendët poligonin. Ministria e Mbrojtjes merr pjesë në ndërtime të rrugëve dhe financojmë në pushtetin lokal, në mënyrë që ata të na japin leje për të bërë shkatërrimin e municioneve. Mendoj se sensibiliteti që ka vetë politika për këtë problem duhet të rritet. Për sa i përket këtyre poligoneve, disa herë është tentuar për të bërë përcaktimin e poligoneve kombëtare, por propozimet janë hedhur poshtë me justifikime të bukura në dukje. Nëse nuk do ketë asgjësim të municionit, nuk do të kemi siguri dhe as zhvillim turizmi. Mendoj se këtu duhet marrë një masë dhe do t’ju lutesha të na ndihmonit në përcaktimin e poligoneve të shkatërrimit të municioneve. Po ashtu, nuk kemi poligone stërvitjeje. Duhet ndoshta të arrijmë në një mirëkuptim, duke parashikuar fonde në buxhet për asgjësimin e municioneve, si dhe të shohim për mundësi të tjera. Për shembull, kohët e fundit janë afruar firma të cilat janë ofruar për shkatërrim, pasi u intereson materiali i ngelur. Ne nisemi me mendimin se po ta bënim vetë, ç’do të fitonim..., por ne nuk i kemi këto mundësi.... ne do ta na bënim nder të madh nëse dikush thjesht të na merrte gjithë municionin nga territori ynë. Nëse ne u kërkojmë investime amerikanëve apo kanadezëve për financime për shkatërrim në një kohë kur kemi privatë që ofrohen tek ne.... (eksportim).
Për sa i përket personelit, sipas kritereve të NATO-s, shpërndarja nuk është më ajo e mëparshme dhe nuk përputhet kjo shpërndarje me atë të depove dhe ne e kemi të pamundur administrimin real të tyre.
Trajtimi i veçantë i këtyre punonjësve.
Fokusi i ministrisë që një pjesë të fondeve që i janë besuar ministrisë të mos shkojnë në funksion të strukturave të reja të FA, por në funksion të çështjeve të së shkuarës duhet kuptuar. Duhet kërkuar që kjo lëvizje të kuptohet nga qeveria, pasi ka të bëjë me rrezikun për jetën.
Krijimi i piramidës së gradave na bën që të nxjerrim në rezervë oficerë të specializuar sesi do ta zgjidhim. Unë mendoj të parashikojmë një amendament brenda ligjit që për këto grupime specialistësh, batalioni special që shkon në Irak, po ashtu edhe pilotët të trajnohen në mënyrë të veçantë. Kam kërkuar këtë gjë, por nuk më është kuptuar nga qeveria apo politika. Pilotët e Ministrisë së Mbrojtjes që kryejnë misione të kërkim-shpëtimit paguhen shumë herë më pak se pilotët e Ministrisë së Shëndetësisë apo të rendit dhe këtu duhet të sensibilizojmë, pasi është gjynah që këta djem të largohen nga FA. Kjo nuk do të thotë se ne tërhiqemi nga këto pozicione. Të gjitha këto probleme që u ngritën, do të jenë pjesë e punës së Ministrisë së Mbrojtjes për vitin që vjen. Do të kërkoj që kuadrin ligjor që kemi të realizohet në praktikë. Ka edhe një zgjidhje: që oficerët të dalë në rezervë të kthehen në punë si nënoficerë, të cilët edhe pse janë në moshë më të madhe se 35 vjeç, janë shumë më mirë të specializuar dhe me edukatë ushtarake. Për sa i përket çështjes së ruajtjes së këtyre objekteve me ushtarë profesionistë, është e pamundur.
Ka dy tendenca: për sa i përket forcës profesioniste, rekrutët që kemi ne sot kanë një seri problemesh, si arsimi e shumë të tjera, pasi këta janë njerëz lehtësisht të kapshëm. Mundësitë në buxhet janë dhënë. Vërtet rritet buxheti 2 për qind, por Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë një farë pavarësie për të vendosur prioritetet e veta. Nëse do të heqim një zë këtu e atje, nuk do të zgjidhim punë. Do të doja që këto mendime që diskutuam, t’i kthenim në një plan veprimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Shtabi nuk i ka ato kapacitete për të qenë nën vartësinë e tij, prandaj ia kemi lënë komandës operative. Mendoj të mblidhemi e të biem dakord ju dhe ne, sesi do të veprojmë, pasi sado dëshirë të kem si ministër, nëse nuk kam ligjin të më mbështesë, unë nuk veproj dot. Tabloja është e zymtë, pasi e tillë është. Të vëmë specialistët në punë dhe vendimmarrjen e kemi ne.
LEONARD DEMI-Ju falënderoj në emër të komisionit për kushtet që krijuat, që grupi i punës të mund të vizitojë të gjitha depot, marrëdhëniet me oficerët dhe ekspertët, të cilët e ndihmuan jashtëzakonisht grupin e punës të specialistëve të ngritur për këtë punë.
PETRO KOÇI-Faleminderit! Dua të falënderoj kolegët dhe bashkëpunëtorët për raportin. Është nga punët më të mira të komisionit në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare. Kjo është njëra anë, të bësh analizë dhe pasqyrën e gjendjes, por vështirësinë e kemi te krijimi i një plani apo programi për të vepruar për të rregulluar gjendjen. Parashikimi është i tillë, që jemi para një mundësie të ndodhjes së ndonjë katastrofe dhe kjo nuk do të ishte mirë e mbase duhet të ndërhyjmë që në buxhetin e këtij viti. Nëse Ministria e Mbrojtjes do të na sjellë ndryshime në kuadrin ligjor, ne si komision do t’i mbështesim. Jam dakord që të kalojmë edhe në asgjësime, duke i eksportuar. Sigurisht ka nevojë për rregullime në ligj.
LEONARD DEMI-Falënderojmë z. Musabelliu, z. Prenga, z. Osmani, këshilltar i jashtëm i komisionit dhe z. Ali Dervishi.
MBYLLET MBLEDHJA
Kryetari
Leonard Demi
Mbajti procesverbalin
Eranda Fejzollari