Solana në Serbi: Tregohuni pragmatistë për Kosovën
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Evropian, Havier Solana, vizitoi dje Beogradin, ku u bëri thirrje autoriteteve serbe të jenë pragmatikë në qëndrimin për Kosovën. Solana nisi dje me vizitën në Serbi turneun e tij në Ballkan, dhe sot pritet të mbërrijë në Kosovë për bisedime me liderët vendas dhe përfaqësuesit evropianë të EULEX-it. Para vizitës në Prishtinë, Solana tha se “EULEX-i ka bërë shumë progres, por ka ende shumë për të bërë”. “Unë dua të theksoj bashkëpunimin e mirë mes Beogradit dhe EULEX-it, dhe ky është një bashkëpunim i cili ka nevojë të vazhdojë e të forcohet. Duhet të ketë pragmatizëm, i cili në radhë të parë do të sjellë të mira për komunitetin serb në Kosovë”, tha Solana. Shefi i diplomacisë evropiane ka theksuar gjatë takimeve të tij se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE-në dhe se perspektiva për rajonin është e qartë. Sapo mbërriti në Beograd, Solana ka premtuar lajme të mira për Serbinë për sa i përket anëtarësimit të saj në BE, si dhe qarkullimin pa viza në zonën Schengen për qytetarët serbë. Pasi u takua me Ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, Solana iu tha gazetarëve se ai nuk mund të hynte në detaje, por priste lajme të mira në pak ditë. “Do të ketë lajme të mira për qytetarët serbë”, tha Solana. Komisioneri për zgjerim në BE, Olli Rehn, pritet të njoftojë një vendim të Komisionit Evropian në Luksemburg të martën, për të liberalizuar vizat për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, duke nisur nga 1 janari 2010. Në një intervistë me agjencinë serbe të lajmeve, “Beta”, Solana tha se Holanda e kundërshton ende hyrjen e Serbisë në këtë zonë, derisa ajo të dorëzojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ish-gjeneralin serbo-boshnjak, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, një lider rebel lufte i serbëve në Kroaci. “Ju e dini se ekzistojnë probleme, por unë mund t’ju garantoj se ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të kapërcyer vështirësitë”, tha Solana. Solana tha se Serbia duhet të arrijë një nivel të lartë bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës, por theksoi se vendi po përparonte “në mënyrë të pakthyeshme” drejt Bashkimit Evropian. Solana ka takuar në mbrëmje edhe Presidentin serb, Boris Tadiç, Kryeministrin Mirko Cvetkoviç dhe zyrtarë të tjerë serbë. Ai do të vizitojë sot Kosovën dhe Maqedoninë dhe nesër Malin e Zi.