E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Pollos: Oret mësimore per pedagoget sipas titujve



Jonida Tashi

Ministri i Arsimit, Genc Pollo, bën publik udhëzimin më të fundit për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2008-2009. Ky udhëzim i datës 9 maj 2008, përcakton se sa orë mësimore duhet të kryejnë pedagogët për një vit në fakultet sipas titujve që ata kanë. Gjithashtu, udhëzimi i Pollos, tregon edhe shifrat se si do të vlerësohet puna e tyre me studentët në orë mësimore. Personeli akademik i Institucioneve publike të Arsimit të Lartë (IAL publike), në përbërje të njësive kryesore, fakulteteve dhe instituteve të kërkimit e zhvillimit me njësitë e tyre bazë, departamente e qendra të kërkimit e zhvillimit, quhet personel akademik në IAL publike. Ky personel kryen veprimtari mësimore, kërkimore, si dhe veprimtari të tjera në ndihmë të këtyre proceseve dhe të institucionit, të cilat zhvillohen në raport me misionin e njësisë ku bëjnë pjesë dhe në përmbushje të kërkesave të Ligjit nr.9741, datë 21.05.2007, si dhe të “Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë”, duke u organizuar si vijon në këtë udhëzim. Bazuar në këtë udhëzim, veprimtaritë në të cilat angazhohet personeli akademik në IAL publike, janë: Mësimdhënia; Kërkim, zhvillim e transferim teknologjie; Mbështetje për institucionin. Personeli akademik i IAL publike, kryen veprimtaritë e përcaktuara në pikën 2 të këtij udhëzimi, në mënyrë të ndërthurur, me raporte të ndryshme sipas misionit të njësisë dhe përshkrimit të vendit të punës.
Mësimdhënia
Mësimdhënia përfshin: zhvillim të leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, si dhe veprimtari për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit të mësimdhënies: përgatitje individuale, zhvillim të kurrikulave, përtëritje të materialeve didaktike dhe hartim të materialeve të reja, modernizim të metodave dhe të procedurave të transmetimit e të kontrollit të dijeve, përgatitje të materialeve didaktike nëpërmjet teknologjive të informacionit e komunikimit dhe përdorimi i këtyre teknologjive në veprimtari të mësimdhënies, provime, kontrolle të pjesshme të dijeve, udhëheqje diplome të ciklit të parë e të dytë, apo të masterave të nivelit të parë, udhëheqje të projekteve e detyrave, përgatitje shfaqjeje, ekspozite apo gare, konsultime të programuara me studentët, etj. Ndërsa mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë, konsideron: zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, të përcaktuara këto për çdo disiplinë apo veprimtari formuese në planet mësimore të programeve të studimit. Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve. Nga rregulli përjashtohet personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit.
Ora mësimore
Ora mësimore për të gjitha fakultetet në vend do të jetë 60 minutëshe. Elementët e mësimdhënies së normuar vjetore, të përcaktuara në pikën 4.1., të udhëzimit, konvertohen në orë mësimore si më poshtë: 1 orë leksion është e barabartë me 1.5 orë mësimore; 1 orë ushtrime/seminare është e barabartë me 1.0 orë mësimore; 1 orë laborator është baras me 0.8 orë mësimore; 1 orë praktikë mësimore/profesionale është baras me 0.5 orë mësimore; 1 orë mësim shoqërimi në Akademinë e Arteve është baras me 0.5 orë mësimore. Veprimtaritë për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit të mësimdhënies, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, njehsohen në orë mësimore dhe vlerësohen jashtë mësimdhënies së normuar vjetore. Mësimdhënia, që përfshin sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, mësimdhënien e normuar vjetore dhe veprimtaritë për përgatitjen e mbështetjen e procesit të mësimdhënies, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, vlerësohet gjithsej 750–1050 orë mësimore, që i korrespondon 50-70 për qind e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës, sipas përcaktimit në pikën 14 të këtij udhëzimi.
Veprimtaritë mbështetëse
Veprimtaritë e personelit akademik me kohë të plotë të fakulteteve, duhet të planifikohen si rregull jo më pak se 20 për qind e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës, respektivisht jo më pak se rreth 300 orë pune vjetore. Për personelin akademik me kohë të plotë të instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit, veprimtaritë duhet të planifikohen, si rregull, jo më pak se 70 për qind e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës, respektivisht rreth 1050 orë pune vjetore. Veprimtaritë mbështetëse për institucionin, për personelin akademik me kohë të plotë, planifikohen 150-300 orë pune, që i korrespondojnë 10-20 për qind e të gjithë fondit të kohës së punës vjetore.
Çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë në IAL publike duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës me 192 ditë pune (1536 orë), përcaktuar kjo kohë sipas kërkesave në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Për veprimtaritë e personelit akademik me kohë të plotë në IAL publike mund të bëhen planifikime vjetore në përqindje të ndryshme nga ato të treguara në këtë udhëzim, në mënyrë të argumentuar dhe duke respektuar plotësimin e detyrimit sipas pikës 14, të këtij udhëzimi dhe mësimdhënien e normuar vjetore. Organizimi i kohës vjetore të punës dhe programimi i saj në veprimtaritë e ndryshme përbërëse, për çdo anëtar të personelit akademik, formalizohet nëpërmjet një marrëveshjeje vjetore ndërmjet përgjegjësit të njësisë bazë dhe anëtarit të personelit akademik. Një kopje e saj i dërgohet Dekanit/Drejtorit të njësisë kryesore përkatëse.
Anëtari i personelit akademik ka të drejtë të apelojë tek dekani/drejtori, lidhur me shpërndarjen e kohës vjetore të punës apo të mësimdhënies së normuar vjetore në veçanti. Vendimi i Dekanit/Drejtorit është përfundimtar.
Kalimi i normës
Personeli akademik me kohë të plotë në IAL publike mund të tejkalojë normën vjetore për mësimdhënie deri në masën 30 për qind, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Tejkalimi i paguar mbi 30 për qind i mësimdhënies së normuar vjetore mund të bëhet vetëm për nevoja të institucionit dhe me miratim nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Për personelin akademik të ftuar në njësitë kryesore të IAL publike mësimdhënia e normuar vjetore duhet të jetë deri në 150 orë mësimore në vit, apo 150 orë punë vjetore për veprimtari të kërkimit apo krijuese. Personeli akademik i ftuar mund të thirret nga një IAL publike kur institucioni nuk i plotëson nevojat për mësimdhënie nga personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në të. Personeli ndihmës, i cili mbështet mësimdhënien, kërkimin apo krijimin të punësohet me kontratë në përshtatje me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë. Udhëzimi nr.27, datë 04.10.2004 i ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për Ngarkesën Mësimore në Shkollat e Larta”, dhe akte të tjera nënligjore që bien ndesh me këtë udhëzim, shfuqizohen. Ngarkohen të gjitha IAL publike të marrin masat për vënien në zbatim të këtij udhëzimi.

