E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solana: “Faza e parë në Kosovë, bashkëfunksionim i EULEX-it dhe UNMIK-ut”



EULEX-i dhe UNMIK-u do të mund të funksiononin bashkë për një periudhë kohe në Kosovë. Kështu është shprehur përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solana në Bruksel para takimit të Ministrave të Jashtëm ku u diktua për misionin e EULEX-it në shtetin e ri. Ai ka shprehur bindjen se gjatë javës pritet të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun ku do të bisedohet për misionet ndërkombëtare në Kosovë.
“UNMIK-u gjendet në terren sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ashtu si edhe misioni i EULEX-it”,-u shpreh Solana, duke shpresuar se problemet që sjellin vonimin e vendosjes së misionit të BE-së, do të zgjidhen. Ndërkohë EULEX-i nuk të mund të fillojë punën e plotë më 15 qershor ashtu siç ishte planifikuar më herët. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i këtij misioni Viktor Ruter. “Nuk mund të flasim për data, javë apo muaj, sepse kjo do të ishte spekulim, por të gjithë e dimë se situata në terren nuk është e lehtë. Ky mision nuk do të mund të jetë plotësisht funksional më 15 qershor”,-tha Ruter. Arsyet për këtë vonesë sipas tij janë: korniza politike ndërkombëtare dhe problemet teknike në terren. Takimi me sekretarin e OKB-së Ki Mun pritet të zhvillojë gjatë javës edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap De Hop Shefer për zgjidhjen e situatës së ndërlikuar të periudhës kalimtare në Kosovë. Zëdhënësi i NATO-s Xhejms Apaturaj u shpreh se interesi parësor i aleancës është paqja dhe siguria e shtetit të ri. Ndërsa Kryesuesi i Këshillit të ministrave të BE-së Dimitrij Rupel e ka konsideruar vendosjen e EULEX-it në Kosovë si të sigurt në kohën kur të hyjë në fuqi kushtetuta më 15 qershor. “Vendosja po ecën ngadalë, por sigurt. Shpresoj se, pak a shumë, misioni do të jetë aty në kohën kur në fuqi të hyjë Kushtetuta e Kosovës”,-Rupel për gazetarët para fillimit të takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së. Rupel ka shprehur mendimin se, pak a shumë, misioni i EULEX-it do të vendoset në Kosovë deri më 15 qershor. I pyetur nëse ekziston mundësia që EULEX të mos vendoset në pjesët e Kosovës të banuara me serbë, Rupel është përgjigjur: “Kjo nuk do të ishte në pajtim me vendimin tonë. Të gjitha vendimet dhe diskutimet e Këshillit të Ministrave të BE-së, shkojnë në drejtimin që misioni i EULEX-it të vendoset në tërë territorin e Kosovës”. Mendime të ndryshme për misionet ndërkombëtare dhe rolin që ato do të luajnë pas 15 qershorit kanë dhënë edhe analistë të ndryshëm. Analisti Patrik Mur është shprehur se pas lajmërimit se EUEX-i do të vendosej më 15 qershor dhe UNMIK-u nuk do të luante sërish rol parësor, tashmë nuk është e sigurt se do të ketë ndonjëherë qartësim të roleve të këtyre misioneve. Ai ka pohuar se burokratët do të gjejnë ndonjë formulë politike të hapur, për t’u interpretuar sipas dëshirës së shqiptarëve ose serbëve, siç ishte rregulluar çështja e Berlinit në vitet e 70 ku secila palë interpretonte situatën siç i pëlqente dhe injoronte pozicionin e palës tjetër.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›