Alarm për ndotjen akustike,banorët: Na mbytën zhurmat
FIER / MAJLINDA RAMA
Banorët e qytetit të Fierit po vuajnë nga ndotja akustike, e cila është në shifra alarmante. Më të shqetësuar janë ata që jetojnë në lagjet industriale të tij, pasi zhurmat e forta janë të përditshme, duke u shndërruar në ankth për ta. Për këtë situatë banorët shpeshherë janë ankuar pranë pushtetit vendor dhe prefekturës, por asgjë nuk ka ndryshuar.
Në shumë lagje të qytetit, fare pranë shtëpive të banimit, ushtrojnë veprimtarinë e tyre pika kovaçane, prerje të mermerit, prerje të vetratave, përpunim druri, marangozë, servise automjetesh, llamarinistë e shumë zanate të tjera që punojnë në çdo orar të ditës apo mbrëmjes. Së fundi, kufizimet e energjisë elektrike shtojnë dhe zhurmën e gjeneratorëve nëpër rrugë. "Nuk kemi çfarë të bëjmë. Po stresohemi çdo ditë dhe nuk kemi asnjë mundësi për t'u çlodhur, sidomos kur vijmë nga puna", thonë banorët. Sipas tyre, janë ankuar dhe në Agjencinë e Mjedisit, e cila u kanë thënë se është përgjegjëse dhe për ndotjen akustike, por asgjë nuk është zgjidhur. "Jo vetëm që nuk po qetësohet gjendja, por tani na shtohen edhe zhurmat e automjeteve në qytet që janë bërë si pikat e shiut. Në Agjencinë e Mjedisit na kanë premtuar se ndotja akustike do të eliminohet përfundimisht brenda vitit 2008, por kjo nuk ka ndodhur", thotë Miranda Bardhi, banore e zonës pranë Rrepeve në Fier. Ndërkohë shumë banorë të tjerë shprehen se asnjëherë nuk kanë kuptuar se kush e shton më tepër zhurmën, makinat apo punishtet e firmat private. Nga ana e saj, Drejtoresha e Agjencisë së Mjedisit, Angjelina Mërtiri mbështet ankesën e banorëve, por thotë se duhet një ndërgjegjësim mbarëqytetar do të sjellë qetësimin e situatës. "Ndotja akustike shton stresin te njerëzit dhe ul ndjeshëm aftësinë në punë. Ne e dimë këtë, por jemi në pritje të ndonjë strategjie efikase, pasi të gjitha subjektet që bëhen burim i ndotjes akustike janë të licencuar dhe taksapagues të rregullt pranë Drejtorisë së Tatimeve. Nëse ne i kërkojmë individit të lëvizë nga një pikë në tjetrën do të thotë se duhet t'i sigurojmë edhe një tregti të sigurt. Por ne nuk kemi kaq mundësi". Nisur nga mungesa e një zgjidhjeje konkrete nga autoritetet vendore, Mërtiri shprehet se duhet një vetëndërgjegjësim i tregtarëve, subjekteve dhe vetë qytetarëve që të gjendet një rrugë e mesme për momentin, të paktën për sa u përket orareve të veprimtarisë.