Mësimdhënia vjetore në orë sipas titujve
Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, e shprehur në orë mësimore, është, përkatësisht:
Për personelin akademik
Kategoria «Profesorë»
Me titullin akademik «Profesor» 200 orë mësimore
Me titullin akademik «Profesor i asociuar» 220 orë mësimore
Kategoria «Docentë»
Me titullin akademik «Docent» 300 orë mësimore
Me gradën shkencore «Doktor» 260 orë mësimore
Kategoria «Lektorë» 260 orë mësimore
Për autoritetet drejtuese të IAL publike
Rektor/Drejtor Qendre Ndëruniversitare 50/50 orë mësimore
Kryetar i Këshillit të Administrimit 120 orë mësimore
Zëvendësrektor/Zëvendësdrejtor Qendre Ndëruniversitare 70 /50 orë mësimore
Dekan/Drejtor Instituti 70/50 orë mësimore
Zëvendësdekan/Zëvendësdrejtor Instituti 150/60 orë mësimore
Përgjegjës Departamenti/Qendre Kërkimi e Zhvillimi 170/60 orë mësimore
Për personelin akademik me kohë të plotë në institut dhe qendër të kërkimit e zhvillimit, mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30 për qind e orëve mësimore
Ky personel aktivizohet si rregull në fusha që përputhen me misionin e tyre
Për nevoja të veçanta të kërkimit, për këtë personel akademik mund të planifikohet mësimdhënie e normuar vjetore më e pakët.

Vlerësimi në orë për veprimtaritë mbështetëse
Disa nga elementet e veprimtarive për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit mësimor dhe veprimtarive për kërkim, njehsohen në orë mësimore si vijon:
Provime/mbrojtje teze diplome 0.4/0.5 orë mësimore/student
Udhëheqje teze diplome cikli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë;
Udhëheqje teze diplome master niveli I/II 15/30 orë mësimore/diplomë
Udhëheqje teze doktorate 90 orë mësimore/vit
Udhëheqje e projekteve të lëndëve 2 orë mësimore/projekt
Udhëheqje e detyrave të lëndëve 0.5 orë mësimore/detyrë
Përgatitje shfaqjeje, ekspozite, gare 10-30 orë mësimore/shfaqje
Kontrolle të pjesshme të programuara të dijeve 0.3 orë mësimore/student
Recensë teze diplome cikli I/II 5/10 orë mësimore/recensë
Recensë teze diplome master niveli I/II 5/10 orë mësimore/recensë;
Oponencë teze doktorate 20 orë mësimore/oponencë
Konsultime të programuara deri 20 për qind e orëve në auditor për leksione, ushtrime e seminare

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›