Sokrati mbrohet në Prishtinë

Përpos Mjakut, në këtë shfaqje luajnë edhe Besfort Idrizi dhe Ibrahim Xhemaili. Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Krste Xhidrov, kostumografinë Bllagoj Micevski, videon Fejmi Daut e Besfort Imami, kurse montazhin e videove e ka realizuar Betim Zeqiri.
Prezantimi i kësaj shfaqjeje në Kosovë është mundësuar nga KFOS (Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur).
Aktori Bajrush Mjaku është shprehur se shfaqjen “Mbrojtja e Sokratit” ia përkushton intelektualit Ukshin Hoti, të cilin as dora e fortë e fuqisë shtypëse (Millosheviqiane) nuk mundi ta heshtë në misionin e tij të drejtë, që të luftojë për liritë dhe të drejtat e njeriut. Ai ka shtuar se ngjashmëritë mes Sokratit dhe Ukshin Hotit janë të dukshme dhe, sipas tij, nuk është vetëm mbrojtja e tyre para gjyqit dhe fundi i tyre tragjik pikë ngjashmërie, është botëkuptimi i tyre për botën e lirë dhe vizioni për të ardhmen e njerëzimit që i bën këta dy burra të ngjashëm.
“Them që duke ia kushtuar këtë shfaqje Ukshin Hotit, në fakt ia kushtoj tërë atij brezi dijetarësh që sakrifikuan jetën e tyre duke luftuar të padrejtën dhe të ligën në shtet siç thotë Sokrati”, theksoi Mjaku.
Ndërsa për regjisorin Dritëro Kasapi, “Mbrojtja e Sokratit” e Platonit është kryevepër letrare dhe një nga apologjitë më të vlefshme të një mendimi kritik, përgjegjësia morale e qytetarit ndaj shoqërisë dhe lirinë e mendjes. Sipas Kasapit, Sokrati ishte disidenti i parë i njohur i Europës.
“Sokrati ishte dijetari i parë për të cilin e dimë që u dënua me vdekje për ‘prishjen e rinisë, herezi dhe sabotimin e qeverisë’. Në këtë mënyrë Sokrati ishte disident i parë i njohur i historisë së Evropës Perëndimore”, u shpreh Kasapi.
Ndërkaq, sipas regjisorit boshnjak, Dino Mustafiq, Sokrati del në mbrojtje të lirisë.
“Liria është, në përgjithësi, pika e fillimit për çdo gjë që ndërmarrim në jetë, nuk na është dhënë ose vendosur përjetë, çdo ditë është e nevojshme për të mbajtur në sy, ta rishikojmë dhe ta ruajmë brenda vetes dhe qeverisë që kemi zgjedhur”, është shprehur Mustafiq. Sipas tij, liria pa demokraci nuk është e mundur. Prandaj, thotë ai, duhet ta kultivojmë dhe të reagojmë menjëherë kur të jetë e kërcënuar. “Për këtë na paralajmëron edhe përvoja e shekullit XX, nëpër skenat e holokaustit, të kampeve të përqendrimit dhe internimit, të luftës dhe likuidimit të atyre që mendonin ndryshe nga shumica”, shprehet Mustafiq.