Sokol Koçiu: Ju tregoj burgun e padrejtë të Grorit
Sokol Koçiu fillon aktivitetin e tij si jurist, duke mbrojtur interesat ligjore të Arben Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Pestë Penale në Milano të Italisë, pasi e ka gjetur fajtor për vrasjen e Naim Zyberit, ish të fortit të Tiranës para vitit 1997. Në një konferencë për shtyp, Koçiu ka bërë publik vendimin e Gjykatës së Strasburgut ndaj Grorit. Sipas tij, Gjykata Europiane Për të Drejtat e Njeriut zbuloi se nga shteti italian nuk ka ekzistuar absolutisht asnjë kërkesë për njohjen dhe konvertimin e vendimit në Shqipëri, pasi nga aktet e administruara rezulton që më 28 mars 2002, Ministria italiane e Drejtësisë informonte zyrën e prokurorit publik se autoritetet italiane nuk do të kërkojnë njohjen dhe zbatimin e një vendimi penal të lëshuar nga gjykatat italiane, sepse asnjë nga vendet nuk ishte anëtare e një marrëveshjeje ndërkombëtare për këtë çështje. Sipas Koçiut, nga muaji shkurt 2005 e në vazhdim Arben Grorit i refuzohet mundësia të takohet me avokatët e tij dhe nuk ka asnjë kontakt me ta. Nga 21 deri më 24 shkurt 2006, mjekët konfirmojnë se Grori ka vuajtur nga multiple sclerosis. Ata raportojnë keqësimin e shëndetit të aplikantit, të shkaktuar nga mungesa totale e kurimit mjekësor për një periudhë më shumë se dyvjeçare. Sipas njoftimit të djeshëm, gjykata gjen se gjatë paraburgimit të tij nga prilli 2005 deri më 28 janar 2008, datë në të cilën aplikanti i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor si pasojë e njoftimit nga Gjykata të Masës së përkohshme për qeverinë përgjegjëse, Grori është lënë për periudha të gjata pa marrë trajtimin e duhur mjekësor. Mësohet se gjatë gjithë periudhës së ndalimit të tij nga Tetori 2004 e në vazhdim, autoritetet kanë dështuar të monitorojnë sëmundjen e tij dhe t‘i japin trajtimin e duhur mjekësor, gjë që ka çuar në keqësimin e shëndetit të tij. Sipas Koçiut, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut, Grorit jo vetëm që i është refuzuar ndihma e duhur mjekësore nga autoritetet, por ai është vendosur në një regjim të sigurisë së lartë, duke iu mohuar mundësia për të kontaktuar përfaqësuesit e tij. Kjo ka krijuar një shqetësim të dukshëm tek ai. Mësohet se Grori vuan nga një sëmundje shumë e rëndë, multiple sclerosis. Edhe në rast se zbulohet në fazat e para dhe kurohet, kjo sëmundje shkakton invaliditet dhe deri në vdekje.