Xhaketina juaj “sahariane” për këtë verë
Merita TOÇILA
Xhaketina me model tepër sportiv e quajtur ndryshe “sahariania” (sepse risjell modelin e eksploruesve të botës së panjohur), është një nga xhaketat më të preferuara të kësaj vere. Ndoshta me të drejtë, këtu lind pyetja: “Si mund ta mbajmë më mirë këtë xhaketinë gjatë verës?”
Historikisht xhaketa sahariane për femrat ka qenë prodhimi më emblematik i krijimeve nga stilisti Yves Saint Laurent në 1968. Një model i ndërthurur midis stilit ushatrak dhe influencave etnike, ky produkt u shndërrua në elementin më themelor të veshjes së një gruaje moderne për në stinën e verës.
Po pse vallë, ky stil rivjen përsëri në skenë këtë vit?
Nën valën e interpretimit në stilin “retro”, sivjet mbizotërojnë vitet `70, që do të thotë se kthimi i kësaj xhakete nuk është dhe aq i papritur. Nuk duhet harruar suksesi që sjell prezantimi në koleksion kur kemi ndërthurrje të stilit “bohem-shik” me stilin atë “ushtarak”. Vlen për t`u theksuar dhe rikthimi i xhaketës klasike të burrave ose blazeri, të ndjekura nga modele me tendencë, xhaketina me rrip në mes, apo me xhepa pllakë në pjesën e përparme, dy mbi gjoks dhe dy në mes, në ngjyra të lehta verore, dhe material kryesisht lino, të shoqëruara me tegela të dyfishtë për zbukurim, si dhe me kopsa të mëdha, por jo që të krijojnë kontrast me ngjyrën e pëlhurës.
Pas suksesit të linjes “bluze”, të gjera dhe pa prerje, shohim që rivjen përsëri silueta perfekte, ku beli duhet të vihet patjetër në dukje. Ndaj mos u çudisni nga pëdorimi i rripit të mesit,si një nga produketet më të priviliegjuara prej aksesorëve, që u pershtatet të gjitha masave, gjendet në të gjitha llojet e materialeve; lëkurë, metal, pëlhurë, etj. Një symbol i vërtetë i modeleve të reja dhe i paraqitjes më të fundit të veshjeve, të mbajtura të gjitha me bel të shtrënguar dhe kjo jo vetëm për xhaketinat, por edhe për fustanet, fundet apo këmishat.
Pamjet e sfilatave na e propozojnë këtë veshje të shoqërohet me një kanotiere, një minifund, ose një fund normal. Për një siluetë më urbane që t`u përshtatet femrave aktive përgjatë ditës, do të shkonte më shumë një sahariane me rrip, mbi një fund të prerë drejt ose mbi një fustan të hollë. Në rastet kur ju duhet të shkoni diku dhe duhet të dukeni shik dhe pak më e guximshme në kombinime, shoqërohet gjithashtu, me pantallona të gjera blu, të kaltër, bezhë, të bardhë, që na kujtojnë siluetat e aktoreve të filmave të viteve `70. Në këto raste edhe materiali duhet të ndryshojë; kjo xhaketë mund të përdoret në material satini, për ta justifikuar pamjen tuaj. Edhe më në modë, kjo veshje do të duket më e vogël dhe më e lehtë mbi një fustan të gjatë me lule të printuara.
Ajo që është më e rëndësishme si për saharianen, ashtu dhe për të gjitha veshjet e kësaj vere, mbetet përdorimi i rripit. Për një pamje më të bukur edhe materiali i rripit duhet të përputhet me materialin e veshjes, shumë i lehtë, me kollaritje dhe jo aq i rëndë sa në vitet `70. Edhe ngjyra duhet të jetë më e lehtë gjithashtu, bezhë, e bardhë, por duhet shmangur ngjyra kaki, sepse e kthen në ushtarake. Duhet shmangur luku total ushtarak, pasi objektivi i kësaj vere është që t`i jepet veshjes një ngjyrë më romantike, më hipi.
27 Maj 2008