E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solana: BE t'i rikthehet Ballkanit

TIRANË- Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana, i ka cilësuar vendet e Ballkanit me probleme dhe shumë larg anëtarësimit. "Pak vite më parë, disa thanë se dilema e BE-së në Ballkan ishte rruga drejt zgjerimit apo formimi i një protektorati.


Ne zgjodhëm zgjerimin si paradigmën udhëheqëse, të kushtëzuar me reforma. Kjo është ende strategjia e duhur",- tha Solana, gjatë fjalimit të mbajtur në një fondacion të Londrës, duke rrëfyer strategjitë e atëhershme të Evropës për Ballkanin. Solana shtoi se Europa i konsideron këto vende sikur të ishin gjysmë të futur në Bashkimin Europian.


Pa përmendur Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e zi, Solana ka nënvizuar se dhjetë vjet pas fundit të Millosheviçit, Serbia mbetet pa MSA, ndërsa Kroacia me Slloveninë dhe Maqedonia me Greqinë kanë ngecur në qorrsokaqe, si dhe Bosnja mbahet peng nga nacionalistët. "Kemi investuar jashtë mase shumë për t'i lejuar këto vende që t'i shpëtojnë fuqisë atraktive të BE-së.


Kjo do të jetë edhe më e vështirë, por edhe më e kushtueshme pas pesë vjetësh",- tha Solana, duke i kërkuar BE-së, t'i kthehet Ballkanit për të përfunduar misionin. Para pak ditësh, Havier Solana deklaroi për një media spanjolle se nuk do të rikandidonte më për pozicionin e përfaqësuesit të lartë për politikë të Jashtme e siguri në BE, pozicion të cilin ai e gëzon prej më se dy mandatesh.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›